logo
 
 

 

temat

RINGJALLJA E VETËDIJES E TË QENURIT UMMET


Dr. Musa MUSAI

Muslimanët janë Ummet/popull i tubuar rreth një qendre të besimit islam, e cila si e tillë të gjithëve na bashkon dhe na bën më unikë. Por, me prejardhjet që kemi, jemi nga grupe të ndryshme etnike, me gjuhë të ndryshme, tradita dhe veçori të cilat në disa segmente më universale jemi duke i ndarë bashkërisht. Koncepti i të qenurit Ummet kryekëput bazohet në vlerat kur’anore të cilat thirren në barazi të plotë mes popujve dhe grupeve të ndryshme etnike. Koncept ky i cili arriti që, gati 15 shekuj me radhë, nga dita në ditë të rrisë e të shtojë numrin e ithtarëve që ka dhe të përhapet në të katër anët e botës, duke iu bashkangjitur nga të gjitha fiset dhe popujt këtij drejtimi islam dhe besimit në një Zot.
Nuk ka aspak dyshim në atë se Feja Islame nuk njeh kurrfarë epërsie të dikujt në baza etnike, racore, grupore, gjuhësore e të ndryshme, ngase epërsi të vetmen që njeh dhe preferon Islami është epërsia në devotshmëri dhe garimi në vepra të mira dhe drejtësi. Orientim ky i cili për vlera merr vetëm ato vepra të cilat gati bëhen të përjetshme në të mirë të njerëzimit.
Kur përdorim fjalën Ummet, në radhë të parë ka nevojë që të sqarojmë se si erdhi deri te kjo fjalë dhe cila ishte ajo gjeneratë e cila përfitoi këtë epitet. Në fakt, fjala Ummet vjen nga gjuha arabe dhe ka kuptimet: popull, shoqëri, grup njerëzish me disa veti të përbashkëta. Por, me ardhjen e Fesë Islame kjo fjalë më nuk simbolizonte vetëm kuptimin e një populli të caktuar, por simbolizonte një gjeneratë apo një shoqëri me vlera shumë të larta e të pastra islame.
Më pas ky epitet filloi të përdoret vetëm për pjesëtarët e Islamit, ndjekësit e rrugës së Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. Filloi të përdoret vetëm me konotacionin islamik, i cili i dallonte muslimanët nga popujt tjerë, në veçanti kur u shpall ajeti kur’anor në të cilin thuhej: “... ju jeni populli më i mirë në sipërfaqe të tokës që jeni paraqitur…” (Ali Imran: 110). Pas të cilit ajet muslimanët ndjeheshin shumë krenarë që janë pjesëtarë të një gjenerate e cila dinte të dallohej vetëm me vepra të mira, drejtësi, sinqeritet, besnikëri, tolerancë, respekt ndërnjerëzor etj.
Kjo ishte rruga e cila më pas do t’i lartësonte muslimanët në shkallën më të lartë të përparimit, diturisë, kulturës, civilizimit, mirëqenies, e kështu me radhë. Brenda kësaj kohe çdokush i identifikonte dhe dallonte muslimanët me cilësi përparimtare dhe me drejtësinë të cilën Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] e kishte mbjellë në zemrat e tyre.
Po nëse dikush pyet se cilat ishin ato veti të cilat muslimanët i ngritën në piedestalet më të larta të kulturës dhe civilizimit botëror, do të duhej të thuhej se e veçantë e tyre, në rend të parë, ishte besimi i sinqertë dhe i paluhatshëm në All-llahun e Madhërishëm, ishte vendosmëria për të qëndruar në vijën dhe drejtimin të cilin ua kishte dhënë vetë Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], ishte respektimi i parimeve kur’anore, ishte toleranca dhe kuptimi i lartësuar islamik për vlerat morale dhe shoqërore e humane, ishte gatishmëria e tyre për t’i shërbyer Islamit dhe muslimanëve pa kurrfarë qëllimi tjetër, pos qëllimit të një shërbimi islam ndaj popullatës islame, shërbim të cilin duhet ta kryejë çdo një individ i cili e konsideron veten musliman.
