logo
 
 

 

temat

KUJTIME MBI TY O MUALIM...

Hamdi NUHIJU

Kjo jetë është vetëm një çast në mesin e çasteve të shumta të cilat All-llahu na mundësoi që t’i frymojmë. Është një fjalë në mes fjalësh dhe një besë ende e pa dërguar në vendin e duhur. Njeriu është ai që mbi supet e veta mori këtë qëndrim të lartë dhe të lashtë sa vet jeta, mori mbi supe një amanet që shumë vështirë krijesat tjera do ta çonin në vendin ku edhe kërkon Krijuesi që të çohet. Çdo gjë në këtë botë është e programuar nga një Programues i Plotfuqishëm i Cili deri në detaje i din edhe imtësitë e krijesave të tij. Prandaj çdo vepër dhe çdo rruzullim në këtë jetë është vetëm një përcaktim nga ana e All-llahut të Plotfuqishëm dhe të Pafund.
Të renditi disa fjalë dhe rreshta mbi mualimin tim dhe tonin është nder; të shkruaj për njeriun që la gjurmë të pashlyera me veprimtarinë e tij shumëvjeçare është respekt dhe obligim njëkohësisht. Dhe, duke pasur parasysh të gjitha këto, do të mundohem të renditi në këtë tekst disa fjalë rreth këtij personaliteti. Kuptohet, duke mos mëtuar për asnjë çast se kam thënë të gjitha gjërat që mund të thuhen rreth tij, e të cilat do të rrëfehen në të ardhmen gjithsesi.
Bëhet fjalë për hoxhën e nderuar, mualimin, Jakup ef. Asipi, i ndërroi jetë tragjikisht në një fatkeqësi komunikacioni me 7 janar të këtij viti.
Ai kishte lindur në një fshat të karadakut të Kumanovës, gjegjësisht në Sllupçan, me 2 shkurt të vitit 1951. Rridhte nga një familje mesatare e cila merrej me bujqësi dhe blegtori. Erdhi në këtë botë si një rreze drite që me dekada do të shndrisë në trojet shqiptare.
Shkollimin fillor Mualimi e kreu në vendlindje, kurse atë të mesmin e vazhdoi në Damask të Sirisë, në shkollën e njohur islame “El Furkan”. Aty edhe fillon ky imam i madh të formojë një botëkuptim të ri mbi jetën dhe të mendojë më seriozisht mbi nevojën e angazhimit dhe aktivitetit më të madh në drejtim të udhëzimit të popullatës sonë dhe ringjalljes së ndjenjave fetare te të gjitha shtresat e shoqërisë.
Botëkuptimi i tij islam ishte i pasqyruar edhe me njohuri të përgjithshme të shkencave të përgjithshme. Si një nxënës mjaft i suksesshëm në shkollën e tij, ai pastaj vazhdon studimet në Universitetin e Az’harit në Egjipt, ku studion Bazat e Dinit Islam. Atje mualimi ynë thellohet edhe më shumë në detin e pafund të diturisë.  Në këtë universitet të njohur hoxha i nderuar mori baza të forta ideologjike të cilat më vonë e udhëhoqën atë drejt arritjeve të mëdha në lëmin thirrjes islame.
Pas përfundimit të studimeve, si rezultat i kërkesave të shumta, ai transferohet në qytetin Leverkuzen të Gjermanisë, ku si imam i xhamisë, prej vitit 1985 deri në vitin 1990, arriti të formojë një xhemat shumë të ngritur fetarisht, i cili do të vazhdojë me punën dhe aktivitetin islam edhe pas kthimit të hoxhës së nderuar në vendlindje.
Pas këtij qëndrimi pesëvjeçar në Gjermani, mualimi vendosi të kthehet në vendlindje dhe t’i përkushtohet me gjithë shpirt ngritjes fetare islame të popullit të vet. Kthehet si një uragan, rruga e të cilit do të zgjasë plot 15 vjet. Kthehet për të mos shkuar kurrë, për të kryer një mision të shenjtë, për të lënë gjurmë që nuk do të humben asnjë herë, për të shkruar historinë...
