logo
 
 

 

temat

SHQIPËRIA 350 VJET MË PARË

Evlia ÇELEBI

Udhëpërshkruesi Evlija Çelebiu është një udhëtues i vërtetë i pajisur me të gjitha cilësitë e nevojshme për udhëtimin e një turisti, duke e kryer plotësisht detyrën e udhëtuesit me përshkrimin e vendeve nëpër të cilat ka kaluar.
Vepra e Çelebiut, nga të gjitha pikëpamjet, shoqërore, ekonomike dhe politike, është një thesar i begatshëm për të ndriçuar historinë e popullit shqiptar.
Me këtë rast lexuesit tonë po i ofrojmë vetëm një pjesë nga libri i tij “Shqipëria 350 vjet më parë”, botuar nga shtëpia botuese “Horizont”, Tiranë.

Shkupi
Këte krahinë e ka pushtuar Gazi Evranos Beu në kohën e Jelldërem Pajazitit, i cili e pëlqeu tepër klimën e këtij vendi. Ai qëndronte shpeshherë në Shkup me ushtrinë e tij dhe prej këndej niste fushatat për të pushtuar vende të tjera.
Shkupi ndodhet përmbi një fushë e cila shtrihet në të dy anët e lumit Vardar. Fortesa dhe qyteti janë në perëndim të Vardarit. Qyteti ka disa mijëra shtëpi guri dhe ndahet në shtatëdhjetë lagje.
Sipas organizimit të Sulejman Khanit, Shkupi është kryeqendra e Sanxhak Beut, i cili e administron dhe ka në dispozicion të tij 500 ushtarë. Kur është enevojshme ai merr pjesë në luftë. Të ardhurat e tij vjetore përbëhen nga dhjetë qese. Shkupi ka 250 timare e zeamete dhe është në gjendje të nxjerrë për rast lufte deri pesë mijë ushtarë.
Autoritetet e vendit janë: Allaj Beu, Çeri Bashi, Juz Bashi (Kapiteni), Sheh Islami, Nekibul Eshrafi. Sipas ligjit mbretëror, është kryemyftini me 500 akçe. Ka 350 katunde që i sigurojnë Mullahut të ardhura vjetore afro njëzet qese. Mullallëku ka në varësi pesë nënmyftini dhe dyzet deri pesëdhjetë kadilerë. Veç këtyre ka edhe Qehajanë e spahinjve, Serdarin e jeniçerëve, Dusdarin e kalasë me 300 ushtarë. Të tërë këta nëpunës paguhen nga administrata që i siguron të ardhurat nga metali i argjendit në Karatovë. Përveç këtyre është edhe sundimtari i monedhes, i cili ka koncesionin e shfrytëzimit të metalit të argjendit e të hekurit për tërë provincën, përveç asaj të Karatovës. Për këtë koncesion ai paguan shtatë-dhjetë barrë akçe.
Në kohën tonë, drejtor e sundimtar i ketij metali ishte Muhamet pasha. Një tjetër autoritet është agai i haraçit, i cili nxjerr një taksë prej pesëdhjetë e shtatë mijë. Një sundimtar tjetër është ai i fabrikës së municionit, i cili me xhevërxhilen e ndodhur në krahinat e kësaj province prodhon barutin e zi. Shkupi ka edhe baxhdarin, i cili nxjerr taksën e baxhës nga malli që importojnë karvanët.
Në Shkup nuk ka zyre dogane, pse taksa doganore nxirret në Selanik, Belgrad e Bosnjë.