Ajo që i dalloi ata si gjeneratë më e lavdëruar ishte respektimi i të drejtës së atyre të cilët nuk ishin muslimanë, duke mos i shkurtuar dhe pakësuar të drejtat e besimit dhe adhurimit të tyre, ishte bindja e fortë e tyre që pushtetin nuk e kuptonin si ideal që do t’i sprovonte në asnjë mënyrë, për të menduar që pas vetes të lënë njerëz të familjes apo të afërm të tyre, por parimi i vetëm ishte sundimi dhe funksionaliteti i Sheriatit Islam deri në pikën e fundit. Ndërsa pas vdekjes së tyre, çështjen e udhëheqësit/kalifit ua lenin muslimanëve, se cilin nga më të mirët do ta zgjedhë vet shoqëria e cila funksiononte në bazë të parimeve kur’anore dhe të Sunnetit të Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem].
Në fakt, ata nuk ishin melekë, mirëpo ndonjëherë bënin vepra me të cilat edhe vetë melekët mahniteshin dhe u mbetej lakmi për nivelin e besimit që kishin ata, sepse ata ishin të tillë të cilët, përkundër asaj që vetë ishin në vështirësi e shqetësim, parapëlqenin të mirën e vëllait në vend të egos vetjake, e që në të vërtetë është një e përpjetë e vështirë për ta realizuar çdokush. T’i njohësh, t’u japësh përparësi vëllezërve edhe në ndjenjat e begative materiale e shpirtërore dhe të pranosh si detyrë tërheqjen pas për veten tënde, është një pengesë tjetër dhe një e përpjetë e vështirë e ngulur para njeriut. Edhe kapërcimi i kësaj pengese kushtëzohet nga të sjellurit si sahabët, pasuesit. Sikur ai pasuesi, i cili për të ngopur vëllanë e tij, e fuste lugën bosh në gojë, e që të mos kuptohej kjo, e shuante qiriun, duke e lënë dhomën në errësirë, ashtu që t’i linte të mahnitur edhe melekët në qiell para kësaj tabloje shpirtërisht të ndritshme. Për të tillët Kur’ani do të shprehet kështu:
“… Megjithëse vetë janë nevojtarë, parapëlqejnë vëllain ndaj vetes. Kush është i ruajtur prej lakmisë së vet, të tillët janë të shpëtuar.” (El Hashr: 9)
Pra, këto ishin besimi, bindjet, veprimet, qëndrimet, fryma e asaj gjenerate e cila në radhë të parë doli nga shkolla e përkryer e Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], dhe të tillët ishin ata të cilët mbollën Islamin në të katër anët e botës, me këto parime dhe me këtë bindje se, nëse je në rrugë të drejtë, All-llahu gjithmonë do jetë ndihmës dhe përkrahës yti.
Pastaj erdhi një periudhë në të cilën nuk ngeli asgjë nga gjurmët e një morali, veprimi dhe bindje të këtillë islame. Ishte një kohë kur këto vlera, me fajin ose jo të muslimanëve, u nëpërkëmbën aq rëndë, sa që edhe në vetë vendet më të shenjta islame u derdh gjaku i muslimanëve. U vranë fëmijë, gra, pleq, vetëm sepse dikush kishte harruar porositë e fundit të Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], të cilët ai pa ndërprerë i përsëriste, duke thënë: “Nuk do ta humbni rrugën e drejtë, derisa do të keni burime kryesore të veprimeve të juaja Kur’anin famëlartë dhe Sunnetin tim”.
Është karakteristik rasti i një reformatori të madh që kishin muslimanët në fund të shekullit 19 dhe fillim të shekullit 20, veprimtar ky i dalluar në drejtim të ngritjes së vetëdijes së muslimanëve dhe përkushtues i Islamit. Është ky Muhammed Ikballi, dijetar, mendimtar, poet, reformator muslimanë nga Pakistani. Një vit, kur ishin kthyer haxhinjtë e Pakistanit prej kryerjes së haxhxhit, e kishin vizituar Muhammed Ikballin dhe i kishin sjellë me vete disa dhurata në veshje, tesbih, kapela, hurma dhe dhurata tjera. Ikballi mbetet i kënaqur dhe ju falënderohet atyre për respektin e treguar. Mirëpo, nuk mund të qëndronte dot i qetë pa iu thënë disa fjalë, duke iu drejtuar atyre kështu:
