logo
 
 

 

temat

MUSLIMANËT SI PAKICË - PUSHTETI DHE AKTIVITETI POLITIK

Dr. Murad Wilfried Hofmann

Ky artikull analizën e vet e përkufizon në Islamin politik në Evropë dhe SHBA. Niset nga fakti i konsenzusit në rritje se muslimanëve u është e lejuar të jetojnë dhe veprojnë politikisht në Perëndim, sepse demokracia - më së paku në bazë të dhjetë pikave të përbashkëta - tani shikohet si thelbësisht kompatibile me Islamin. Këto pika inkuadrojnë ndarjen e pushtetit, zgjedhjen në funksione, obligueshmërinë e konsultimit, si dhe kufizimet kushtetuese dhe revizionin e ligjvënies. Përforcimi (në aktivitetin politik) prej më parë supozon që muslimanët të mbizotërojnë trashëgiminë e vet të heshtjes, duke u bërë më të vetëbesueshëm. Gjithsesi, kushtet që ashtu të punohet dallohen nga shteti në shtet. Momentalisht nuk do të ishte mençuri të formohen parti islame. Për çdo rast, shumica e kërkesave muslimane mund të realizohen edhe pa to. Aktivizmi politik musliman duhet të jetë i zhvilluar përbrenda partive ekzistuese, por gjithashtu edhe në media, në akademi, në administratë, në pushtetin lokal dhe në arsim. Pranimi është ndërthurur me ndasitë etnike “të të huajve muslimanë”, e gjithashtu edhe “xhamive ideologjike”. Megjithatë, arritja e harmonisë duket shumë më e rëndësishme se mundi në arritjen e unitetit të centralizuar. Islami politik mundohet që (1) Perëndimi të bëhet vend i sigurt për Islamin (2) që Islami të bëhet faktor amë (3) dhe të mbizotërojë krizën kulturore e cila është shkaktuar nga shekullarizmi. Prej këtu, muslimanët jo vetëm që kujdesen për çështjet e veta, por interes i tyre është edhe mirëqenia e tërë shoqërisë. Ata nuk janë aty që vetëm të përfitojnë diçka, por edhe të japin diçka që është e rëndësishme për të gjithë: spiritualizimin dhe moralizimin e sërishëm të shoqërive perëndimore

Fuqizimi politik: Si të veprohet?
Pas këtij konstatimi, tani mund t’u përvishemi çështjeve shumë më konkrete mbi atë se si pakica muslimane duhet të vazhdojë të hapërojë drejt arritjes së fuqizimit dhe aftësimit politik, dhe të bëhet lojtar politik në Perëndim:
1. Edhe këtu, gjithashtu, mund të jepen katër vërejtje preliminare:
a. Peizazhi juridik dhe politik është aq i dallueshëm në secilin vend veç e veç që do të na interesonte, sa që pothuajse është e pamundshme të bëhen propozime konkrete të cilat do të vlenin për të gjitha ato. Në anën tjetër, çdo përgjithësim mbi Islamin në Evropë Jacques Waardenburg e quajti shumë të rrezikshëm.
Si minimum, faktorët që duhet të merren në shqyrtim në secilin rast veçmas inkuadrojnë si vijon:
- A ekzistojnë kujtime kolektive negative të cilat kanë të bëjnë me Islamin? Për shembull, vendet të cilat dikur i ishin shumë të nënshtruar “kërcënimit turk” tregojnë ndjeshmëri të posaçme që është e panjohur për të tjerët.
- Vallë popullata muslimane, siç është rasti në Francë dhe Britani të Madhe, në pjesën më të madhe e realizon të drejtën për nënshtetësi apo jo (siç është në Gjermani)?
- Vallë rrethimi politik a është i rregulluar sipas parimit të sistemit bipartiak (siç është në SHBA dhe, në esencë, në Britani të Madhe) apo ai është shumëpartiak?