Kalaja
Shkupi ka një fortesë të përforcuar në dy pode e me banorë të famshëm. Muret e kësaj fortese përbëhen me gurë të limuar me shumë elegancë. Kryeinxhinieri i ka ndrequr aq bukur shtyllat e mermerit te saj, sa që ato duken sikur të jenë prej allçie. Shembullin e delikatesës së kësaj mjeshtërie mund ta gjejmë në shkollën teologjike të Platonit në Athinë, të cilën Fatihu e ka kthyer në xhami.
Fortesa e lartë ndodhet mu në kërthizë të qytetit dhe ka formë pesëkëndore. Muret e saj janë pesëdhjetë kut të lartë.
Fortesa është e zbukuruar me shtatëdhjetë kulla. Qyteti ka 2 mijë dyqane të hijshëm. Nga ana e Kiblës ka tri palë dyer të hekurta dhe midis tyre ka roje të pajisur e të armatosur me armë e municion. Nga fortesa mund të sigurosh një fushëpamje mjaft të mirë, pasi rreth saj nuk ka pengesa të larta dhe mund te shohësh të gjithë hapësirën fushore. Ne perëndim të saj është lumi i Vardarit, në breg të të cilit ka një kullë uji të lidhur me fortesën nëpërmjet një kanalizimi të gurtë. Në këtë krah nuk ka hendek, pasi vendi është humnerë e prandaj është mjaft strategjik. Të tri anët e tjera janë rrethuar me hendek të thellë. Para portës ka një urë druri, e cila mund të ngrihet me një mekanizëm i cili i mbështetet portës si përforcues. Portën e ka meremetuar sulltan Murati i Muhamet Khanit në vitin 856. Brenda fortesës ka njëqind shtëpi ushtarësh, depo për municion e ushqim, si edhe pak topa.
Qyteti ka dhjetë mijë e gjashtëqind shtëpi dy patesh, krejt prej guri e shumë të bukura, të mbuluara me tjegulla të kuqe. Pallatet me të famshëm janë ai i Mahmut Pashës, i Emir Pashës, i Koxha Serdarit dhe i Zeçan Zades.
Shkupi ka edhe dyzet e pesë xhami e pesëdhjetë e pesë mesxhide. Më të përmendurat ndër to janë xhamia e Hynqarit pranë sahatit dhe e Jahja Pashës ne lagjen e poshtme. Pastaj vjen xhamia e Karlo Zades në krye të urës së madhe të Vardarit, e Koxha Mustafait para fortesës, xhamia e kuqe e Is-hak Beut, e Isa Beut.
Medresetë më me emër janë ajo e Sulltan Muratit, e Jahja Pashës, e Is-hak Pashës, e Isa Pashës, e Mustafa Pashës dhe e Karlo Zades. Veç këtyre ka edhe shtatë shkolla hafizësh, shtatëdhjetë shkolla fillore, njëzet teqe, njëqind e dhjetë kroje e dyqind “sebil – hane” (që japin ujë për hir të Zotit). I tërë ujët e Shkupit vjen nga malet e Kaçanikut dhe bashkohet me Vardarin, i cili vjen nga malet e Pejës e të Prizrenit e të… dhe kalon nëpër Shkup, Qyperli, Karaferi dhe derdhet në gjirin e Selanikut. Në Shkup ka njëmijë mullinj e shumë banja, ndër të cilat më me emër janë ajo e Vajzave, e cila ndodhet në një vend të fshehtë, pasi në këtë qytet qenka mbarësi nëse gruaja hyn në banjë; banja e bojaxhinjve dhe banja e Isa Beut. Në Shkup ka edhe njëmijë e ca banja familjare.
Në Shkup ka edhe shtatë bujtina gratis, trembëdhjetë bujtina beqarësh dhe disa hane.
Tregu ka 2 mijë e 150 dyqane guri të stolisura me kube e me qemer. Pëlhurtarët, qëndistarët, çadërxhinjtë, mestexhinjtë, bojaxhinjtë, qeleshexhinjtë, janë tregje të hijshëm e të shtruar me kalldrëm të pastër.