“Rrofshi e qofshi o vëllezër. Ju falënderoj për dhuratat që më keni sjellë. Por, këto dhurata që na keni sjellë një ditë do të harxhohen, do të përfundojnë këto hurma, do të vjetrohen teshat, tesbihët, kapelat. Eh, sikur prej atje të na kishit sjellë diçka nga besnikëria dhe shërbimi i Ebu Bekrit [radijall-llahu anhu], nga drejtësia dhe ligji i Omerit [radijall-llahu anhu], nga butësia dhe shpirtmirësia e Othmanit [radijall-llahu anhu], nga dituria dhe xhihadi i Aliut [radijall-llahu anhu], atëherë me siguri do ta kishim rindërtuar që nga fillimi Pakistanin. Besnikëria e Ebu Bekrit, drejtësia e Omerit, butësia dhe turpi i Othmanit dhe dituria-xhihadi i Aliut [radijall-llahu anhum]… Këta, në çdo periudhë, janë gurët themeltarë të cilët kërkohen në rindërtimin e një shteti, në lartësimin dhe kultivimin e një shpirti drejt Islamit, në edukimin e një gjenerate të formuar me baza të shëndosha fetare. Çdo njeri i cili është në gjendje që të bartë me vete gjurmët e secilit nga shokët e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], ka mundësi që periudhën e lumturisë ta bëjë që të jetë aktuale dhe prezent deri në Ditën e Kijametit te çdo një popull.
Ajo gjeneratë, të cilën e edukoi dhe e formuloi vetë Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], ishte gjenerata e sahabëve… të cilët në çdo kohë ishin prej atyre që tentonin të jenë të njëjtë në bazë të vetive me Resulullahin. Të tillët ishin ata që çdo një ngjyrë të Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], çdo gjurmë të tij, dëshironin ta kenë në veten e tyre. Kjo ishte gjenerata e cila kultivoi dhe ngriti veten brenda kritereve të Sunnetit të Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], që diplomoi në xhaminë e tij dhe edukuesi kryesor i të cilëve ishte vetë i Dërguari i All-llahut.
Dhe, secila gjeneratë që ngrihet në bazë të këtyre kritereve dhe parimeve, padyshim që është pjesë e Ummetit të cilin All-llahu Fuqiplotë e lavdëron në Kur’anin Fisnik, kurse pjesëtarët e kësaj gjenerate kanë dhënë provimin e të qenurit pjesëtar të Ummetit të Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem].
Kjo në fakt na jep shpresë edhe neve për një ardhmëri më të lavdishme nga kjo që kemi sot, nëse me vete bartim ndjenjën e shëndoshë islame me besnikërinë e Ebu Bekrit, me drejtësinë e Omerit, me mençurinë dhe butësinë e Othmanit dhe me diturinë dhe xhihadin e Aliut. Pra, shpresa dhe rruga e vetme, e cila mund të na shpie drejt një periudhe më të lavdishme për muslimanët, është parimi i të qenurit në përputhshmëri me të gjitha vlerat e larta islame nga koha e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe shokëve të tij.
Të bëhemi një gjeneratë e thurur dhe e gatuar nga brumi i Kur’anit Fisnik dhe Sunnetit të Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. Të tubojmë forcë dhe të bëhemi të guximshëm për të jetuar me Islamin si fé.
Të jesh pjesë e Ummetit të Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], do të thotë që ta fshish nga koka pengesën kohë, kufi, mundësi, ashtu siç e bënë këtë shokët e tij, sahabët besnikë. Thuhet se në haxhxhin e fundit ata kanë qenë 124 mijë njerëz, ndërsa në Medine, në varrezat e quajtura Bekije, janë vetëm 10 mijë nga ata. A thua vallë nuk duhet pyetur veten se ku janë të tjerët? A thua edhe ata nuk kanë pasur mundësinë të qëndrojnë afër shtëpive të tyre dhe të vdesin aty? Po, ata e kanë pasur atë mundësi, por për vete kanë zgjedhur xhihadin, shërbimin në emër të Islamit, i janë përgjigjur kërkesave dhe piskamave të nevojtarëve për jetë dhe civilizim islam. Nëse thellohesh në këtë mentalitet, të tmerron se vetëm 7 % e tyre janë në Medine, kurse të tjerët kanë thyer dimensionet dhe kufijtë gjeografik për ta përhapur Islamin dhe Sunnetin e Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. Nëse sot i kërkon disa nga ata, do t’i gjesh në Siri, sikur që janë Ebu Ubejdët, Bilalët, Muadh ibën Xhebelat, Halid ibën Velidat, Ebu Derdaatë, ndërsa disa në Turqi, si Ebu Ejjub el Ensarijtë, Halid ibën Zejdët, disa në Kadisijje, sikur Ibn Ummi Mektum, disa në Uhud, sikur Hamzanë, disa nga ata në Bedër, disa në Oqeanin e Qetë, e disa në Kinë, vende këto ku ke mundësinë të shohësh gradën e shehidllëkut të tyre.