- A janë forcat cioniste të forta në pushtet, në media dhe në akademi?
b. Është me rëndësi të kihet ndërmend se në demokracitë moderne pushteti nuk përbëhet vetëm nga ndarja trepjesëshe: ekzekutive, ligjvënëse dhe gjyqësore - por kësaj ndarjeje i shtohet edhe segmenti i katërt: mediat. Prej këtu, nëse muslimanët duan të hapërojnë në arenën politike, ata duhet të fokusohen në media në të njëjtën masë sikur edhe në pushtetin. Sipas kësaj, të shkollohen gazetarë muslimanë është po aq me rëndësi sa edhe të shkollohen juristë dhe nëpunës civilë muslimanë.
c. Pengesa më e madhe për pjesëmarrjen më të madhe politike muslimane nuk është rrethimi refuzues antiislamik, por indiferenca dhe “mentaliteti mbijetues” i masave muslimane, një trashëgimi shumë negative e pasivitetit të tyre të sjellur nga shtëpia. Prej këtu Sulejman Nyang e konsideron si të domosdoshme që të fillojë politizimi i muslimanëve përmes “prerjes së pyllit të dendur të heshtjes politike”.
ç. Do të ishte gabim të pohohet se fuqizimi politik presupozon organizimin partiak - muslimanët mund të realizojnë shumicën e qëllimeve të tyre: pranimin, participimin dhe mbrojtjen edhe pa hyrje direkte në politikën partiake.
2. Madje ngapak është e pakuptimtë që të themelohen parti politike islame gjithnjë përderisa baza votuese muslimane të jetë aq e vogël sa që votimi për kandidatin musliman të nënkuptonte votën e humbur. Ç’është më e keqja, partitë islame munden pa nevojë të krijojnë frikë. Ashtu siç u shpreh në mënyrë korrekte Yvonne Haddad: “Muslimanët në Perëndim në përgjithësi kanë përfituar kategorinë e ‘profilit të ulët’ për shkak arsyeve të sigurimit”. Ky motiv për pasivitetin organizues edhe më tej është i plotëfuqishëm. Kjo është arsye për çka muslimanët amerikanë mirë të organizuar dhe politikisht të zgjuar nuk kanë menduar aq gjatë për themelimin e partisë muslimane, përse iniciativa në Berlin asnjëherë nuk ka lëvizur nga fundi, dhe përse përvoja britanike nuk ka dalur aq fatlume. Ndjenja e tyre e dinjitetit dhe frika e tyre e arsyeshme që mos të kualifikohen si naivë duhet të pengojë muslimanët nga eksponimi i hershëm i rrezikut të daljes në arenën partiake.
Kjo nuk pengon muslimanët:
- që të hyjnë në partitë ekzistuese;
- të kandidohen për funksione më të ulëta zgjedhore (këshillat drejtues shkollor, përfaqësim në komunë, këshill të qytetit);
- të bëjnë që pjesëmarrja e tyre në zgjedhje të ketë peshë politike gjatë zgjedhjeve të përgjithshme;
- të lobojnë në nivelin më të lartë politik, dhe
- të kërkojnë njohje zyrtare.
Në të gjitha këto pikëpamje muslimanët amerikanë janë shembull për t’i ndjekur. Ata nxisin vëllezërit dhe motrat që të shkojnë në Partinë Demokratike apo Republikane, plotësisht të vetëdijshëm se asnjëra prej tyre nuk ka pranuar platformën e cila në tërësi është e pranueshme për muslimanët, edhe në politikën e jashtme (Palestina, Kashmiri etj.), edhe në të brendshmen (homoseksualiteti, aborti, evolucionizmi, etj.).