Çdo tregtar mban në dyqanin e tij në një enë me ujë një buqetë me lule me erë të këndshme si lil (zambak), vjollcë, trëndafil, jargavan, sumbull etj., të cilat lëshojnë aromë aq të këndshme sa ia prishin mendjen vizitorit. Tregtarët janë njerëz të ndershëm e të zellshëm në punën e tyre.
Edhe në ditët më me vapë Shkupi është i freskët si hizbet e Bagdatit, sepse krejt tregu është i mbuluar. Bezisteni i Shkupit, me dy porta prej hekuri, është shumë i bukur.
Mbi Vardar ka një urë me katërmbëdhjetë harqe, e ndërtuar nga Fatih Sulltan Mehmeti.
Shkupi është atdheu i poetëve të famshëm Haqiu dhe Erzi Çelebiu, të cilët kanë jetuar në kohën e Pajazit Veliut. Poet me famë ka qënë edhe Koxha Hasan Zadeja.
Ndërtesat monumentale të Shkupit jane Kulla e Sahatit, e lartë sa një minare, afër xhamisë Hynqarit, me një këmbanë që dëgjohet deri një ditë larg; Tyrbeja e Baba Llokmanit në fund të qytetit. Baba Llokmani ka qenë një dijetar e filozof i famshëm. Ai ka hapur një burim... i cili ka ujë shumë të mirë e me cilësi shëruese. Çdo i sëmurë që pi një gotë uji nga ky burim, pa dyshim shërohet, brenda tij ka shumë farë peshqish. Janë të shumtë ata që e provojnë fatin në këtë burim, në të cilin hedhin pak bukë dhe, në se ajo hahet nga peshqit, atëherë puna vete mbarë, e po nuk e hëngrën atëherë duhet të heqin dorë nga synimi i tyre.
Në Shkup ka shumë kisha armenesh, jahudinjsh, bullgarësh e serbësh. Francezët, hungarezët dhe austriakët nuk kanë kisha. Latinët janë shumë dhe i kryejnë ceremonitë fetare në kishat serbe.
Klima e fortë e qytetit u jep njerëzve gjallëri.
Produktet më të përmendura të vendit jane coha, qasha, dorzat, jastëkët e perdet e qëndisura, që s’mund të punohen as edhe në Persi. Banorët e Shkupit jane tregtarë, industrialë e dijetarë. Guri dhe elbi kokërmadh janë me famë.
Në Shkup ka nëntë strehë të varfërish, në të cilat ushqehen gratis udhëtarët, turistët, dijetarët, të vobektët dhe rregullisht, në mëngjes e në mbrëmje të varfërit e të mjerët.
Ushqimet që gatuhen nga banorët e Shkupit janë birjani me mish qengji të pjekur në çerep, peshk i mbushur etj... Molla, ftoi, kumbulla e pjeshka janë të shijshme; shurupi i mjaltit me erë misku, shurupi i vishnjes e hardallia janë shumë të mira.
Sipas regjistrit te Baxhdarit, në Shkup ka 70 mijë dynym vreshta, pronë e njerëzisë dhe shumë vakufe.
Populli i Shkupit flet shqip dhe gjuhën e Rumelisë, me një stil të folmeje që është karakteristike për këtë qytet.
Shkupi është një qytet i rregullt, me rrugë të gjera e të shtruara me gurë të bardhë. Ka shumë pastërti.
Banorët e Shkupit janë njerëz bujarë e fisnikë, elegantë e qibarë, përkrahës të intelektualëve e dijetarëve, por se jane fort të dhënë pas zevkut dhe dashurisë.
Nga drejtimi i perëndimit, rreth dy ditë larg, Shkupi ka afër qytetin e Pejës dhe të Prizrenit, si dhe prefekturën e Dukagjinit; kah Kibla një ditë larg është Qyprilia edy ditë larg është Ishtipi.
Në lindje është qyteti i Karatovës dhe fortesa e Egri Deres (Përroi i Shtrembër).