Krejt këto janë fakte të gjalla dhe mundësi për të parë secili prej nesh rrugën të cilën duhet ndjekur me qëllim të ndierjes dhe përjetimit të ndjenjës së të qenurit pjesëtarë i Ummetit të Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem].
Nëse do të duhej që në pika të shkurtra të prezantonim disa nga cilësitë që atë gjeneratë e kanë sjellë në shkallën e Ummetit më të zgjedhur dhe më të lavdëruar tek All-llahu, do të mund të thonim se: Ata ishin njerëz të cilët e fshinë të kaluarën e tyre nga të menduarit, zemrat dhe jetërat e tyre, si dhe hodhën nga vetja çdo gjë që nuk përputhej me parimet islame. Ata ishin ata të cilët, kur kuptuan mirësinë dhe kënaqësinë e të qenurit musliman, për hirë të kësaj kënaqësie dhe mburrjeje shkrinë vetveten dhe hapën degët me të cilat dita ditës përforconin lidhjen e tyre me Islamin.
Shkurt thënë, ne kemi nevojë për një Ummet i cili do të ketë fytyrën më të bardhë se bora, një Ummet në të cilin të gjitha punët do t’i ngjajnë besnikërisë së Ebu Bekrit dhe drejtësisë së Omerit. Ummet i cili për bujari dhe bamirësi do jetë sikur dielli, i ngrohtë dhe i butë sikur vetë Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], i bukur dhe i pajisur me cilësi të bukura e të larta sikur trëndafili, në mëshirë i gjerë dhe zemërhapur, të cilit nuk do t’ia gjesh shokun, tolerues dhe optimist për ardhmërinë e tij.
Ummet i cili, për të kuptuar dhe për të mësuar Islamin, do jetë i gatshëm që t’iu përballojë të gjitha vështirësive; Ummet i cili nuk do të dorëzohet pas asnjë disfate, pavarësisht e cilës kategori qoftë ajo; Ummet i cili do qëndrojë me mburrje dhe krenari në çdo kohë dhe çdo vend; Ummet i cili Islamin, me mësimet dhe me edukatën që ofron, do t’ia prezantojë mbarë botës; Ummet i cili nuk do të dorëzohet para të gjitha zullumeve dhe padrejtësive të cilat i bëhen, sepse muslimanët në kohën e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] përjetuan mundime dhe tortura edhe më të mëdha, por në fund fitorja u takoi atyre, e jo atyre që bënë zullum e padrejtësi.
Në këtë drejtim, këshilla ime e fundit do të ishte që mos ta humbim kohën tonë me ndjekje dhe biseda të kota rreth telenovelave të ndryshme të huaja që na servohen, por më tepër të lexojmë e mësojmë mbi ato personalitete të shquara islame të cilat dhanë kontribut të madh në drejtim të ngritjes së flamurit islam në të katër anët e botës. Sepse ata mundësuan dhe ndihmuan që ky shkëlqim të arrijë dhe të depërtojë në zemrat e çdo shoqërie në botë. Këto janë mundësitë dhe solucionet e vetme për të siguruar një ringjallje të vetëdijes islame në mesin e muslimanëve të shekullit në të cilin jemi duke jetuar.
All-llahu na ndihmoftë në këtë drejtim dhe qoftë Ndihmuesi ynë kryesor në lidhje me përhapjen e kulturës së pastër islame dhe vlerave të larta që ka kjo Fé e All-llahut. Gjithashtu, All-llahu na bëftë të jemi pjesë e Ummetit me të cilin do të mburret Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] në Ditën e Gjykimit.

 

Të gjitha të drejtat i takojnë Shtëpisë Botuese "Furkan ISM" © 2007-2008