Për dallim nga pozita në Britani të Madhe dhe në Gjermani, ende nuk ka ndodhur që një musliman të jetë zgjedhur në Kongres. Megjithatë, muslimanët amerikanë sistematikisht e prezentojnë veten në pozita më të ulëta zgjedhore. Gjatë zgjedhjeve të përgjithshme, Këshilli musliman amerikan (American Muslim Council - AMC) në Washington rëndom nxit muslimanët në regjistrimin e votuesve. Muslimanëve u lihet që në secilin distrikt të vendosin se cilin kandidat do ta përkrahin, pasi që  sistematikisht të shqyrtojnë qëndrimet e tyre ndaj çështjeve të cilat janë të afërta për muslimanët. Shkalla e lartë e organizimit të muslimanëve në Amerikë dhe kreativiteti i tyre, i cili nuk mund të krahasohet me asnjë bashkësi tjetër në Perëndim, gjithashtu sqaron efikasitetin e lobit musliman në Washington. Prej këtu:
- kryetarët amerikanë filluan të shtrojnë iftare në Shtëpinë e Bardhë;
- t’u dërgojnë urime muslimanëve amerikanë me rastin e dy bajrameve;
- parku i Shtëpisë së Bardhë, me rastin e festave të Vitit të Ri, tani gjithashtu është zbukuruar edhe me gjysmëhënë dhe yll;
- në hapjen e Kongresit gjithashtu praktikohet edhe leximi i lutjeve muslimane, dhe
- Forcat e armatosura amerikane tani kanë mesxhide në bazat e tyre kryesore dhe kanë të punësuar katër imamë muslimanë në cilësinë e “famullitarit” - klerit ushtarak.
3. Prap, politika jopartiake mbetet fushë e veprimit e cila më së shumti premton për të gjitha pakicat muslimane.
a. Disa, sikurse Ahmed von Denfferi nga Qendra Islame në Munih, shkojnë aq larg saqë përcaktohen vetëm për punë të muslimanëve në nivelin themelor me njerëzit e rëndomtë. Ideja është që Islami të ndërtohet prej poshtë lartë, të organizuar në grupe të vogla. Në të vërtetë, pa përhapje të bazës së vet dhe produkimit të numrit të mjaftueshëm të anëtarëve të muslimanëve domicil (vendas), sidomos me arsim akademik, tentimet për prezentimin e Islamit në nivelin më të lartë nacional duken mjaft artificiale. Së paku, duket mençuri të pritet pjekuria e gjeneratës së tretë të imigrantëve para zgjerimit të mëtejmë të vëllimit punues, sepse vetëm atëherë kur bashkësia lokale muslimane të mos shikohet më si element i huaj, pakicat muslimane mund të tentojnë të fitojnë pozitë të lartë.
b. Të tjerët, në të cilët hy edhe unë, propozojnë punën në nivelin themelor, me aktivizëm politik në nivelet më të larta. Kjo, gjithsesi, supozon shkallë të caktuar të unitetit ndërmjet çdo pakice individuale, gjë që secilit i ka munguar një kohë të gjatë. Ekzistojnë organizata konkurruese në Francë, Britani të Madhe, Gjermani dhe SHBA (ISNA, ICNA dhe ministeriumi Afrikano-amerikan “Warith Deen Muhammad”), kurse kjo diskrediton përpjekjet e tyre të prezentimit në nivel qendror. Në të vërtetë, muslimanët janë aq të llojllojshëm, sa që hutojnë secilin shef të protokollit! Kjo llojllojshmëri më pak ka karakter denominues (sunni, shija, sufi), e më shumë etnik. Në të gjitha vendet evropiane, SHBA dhe Kanada ekzistojnë edhe më tej shumë xhami të cilat nuk janë të njohura si islame, por si indo-pakistaneze, arabe, shqiptare, algjeriane apo turke. Kurse këto të fundit prap ndahen në xhami Milli Görüs, Nurculuk, Süleymanci, apo ato që janë të lidhura me shtetin turk - Diyanet. Prej këtu takohemi me “xhamitë ideologjike”, në të cilat janë të shpeshtë “muslimanët e kalitur ideologjikisht”, sikurse muslimanët pakistanezë ose muslimanët afrikanë, të cilat mund të jenë madje edhe të karakterit ndarës. Situata e përshkruar është përkeqësuar nga fakti se disa organizata muslimane në Evropë - shumë më tepër në SHBA - edhe më tej qëllimet dhe aktivitetet e tyre politike i fokusojnë në vendlindjet e tyre. Me sa duket, dëshirë më e madhe e tyre është riislamizimi, të themi, i Turqisë apo Tunizisë, sesa islamizimi, të themi, i Belgjikës apo Suedisë. Ky separatizëm brendaislam torpedon veprimin efikas politik madje nën nivelin lokal.
c. Është tejet i mirëseadhur funksionimi, prej vitit 1996, i prezentimit qendror të pakicave muslimane në nivel evropian në formë të Këshillit koordinues musliman (Muslim Coordination Council in Europe), të cilin e udhëheq dr. Abdallah Boussouf në Strasbourg.
