logo
 
 

 

temat

EDUKATA DHE VIRTYTET MORALE

Hasan El-Basriu

Për mua më e dashur është që ta ndihmoj vëllain nga feja atëherë kur t’i duhet ndihmë, se sa të rri në xhami një muaj të tërë duke bërë ibadet. Dorëdhënia, falja dhe durimi janë virtyte të njeriut me edukatë të mirë.
Njerëzia shikohet në sinqeritetin e njeriut, ofrimin e ndihmës vëllezërve nga feja, bërja e punëve të mira dhe largimi i brengave nga fqiu.
Po të donte All-llahu i Madhërishëm, të gjithëve do t’ju bënte të pasur apo të varfër. Megjithatë, Ai deshti që t’ju sprovojë, prandaj disa i bëri të pasur, e disa i la të varfër, por të gjithëve rrugën e të mirave ua tregoj kur tha: “… edhe sikur të kishin vetë nevojë për të, ata u jepnin përparësi atyre para vetvetes. Kush është i ruajtur prej lakmisë së vet, të tillët janë të shpëtuar.” (El-Hashr: 9)
Njeriu fisnik nxiton të bëjë të mira sa më parë, kurse i prishuri e zgjat me vlerësimin e të mirave dhe ik prej tyre.
Nuk është i drejtë ai që kërkon ta respektosh, kurse nuk të ofron ndihmën e vet.
Ne i kemi konsideruar si njerëz koprracë të gjitha ata që donin t’i jepnin borxh vëllait të vet në fé, sepse ne ndihmoheshim mes vete. Vëllai për vëllanë dëshironte më tepër se për vete. Pasha All-llahun, shikoja se si muslimani e ndan veshjen e vet për t’i ndihmuar atij që nuk kishte çka të veshë. Kurse tjetri do të agjëronte një ditë, dhe kur vinte koha e iftarit, do të shkonte te vëllai i vet në fé dhe i thoshte: “Sot kam agjëruar në emër të All-llahut të Madhërishëm! Dua që edhe ti të kesh hise në veprën time të mirë, andaj më ofro diçka me çka do ta kisha përfunduar këtë agjërim!” dhe ai do t’ia jepte një gotë ujë apo një grusht hurma, ashtu që All-llahu t’i japë edhe atij shpërblim sikurse agjëruesit.
Mbaj mend kohën kur njeriu kujdesej për familjen e vëllait të vet dyzet vjet pasi të vdes ai. Mbaj mend kohën kur njerëzit urdhëronin familjet e tyre që mos të refuzojnë askë të nevojshëm (për ndihmë) dhe mos ta lënë të dëshpëruar.
Nuk është mëkat të hahet dhe pihet në shtëpinë e mikut edhe para se ai të të ofrojë personalisht. Njeriu do të pyetet për gjithçka që harxhon, madje edhe për harxhimet që ka bërë për prindërit e vet. Nuk do të pyetet vetëm për atë që ka harxhuar për vëllanë e vet të fesë dhe për nënshtrimet tjera ndaj All-llahut të Madhërishëm, sepse All-llahu i Madhërishëm turpërohet që ta pyesë për atë që ai ka harxhuar për atë qëllim.
Nuk është e njerëzishme që njeriu të fitojë prej vëllait të vet. Ruaju prej atij i cili ta bart fjalën e huaj, sepse edhe tjetrit do t’ia bart fjalët tua.
O njeri, o njeri! Ke kujdes për veprat tuaja. Dhe përsëri: Ke kujdes për veprat tuaja!
Shiko se në çfarë gjendje do ta takosh Krijuesin dhe Zotin tënd!
Bamirësit njihen sipas: sinqeritetit në të folur, ruajtjes së amanetit, përmbushjes së obligimeve, mosshtirjes, vizitës së të afërmve, mëshirës ndaj të dobtëve, kryerjes së punëve të mira, edukatës dhe sjelljes së mirë, begatisë me butësi, përhapjes së diturisë, shoqërimit dhe qëndrimit sa më të rrallë me gratë.
Ruaju nga ndalesat e All-llahut, do të jesh i devotshëm!
Bëhu i kënaqur me atë që të ka dhënë All-llahu, do të jesh i pasur!
Bëhu fqi i mirë, do të jesh besimtar!
Dëshiroja njerëzve atë që e don për vete, do të jesh i drejtë!
Mos qesh shumë sepse kjo vdes zemrën tënde dhe tërë trupin!
O njerëz, ju nuk do ta arrini atë që dëshironi përderisa i kënaqni epshet e trupit, kurse nuk do t’i realizoni shpresat e juaja përderisa nuk duroni gjatë fatkeqësive.
Durimi është thesari i Xhennetit. Njeriu arrin çdo të mirë nëse bën durim vetëm për një moment. Kush arrin gradën e kënaqësisë, nuk i nevojitet furnizim tjetër. Kush është i kënaqur, do të durojë të gjitha sprovimet.
Në prani të Hasanit u grindën dy persona, e njëri prej tyre e ofendoi rëndë tjetrin. Duke fshirë djersët nga balli, i ofenduari citoi fjalët e All-llahut të Madhërishëm: “Kush bën durim dhe fal, s’ka dyshim se ajo është virtyti më i lartë (i lavdishëm).” (Esh-Shura: 43)
