logo
 
 

 

temat

NDJENJA E PËRGJEGJËSISË

Dr. Fet’hi Jeken

Koncepti i ndjenjës
Ndjenja është gjendje psikologjike që përbëhet nga parametra të llojllojt, ata të lindur (natyrshëm),  trashëgues dhe të përfituar, siç janë: kulturor, edukativ, ambiental etj.
Ndjenja është një element që e përcjell njeriun në çdo sferë prej sferave të jetës së tij, siç është ndjenja e frikës, e sigurisë, e shqetsimit, e qetësisë etj. 
Ndjenja është situatë e përpjesshme, herë rritet e herë dobësohet, herë prin e herë vonohet, si rezultat i influencimeve, aksidenteve dhe përfitimeve të paqëndrueshme.
Ndjenjat (emocionet) e njerëzve ndryshojnë si rezultat i asaj që i ekspozohen dhe që u shfaqen atyre... Ndaj mund të hasim në njeriun me ndjenja aklimatizuese, tjetri përvëlues dhe flakërues... ky jeton me brengat e të tjerëve, gëzohet kur ata janë të gëzuar dhe pikëllohet për pikëllimin e tyre. Ndërkaq ndonjë tjetri fare nuk i interesojnë brengat e tjerëve. Plotësisht përputhet thënia e thënësit dhe i adresohet këtij “Unë, e pas meje le të ndodhë përmbysja”. Kjo është skajshmëri në krahasim me ndjenjat e Omer ibn Hattabit (kënaqësia e All-llahut qoftë mbi të), i cili tregonte respekt dhe gjallëri, me ç’rast ka thënë: “Sikur edhe deveja të has në pengësë në Irakun e largët, Omer ibn Hattabi do të ishte përgjegës për të”.

Koncepti i përgjegjësisë
Përgjegjësia është ndjenjë ndaj obligimeve të domosdoshme, ndërkaq sa i takon muslimanit, është ndjenjë ndaj emanetit më të madh që i është ngarkuar mbi supet e tij, të synuar në fjalët e Lartëmadhërishmit: “Ne u ofruam emanetin (obligimet) qiejve, tokës dhe maleve, e ato nuk deshën ta marrin përsipër atë dhe u frikësuan prej tij, ndërsa njeriu atë e mori mbi vete; dhe ai i bëri padrejtë vetes, dhe ishte i padijshëm.”(Ahzab: 72)
Ndërkaq në Islam përgjegjësia është e karakterit univerzal, gjithpërfshirës, në përputhshmëri me fjalët e Pejgamberit të ndershëm, i cili ka thënë: “Çdo njëri prej jush është bari dhe çdo njëri prej jush është përgjegjës për kopenë e vet. Imami (prijësi) është bari dhe është përgjegjës për kopenë e vet. Burri është bari në familjen e vet dhe përgjegjës për kopenë e vet, gruaja në shtëpinë e bashkëshortit të vet dhe është përgjegjëse për kopenë e vet. Shërbëtori është bari në kapitalin e zotëriut të vet dhe është përgjegjës për kopenë e vet, ndaj, të gjithë jeni barinj dhe të gjithë jeni përgjegjës për kopenë tuaj”. (Transmetuan Buhariu, Muslimi dhe tjerët).
Përgjegjësia është individuale, ngaqë obligimi është individual, po kështu edhe dhënia e llogarisë është individuale, në përputhshmëri me fjalët e Lartëmadhërishmit, i Cili ka thënë: “Nuk ka tjetër, vetëm se gjithë çka është në qiej e në tokë ka për t’iu paraqitur Zotit si rob. Ai me diturinë e vet i ka përfshirë të githë, dhe ka numëruar e evidentuar çdo gjë të tyre në mënyrë të saktësishme. Dhe në ditën e kijametit secili do t’i paraqitet Atij i vetmuar.” (Ta ha: 93-95)

Përgjegjësia e pjesërishme
Përgjegjësia e dijetarit dallon nga ajo e injorantit, përgjegjësia e të pacenuarit të shëndetshëm dallon nga ajo e të sëmurit të gjorë. Përgjegjësia e autoriteteve që posedojnë pushtet dallon nga përgjegjësia e atyre që s’posedojn pushtet, në përputhshmëri me fjalët e Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve se-lem]: “Dy kategori njerëzish nga Ummeti im nëse janë të drejtë, do të drejtohen edhe njerëzit, e nëse janë të prishtë, do të prishen edhe njerëzit, ata janë dijetarët dhe prijësit”. E që është për rrethana specifike, ndërkaq tjerat janë për rrethana të rëndomta.