4. Arsimi bëhet mbështetetja e domosdoshme për praninë më të gjerë politike, kurse pakicat muslimane edhe më tej nuk e marrin seriozisht detyrën për formimin e muslimanëve të mirë, të arsimuar dhe besnikë përbrenda gjeneratës së tretë (edhe pak dhe të katërt) të imigrantëve. Kjo detyrë prej më parë presupozon më tepër libra islamë për fëmijë, më shumë shkolla islame dhe më shumë kapacitete për arsimimin e mësuesve të fesë dhe imamëve. Në nivelin më të lartë akademik, muslimanët duhet të bëhen të aftë që gradualisht të zëvendësojnë studimet orientaliste “të islamologjisë” me studimet e tyre islame në fushën e tefsirit, hadithit, sires - jetëshkrimit të të Dërguarit, historisë dhe kelamit - krejt kjo me ndihmën e profesorëve të kualifikuar dhe besnikë muslimanë. Në kohën e fundit janë bërë disa hapa në atë drejtim, prej të cilëve do të përmendim disa institucione:
- Fakulteti shkencave shoqërore islame në Leesburg, VA, SHBA (the Graduate School of Islamic Social Studies - SISS)
- Instituti i Markfieldit për arsim të lartë (the Markfield Institute of Higher Education - MIHE) në Leicestershir (rajon i qytetit anglez Lester, Britani e Madhe), dhe
- Akademia Islame për pedagogji fetare (Islamic Academy for Religious Pedagogy – IRPA) në Vjenë, Austri.
Në Gjermani, vetëm një musliman ka arritur rangun e profesorit ordinar universitar në fushën e shkencave  islame, edhe pse ekzistojnë afro dyzet universitete të cilat ofrojnë atë fushë për studim.
5. Sa i përket punës në fushën mediale, muslimanët në Amerikë përsëri mund të jenë model për muslimanët evropianë. Në Amerikën Veriore gjejmë këta shembuj: Këshilli musliman i çështjeve publike (a Muslim Public Affairs Council - MPAC), Këshilli Islam i çështjeve publike (an Islamic Public Affairs Council - IPAC), Këshilli amerikan i çështjeve publike (an American Council for Public Affairs - ACPA), Komiteti Arabo-amerikan antidiskriminues (Arab-American Anti-Discrimination Committee - ADC), Grupi i rrjeteve islame (Islamic Networks Group – ING), Mosanimi dhe saktësia në raportim (Fairness and Accuracy in Reporting - FAIR), Muslimanët e Bashkuar të Amerikës (United Muslims of America - UMA) dhe natyrisht, Këshilli për marrëdhënie amerikano-islame, i cili është shumë efikas (Council on American-Islamic Relations - CAIR) me seli në Washington, D.C., dhe Santa Clara, CA. Disa prej këtyre grupeve janë haptazi të inspiruara nga organizatat çifuto-amerikane, e vetmja gjë që mund t’i bëjë më operative. Muslimanët amerikanë munden me siguri të pohojnë se “Bashkësia muslimane në Amerikë posedon më shumë resurse financiare, njerëzore dhe teknologjike se sa cilido vend tjetër musliman në botë”.