Ishte shëmbëlltyrë se si duhet të jetë në veprimtarinë e vet një thirrës islam, ishte busullë orientuese për shumë të rinj e të reja që kishin ngulitur në zemrat e tyre dashurinë ndaj Islamit dhe që i kishin dhënë obligim vetes rizgjimin islam të shtresave të ndryshme të shoqërisë.
Elani i tij për punë, vullneti i pashterur, gatishmëria për të sakrifikuar madje edhe atomin e fundit të energjisë në rrugën e shenjtë të thirrjes islame, ishin shembulli më i mirë për të gjithë ata që kishin marrë mbi supet e veta amanetin shumë fisnik të ngritjes shpirtërore dhe vetëdijesimit fetar islam të popullatës sonë.
Ishte një orator i pashoq, një punëtor i palodhshëm, një simbol i pathyeshëm i kauzës islame. Ligjëratat e tij që arritën shifrën disa mijëra, udhëtimet e tij që nuk njihnin pengesat e imponuara administrative, gatishmëria e tij për t’ju përgjigjur ftesës dhe nevojës për të edhe atëherë kur e rëndonte gjendja jo e mirë shëndetësore, e bënë atë një simbol të pashembullt të sakrificës dhe punës për Islam.
Zëri i tij jehoi fuqishëm në të gjitha trojet shqiptare, sepse Sllupçani, vendi i tij i lindjes, ishte shumë i vogël për të përballur një kapacitet intelektual çfarë ishte hoxhë Jakup ef. Asipi. Fjala e tij predikuese dhe udhëzimet e tij kanë depërtuar thellë në mendjet dhe zemrat e besimtarëve muslimanë në të gjitha trojet shqiptare. Këmba e tij kishte shkelur shumë qytete të Kosovës dhe Shqipërisë. Dhe krejt kjo me të vetmin qëllim: përcjelljen e Fjalës së All-llahut dhe mesazhit islam.
Ai ishte më tepër se kaq, më shumë se një hoxhë i rëndomtë, më tepër se një njeri që vetëm di të flet. Këtë e vërtetoi edhe gjatë konfliktit ushtarak të 2001, atëherë kur karadaku i Kumanovës ishte në flakë. Vepra e tij madhështore e këtyre ditëve të vështira është një epope në vete mbi të cilën do të shkruhet në të ardhmen padyshim.
Mualimi kishte vazhduar studimet postdiplomike në Bejrut të Libanit.
Me reformat që ndodhën në Myftininë e Bashkësisë Islame të Kumanovës, hoxhë Jakup ef. Asipi zgjidhet Myfti, të cilin post do ta ushtrojë deri në fund të jetës së tij.
Mualimi i nderuar dhe imami i madh, Jakup ef. Asipi, humbi jetën tragjikisht më 7 janar të vitit 2006 në fatkeqësinë e komunikacionit që ndodhi në magjistralen Shkup-Kumanovë. Lajmi mbi vdekjen e tij kumboi dhembshëm  dhe pikëllueshëm te besimtarët muslimanë anekënd trojeve shqiptare.
Familja e tij humbi anëtarin më të dashur dhe më të vyer, kurse besimtarët muslimanë humbën hoxhën, edukatorin dhe ligjëruesin e pashoq dhe të papërsëritshëm.
Kumanova humbi njeriun e madh, trojet tona humbën një përkujtues të vlerave, jeta humbi një udhëtar të denjë të saj.
Hoxhë Jakup ef. Asipi u largua nga kjo botë përgjithmonë, por mungesa e tij do të jetë vetëm fizike, sepse hija, fjalët dhe vepra e tij do të mbesin të gjalla dhe të freskëta edhe për shumë vjet, dekada e shekuj në vetëdijen dhe shpirtrat e besimtarëve në trojet shqiptare dhe më gjerë.
Lusim All-llahun Fuqiplotë që ta ketë pranuar angazhimin dhe veprën e tij në rrugën e Islamit, si dhe ta bëjë banor të Xhenneteve më të larta, në shoqëri me Pejgamberët dhe shehidët.
All-llahu na takoftë me të në Xhennet. Amin.

 

Të gjitha të drejtat i takojnë Shtëpisë Botuese "Furkan ISM" © 2007-2008