Segmentet e përgjegjësisë në Islam

Përgjegjësia në Islam është e segmenteve të llojllojta, të cilat i theksoi Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve se-lem]: “Ndaj vetes tënde ke obligime, ndaj Zotit tënd ke obligime, ndaj bashkëshortes tënde ke obligime, pra, çdo njërit jepja të drejtën (hakun) që i takon”. Prej tyre veçojmë:
- Përgjegjësia e njeriut ndaj Zotit të vet, duke patur në konsideratë obligimet e detyrueshme ndaj Tij siç janë: Ibadeti (adhurimi), etika e sjelljeve, caktimet legjislative, përpjekja, sinqeriteti, e vërteta, bindshmëria, falenderimi etj.
- Përgjegjësia ndaj vetes, duke e filtruar dhe edukuar veten në pajtueshmëri me fjalët e të Lartëmadhërishmit:
“Pasha tokën dhe Atë që e shtriu atë (e sheshoi)!Pasha njeriun dhe Atë që e krijoi atë! Dhe ia mësoi se cilat janë të këqijat dhe të mirat e tij.          Pra, ka shpëtuar ai që e pastroi vetveten. E ka dështuar ai që e poshtëroi vetveten. (Shems: 6-10) Dhe fjalët e Tij: “All-llahu nuk e prish gjendjen e një populli (nuk ua largon të mirat) përderisa ata ta ndryshojnë veten e tyre.(Rra’d: 11) Mbi prioritetin e korrigjimit të njerëzve, Ali ibn Ebi Talib është shprehur: “Ai që e cakton veten në post për t’u prirë të tjerëve, le të fillojë të mësojë veten para se të fillojë t’i mësojë të tjerët, le të filtrojë sjelljet para se të filtrojë gjuhën, njeriu më tepër ka nevojë të mësojë dhe edukojë veten se sa të mësojë dhe edukojë të tjerët”. Për këtë adresoheshin fjalët e të Dërguarit [sal-lall-llahu alejhi ve se-lem]: “O biri i Ademit, këshillo vetveten, e nëse e bën këtë, atëherë këshillo njerëzit, në të kundërtën, turpërohu prej meje”.
- Përgjegjësia ndaj familjes: Ngaqë familjarët janë më prioritarë për t’i korrigjuar dhe urdhëruar në të mirë se sa njerëzit tjerë, ndaj cila është dobia e përmirësimit të largëve dhe njerëzve tjerë nëse humbin veten, familjen dhe të afërmit tanë. Të vërtetën e tha i Lartëmadhërishmi: “O ju që besuat, ruane veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëjt të rreptë e të ashpër që nuk e kundërshtojnë All-llahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruara.” (Tahrim: 6)
- Përgjegjësia ndaj shoqërisë dhe Ummetit: Duke i ftuar në Islam, duke i vetëdijësuar dhe duke u përkujdesur për çështjet e tyre... po kështu duke i këshilluar dhe kontribuar në zgjidhjen e problemeve të tyre. Prandaj ishte edhe kërcënimi pejgamberik i tmerrshëm dhe frikësues në fjalët e Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve se-lem]: “Ai që fle dhe fare s’interesohet për çështjet e muslimanëve, ai nuk është prej rradhëve të tyre”.
- Përgjegjësia ndaj lëvizjes dhe kolektivitetit të tij: mirëkuptim ndaj projektit të tyre, bartjen e mesazhit të tyre, bindshmëri e syçeltë ndaj autoriteteve udhëheqëse dhe këshillimin e tyre, në përputhshmëri me principet që i theksoi Imami i martirizuar Hasan el Benna: Besim të thellë e të paluhatshëm, organizim preciz dhe punë në kontinuitet.