CAIR sidomos është njohur me aktivitetet ditore të përcjelljes së mediave. Nëse ndodhë “gjendja e gatishmërisë mediale”, është në mundësi që njëkohësisht t’u dërgojë njëzet e pesë mijë faks letra kompanive apo shtëpive mediale të cilat seriozisht kanë shkelur të drejtat e muslimanëve. Është dëshmuar si vepruese në rastet kur kompanitë e mëdha si Nike dhe Master Card kanë prekur ndjenjat e muslimanëve. Për çdo vit CAIR publikon Raportin musliman për të drejtat civile (a Muslim Civil Right Report), i cili përcjell aktivitetet antiislame. Shembujt e veprimit të CAIR-it mund të shërbejnë që të bëhet dallim ndërmjet asaj që është e mundur këtu në Evropë dhe atje përtej. Të qenurit me plot vetëbesim, deri në masë të të bërit agresiv për mbrojtjen e të drejtave që të takojnë, është veprim i pranueshëm në Amerikë:
- ku prej pakicave është e natyrshme të ngritet zëri,
- ku Islami është vetëm njëri nga 261 religjionet e regjistruar në Forcat e armatosura amerikane,
- ku muslimanët nuk përbëjnë një grup të madh etnik, siç është në Britani të Madhe, Francë dhe Gjermani, por rrjedhin nga të gjitha anët e botës, dhe
- ku jetojnë 2,5 milionë muslimanë, afroamerikanë, të cilët këtë vend e kanë atdheun e tyre të vetëm.
Në Evropë gjërat janë më ndryshe. Siç u shpreh Graham Fulleri: “Amerikanët në realitet nuk tregojnë kundërshtim kulturor ndaj futjes së imigrantëve muslimanë në mënyrën që do ta kishin bërë këtë francezët, gjermanët, madje edhe britanezët”. Sikur muslimanët t’i kërkonin të drejtat e tyre këtu, ashtu siç i kërkon CAIR atje, do të krijonin aso atmosfere irrituese, saqë suksesi i mundshëm do të mund të bëhej kundërproduktiv. Procedura jonë juridike nuk është konfrontuese, siç është rasti me atë amerikane, kurse ndërmjetësimi dhe harmonizimi janë procedura që anojnë kah mënyra kontinentale e zgjidhjes së rasteve.
Në disa pikëpamje, muslimanët evropianë duhet, gjithsesi, të bëhen më me vetëbesim. Do të mundeshin, për shembull, më mirë të mësojnë se në çfarë mënyre të dalin në skaj me mediat duke i mbushur kolumnat, duke shkruar demante dhe letra redaktorëve, të cilat kanë mundësi të botohen. Megjithatë do të isha brengosur sikur muslimanët evropianë të imitonin CAIR-in në çdo pikëpamje. Në të vërtetë, në Evropë, kur muslimanët t’i kërkonin të drejtat e tyre të pakontestueshme, do të ballafaqoheshin me përgjigjen: “Nëse nuk u pëlqen këtu, përse atëherë nuk shkoni në shtëpitë tuaja?” Gjë që në asnjë rast nuk do të mund t’u ndodhte muslimanëve amerikanë.
Për çdo rast, çdoherë duhet të kihet parasysh se ndryshimet e thella dhe të përhershme ideologjike dhe shoqërore nuk vijnë me revolucione apo kthesa tjera të papritura. Siç thotë Mevlana Mevdudi: “Të gjitha ndryshimet e përhershme dhe largpamëse në jetën kolektive të popullit vijnë gradualisht”.

Përse janë të rëndësishme këto çështje?
1. Për shkak të kërshërisë, derisa kemi shqyrtuar se si pakicat muslimane duhet politikisht të forcohen, të marrin pjesë në jetën publike, si dhe të përfitojnë edhe forcë politike dhe ndikim, shumë pak është thënë se përse ato duhet bërë atë. A është Ummeti entitet me një program politik, lob me interes të veçantë apo komitet për aksion politik? Nëse është ashtu, atëherë me çka është i preokupuar? Me Palestinën? Apo ndoshta me çështjen e hixhabit?
Asnjëra nuk është përgjigjja e vërtetë. Muslimanët në Perëndim synojnë një sërë qëllimesh, prej të cilëve shumica nuk janë vetëm brengë e tyre. Të jemi më preciz:
a. Perëndimi të bëhet vend i sigurt për Islamin.