Kumanova
Kumanova është një qytet i vogël me afro 600 shtëpi të mbuluara me tjegulla, me një treg të vogël, brenda të cilit ka një xhami të hijshme, ka teqe, medrese, hane e banja, mulli e mjaft dyqane. Klimën e ka të mirë. Prej këndej udhëtuam një ditë nga veriu dhe mbërritëm në Karatovë.

Karatova
Fortesa e Karatovës është shembur nga Gazi Avranozi. Qyteti i Karatovës është i pasur në ramë (bakër) e argjend, me të cilat jep një thesar mbretëror me 70 bare akçe te ardhura. Këtu ka edhe një institut që pret të holla. Në kohën e Sulltan Muratit IV janë konjuar te holla argjendi në emër të Sulltanit me këto fjalë: “Azze nassrehu, D’dhuribe fi Karatova”. Ngakëto monedha arrita të siguroj nja dy copë.
Instituti i prerjes së monedhave nuk punon më, por shfrytezimi i metalit vazhdon.
Karatova ka 800 shtëpi prej guri e me dy pate dhe të mbuluara me tjegulla. Ka mjaft ujë dhe banorët e saj janë të pasur e të lumtur. Ka një kadi me 150 akçe, 20 faltore, shumë kroje e sebile, 2 banja, 350 dyqane.
Remtarët e Karatovës punojnë me një mjeshtri shumë të hollë,
Prej Karatove u nisëm në drejtim te Kostendilit të Bullgarisë.
Autori niset përsëri nga Sofja dhe pasi kalon nëpër Qyprili e Përlepe vjen në Manastir, të cilin e përshkruan në këtë mënyrë:

Manastiri
Në shekullin e Lekës së Madh këtu ka patur një tempull të famshëm, me emrin e te cilit është pagëzuar edhe vetë qyteti i Manastirit.
Manastiri është pronë eFatime Sulltanes, bijës së Sulltan Ahmetit, me të ardhura të caktuara 20 barrë akçe. Ka Shehul - Islamin, Nekibul - Eshrafin dhe Kadiun me 300 akçe. Kadiut i vinë edhe 15 qese të ardhura vjetore nga katundet përreth.
Autoritetet e tjera të Manastirit janë qehajai i spahijve, serdari i jeniçerëve, kryenëpunësi i haraçit, qehajai i qytetit, agai i llogarisë, baxhdari, kryearktitekti, dusdar nuk ka fare, pasi Gazi Hodavendiqari e ka shembur fortesën.
Manastiri ndodhet në rrëzë të një mali (Peristeri), në një fushë të gjerë, në të dy anët e një lumi (Drahori), mbi të cilin ka dhjetë ura druri. Nga të gjitha anët qyteti rrethohet me pyje të bukur dhe, rrethohet aq mirë prej tyre sa, po të shihet nga jashtë, nuk dallohet fare. Ka njëzet lagje me rreth 3 mijë shtëpi të vogla e të mëdha, të ndërtuara prej guri e në dy pate, të mbuluara me tjegulla.
Manastiri ka 70 faltore, nga të cilat më me rëndësi janë xhamia e Is-hak Efendiut në krye të urës së madhe, xhamia e Mahmut Efendiut në treg, ajo e Gazi Hajdar Pashës, e Haxhi Beut, e Çaushit etj.
Manastiri ka 9 medrese, nga të cilat më e njohura është medreseja e Tulben Kadiut.
Tregu i Manastirit ka 900 dyqane, 40 kafe, një Bezisten me porta hekuri të forta si të fortesave e me kube që bien në sy.
Në mes të qytetit kalon lumi me ujë të mirë që përmendëm më lart, i cili rrjedh nga bjeshkët e Gjevatës, të Resnjes e të Ostokut. Drini i Manastirit është shumë i mirë.
Manastiri ka 20 vende dëfrimi, por më i bukuri prej tyre është në perëndim, mbi rrugën e Ohrit (Hanllaruni). Qyteti ka shumë oratorë. Softat me çallmat e tyre si çerdhe harabeli rrinë me thika në brez dhe bëjnë rebelizëm. Dalldisin pas qejfesh bashkë me popullin nëpër kafene dhe vende imorale. Ka edhe shumë çeta shqiptarësh. Krejt populli është i kënaqur dhe i hareshëm. Tregtarët e pasanikët janë shpirtmëdhenj e bamirës, ata kanë themeluar 47 strehë vorfnore (imarete).
Në kohën që unë ndodhesha në këtë qytet, kusari i famshëm Babu me 500 të krishterë të armatosur, kalon malet e Shipkës dhe me drita në dorë hyri në Bezisten, theu portat e hekurta, plaçkiti mallra në vlerën e 70 mijë groshëve dhe u largua duke shtënë me pushkë e me topa. Për çudi nuk mundi të dalë asnjë burrë për ta kundërshtuar.
Sa poshtërsi! Që këndej u nisëm në drejtim të jugut dhe shkuam në Follorinë.

 

Të gjitha të drejtat i takojnë Shtëpisë Botuese "Furkan ISM" © 2007-2008