Motivet e përgjegjësisë në Islam
Ndjenja e përgjegjësisë në Islam nxitet nga motive të shumta, që gjë duhet kontribuar në përforcimin dhe zhvillimine saj, e që me këtë rast do të veçojmë:
- Motivi i falënderimit ndaj mirësive, që materializohet në fjalët e All-llahut të Madhërishëm: “Nëse falënderoni, do t’ua shtoj të mirat, e nëse përbuzni, s’ka dyshim, dënimi Im është i vështirë!”(Ibrahim: 7)
- Motivi i përmirësimit: “... unë nuk dua tjetër, vetëm të përmirësoj aq sa mundem, por këtë mund ta arrij vetëm me ndihmën e All-llahut, vetëm Atij iu kam mbështetur dhe vetëm te Ai jam i drejtuar!”(Hud:88)
- Motivi i urdhërimit për punë të mbara dhe ndalimit nga veprat e liga, në pajtueshmëri me fjalët e Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve se-lem]: “Gjithsesi do të urdhëroni për punë të mbara e të ndaloni nga veprat e liga, ose, në të kundërtën, All-llahu do të mundësojë t’ju sundojnë më të këqinjtë nga mesi juaj, me ç’rast të ndershmit do të luten, por nuk do t’u përgjigjet lutjes së tyre” dhe fjalët e tij: “Ai që sheh ndonjë të keqe, le ta ndryshojë me dorën e vet; nëse nuk mundet, atëherë me gjuhën e vet; nëse nuk mundet, atëherë (le ta urrejë) me zemrën e vet, ndaj ky është edhe besimi më i dobët, e pas saj nuk ka besim as sa një kokër sinapi”.
- Motivi i thirrjes në rrugë të All-llahut duke iu përgjigjur imperativit të Tij: “Ti (Muhammed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira. Zoti yt është Ai që e di më së miri atë që është larguar nga rruga e Tij dhe Ai di më së miri për të udhëzuarit.” (Nahl:125), për t’u pajisur me vlerësimin që i Madhërishmi i vlerësoi thirrësit e fesë, me ç’rast tha: “E kush ka fjalën më të mirë prej atij që thërret te All-llahu, vepron (punë) të mira dhe thotë: “Unë jam prej muslimanëve?”(Fussilet:33)
- Motivi i arsimimit dhe njohjes së shkencave fetare, duke u mbështetur në fjalët e Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve se-lem], i cili ka thënë: “Atij që All-llahu ia don të mirën, e udhëzon në njohjen e fesë dhe e inspiron në intelektin e tij”,po kështu ka thënë: “Kërkojeni diturinë (shkencën) që nga djepi e deri në varr”, po kështu fjalët e tij: “Kërkimi i diturisë është obligimin i domosdoshëm për çdo musliman dhe muslimane” si dhe fjalët: “Kërkone diturinë qoftë edhe në Kinë”.
- Motivi i përpjekjes në rrugë të All-llahut( me kapital, gjuhë, laps dhe me trup).

Përgjegjësia kundrejt ligjeve të univerzumit, që muslimani të ketë rolin dhe pozicionin e duhur, që përmes rolit dhe përgjegjësisë të administrojë me zakonet e univerzumit, kurse prej tyre veçojmë:
- Përgjegjësia ndaj ligjit për ndryshim, duke u inkuadruar në sistemin dhe projektin për ndryshim islamik si rezultat i përgjigjes pozitive ndaj fjalëve të Lartëmadhërishmit: “... All-llahu nuk e prish gjendjen e një populli (nuk ua largon të mirat) përderisa ata ta ndryshojnë veten e tyre.” (Rra’d:11)
- Përgjegjësia ndaj ligjit për shtytje (përkrahje) duke qenë pjesmarrës dhe u përleshur me të keqen, si dhe duke iu përmbajtur arenës së vërtetës dhe duke mbrojtur Islamin në përputhshmëri me fjalët e All-llahut: “Dhe sikur All-llahu të mos i mbronte njerëzit me disa prej disa të tjerëve, do të shkatërrohej toka, po All-llahu është bamirës i madh ndaj njerëzimit.”(Bekare: 251)
- Përgjegjësia ndaj ligjit të konsolidimit dhe përgatitjes personale për të, për të qenë nga rradhët e atyre që i përmendi i Madhërishmi: “Atyre nga mesi juaj të cilët besuan dhe bënë vepra të mira All-llahu u premtoi se do t’i bëjë zotërues në atë tokë, ashtu si pat bërë zotërues ata që ishin para tyre, dhe fenë të cilën Ai e pëlqeu për ta, do ta forcojë, e në vend të frikës Ai do t’u dhurojë siguri. Ata më adhurojnë Mua e nuk më shoqërojnë asgjë. E kush edhe pas kësaj mohon, të tillë janë ata më të prishurit.” (Nur: 55)

Përktheu dhe përshtati:
Nehat Ismaili

 

Të gjitha të drejtat i takojnë Shtëpisë Botuese "Furkan ISM" © 2007-2008