Kjo inkuadron luftën muslimane për realizimin e lirive fetare deri në atë masë saqë muslimanët të munden lirisht të praktikojnë jo vetëm kushtet themelore të fesë së tyre, por edhe elementet tjera të rëndësishme të cilat e përbëjnë fenë e tyre (sikurse ndërtimi i xhamive, dhënia e ezanit, kryerja e papengueshme e xhumasë, të kenë mësim-besim, të kenë tolerancën kur është në pyetje hixhabi, therrja hallall dhe dispozitat fetare gjatë varrosjes së të vdekurve). Kjo përfshinë luftën edhe kundër diskriminimit në tregun e punës, si dhe ngritjen e standardit në jetën e muslimanëve.
b. Të bëhet Islami faktor amë.
Kjo inkuadron njohjen publike të Islamit si religjion, prezentimin qendror, si dhe praninë muslimane në botën politike, në akademi, në institucionet civile dhe në mediat. Për këtë qëllim, organizatat shoqërore muslimane nuk duhet të punojnë vetëm për muslimanët, por edhe për të varfërit dhe për ata të cilët kanë nevojë për ndihmë nga tërë shoqëria. Për qëllimin e njëjtë, liderët muslimanë nuk duhet të jenë ithtarë të të drejtave të njeriut vetëm për muslimanët, por gjithashtu të shprehet protestë publike nëse ato të drejta janë të rrezikuara edhe në vende tjera përveç Çeçenisë, Kashmirit dhe Kosovës.
c. Të tejkalohet shekullarizmi duke futur mendimin islam.
Bashkimi Evropian, sikurse SHBA-të, don të jetë më shumë se tregu i kotë, dhe prej aty dëshiron që sërish të zbulojë “shpirtin” e vet. Të dy sistemet vuajnë nga numri i madh i të këqijave shoqërore (sikurse shkatërrimi i insitucionit të familjes dhe standardeve seksuale, varshmëritë strukturale ndaj drogës, ftohja e marrëdhënieve shoqërore, konkurrenca shkatërruese, agnosticizmi dhe pakuptimshmëria e jetës). Këto të këqija, të diagnostifikuara mirë nga ana e Daniel Bellit dhe Williams Ophulsit, aq janë të mëdha sa që Oksidenti gjendet para krizës së mundshme të kobshme kulturore.
2. Për të shpëtuar Perëndimi, nevojitet ilaç i fuqishëm: paradigmë e re, transformim i thellë i të menduarit dhe vepruarit, madje edhe ëndërruarit. Të dobëta janë gjasat që Perëndimi ta arrijë këtë pa alternativën ideologjike, religjionin vital dhe konstruktiv universal. Muslimanët janë të bindur se vetëm globalizimi i Islamit si sistem i vlerave, mënyrës së jetës, filozofisë transcedentale, mund ta kryejë atë punë. Prandaj, në fund, muslimanët nuk hyjnë në arenën politike me qëllim që diçka të fitojnë nga shoqëria perëndimore, por që të ofrojnë dhe të japin, diçka që për të ka vlerë esenciale.
Kjo duhet të jetë bindëse për vrojtuesit perëndimorë, sepse kjo nënkupton se pakicat islame nuk janë lidhur për strategji të pasigurta sikur kryengritja apo revolucioni. Ummeti nuk është këtu që të marrë Westminsterin apo Reichstagun me qëllim të aplikimit të sheriatit. Më me dëshirë, muslimanët në Bashkimin Evropian kërkojnë ndryshim evolucional drejt rehabilitimit gjithpërfshirës të religjionit në shtet, shoqëri, ekonomi, arsim dhe shkencë. Ata kërkojnë transformim të vetë shoqërisë, pjesë e së cilës janë ata vetë.
Me qëllime të tilla politike muslimanët nuk janë të çuditshëm, por janë në rrugë të normalitetit të ri, si komponentë e respektuar, e fuqishme, e integruar (në asnjë rast e asimiluar) e shoqërive multikulturore të Evropës dhe Amerikës.

 

Të gjitha të drejtat i takojnë Shtëpisë Botuese "Furkan ISM" © 2007-2008