Atëherë Hasani tha: “Sa i mençur është, për All-llahun, në kohën kur të paditurit shkatërrojnë! O njerëz, ose ju do të zbukuroheni me durim, ose do të shkatërroheni!”
Dikush duke e nënçmuar e shau Ebu Dherrin [radijall-llahu anhu], e ai u përgjigj: “Ndërmjet meje dhe Xhehennemit ekziston pengesë, të cilën nëse e mposhti jam më i mirë se sa thua ti, e nëse nuk mund ta kaloj, por në Xhehennem fundosem, atëherë me të vërtetë jam më i keq se sa ke thënë”. O njeri, duro, sepse ti shkon tek Ai i cili: … di për shikimin me cep të syve, e edhe për atë që e fshehin në zemra.” (Gafir: 19)
Dikush e shau dikë, e ai tha: “Po mos të dëgjonte All-llahu i Madhërishëm, unë do ta kisha kthyer”.
Janë dy durime: durimi në fatkeqësi dhe durimi nga mëkatimi. Kush duron atëherë, me të vërtetë është i durueshëm. Me të vërtetë për All-llahun e Madhërishëm më e dashur është ajo gllënjkë që njeriu e pin si ngushëllim dhe durim të mirë atëherë kur e kaplon fatkeqësia e dhembshme, si dhe gllënjka e hidhërimit të cilën e gëlltit duke bërë të mirë, duke falur dhe duke shprehur butësi.
O njeri! Asnjëherë nuk mund të bashkosh besimin dhe mosbesimin. Si do të jesh besimtar kur fqiu yt nuk është i qetë prej teje?! E çfarë muslimani do të jesh nëse prej teje nuk janë të qetë edhe të tjerët?! A nuk ka thënë i Dërguari [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: “Nuk ka besim ai tek i cili nuk besohet, e as fé tek ai cili nuk përmbush premtimet”. Ai gjithashtu ka thënë: “Nuk është besimtar ai nga e keqja e të cilit ka frikë fqiu i tij”.
O njeri! Nuk ke iman të vërtetë përderisa të tjerëve u gjen të meta, e as vet nuk je pa to. Prandaj, së pari mënjanoje të metën tënde, e lëri të tjerët dhe të metat e tyre. Por, dije se asnjëherë nuk do të mundesh t’i mënjanosh të gjitha të metat tuaja, prandaj më me rëndësi është që t’u përkushtohesh atyre dhe të merresh me to. Nëse dëshiron të jesh i drejtë, atëherë mos hulumto të metat e huaja, kështu që edhe për All-llahun do të jesh i dashur.
O njeri! Sa i dobët dhe i pakujdesshëm që je! Të tjerëve ua gjen mëkatet, kurse mëkatet tuaja i anashkalon dhe harron. Në syrin e vëllait tënd sheh fijen e kashtës, kurse në syrin tënd nuk sheh as trarin. Sa e vockël është drejtësia jote, e sa e madhe është padrejtësia jote!
I Dërguari [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Bamirësit në këtë botë do të jenë bamirës edhe në atë botë. Sepse atyre All-llahu i Madhërishëm do t’ua falë mëkatet për shkak të mirave që i kanë bërë për krijesat e Tij. Ditën e Gjykimit do t’u thuhet: ‘Të mirat e juaja dhuronia kujt të doni, sepse u janë falur veprat e juaja të këqija’. Dhe ata veprat e veta do t’i dhurojnë dhe ashtu prap do të bëhen bamirës”.
Dorëlirësia dhe sinqeriteti janë cilësitë më të mira. Mbaj mend njerëzit të cilët në dinarët dhe derhemët e vet nuk kanë marrë më tepër të drejtë sesa vëllai i tyre në fe. Ç’është me ju, o njerëz: jeni koprracë në atë për çka do të pyeteni dhe për çka do të duhet të jepni llogari!? Nuk ka fé ai i cili nuk ka njerëzi.
Kush mban drithin dyzet ditë, duke pritur që t’i hip çmimi, nuk do të mund të shpëtojë nga mëkati edhe sikur ai pastaj vet ta bluan, të gatuajë bukë dhe të varfërit me të t’i ushqejë. Nuk qëndron bukuria e fqinjësisë në mënjanimin e fatkeqësive nga fqiu, por në durimin ndaj fatkeqësive.
All-llahu i Madhërishëm do të ruajë nga shejtani dhe Xhehennemi njeriun tek i cili gjenden këto katër cilësi: përmbajtja gjatë frikës, nxitimit, hidhërimit dhe lakmisë.
Dituria është më e mirë se trashëgimia, edukata është fytyra më e pastër, devotshmëria është furnizmi më i sigurt, ibadeti është fitimi më i mirë, arsyeja është prijësi më i mirë, sjellja e bukur është shoku më i mirë, butësia është ndihmësi më i mirë, kënaqësia është pasuria më e madhe, ndihma e All-llahut është ndihma më e mirë, kurse përkujtimi i vdekjes është ligjëruesi më i mirë.
Mos u bë sikur ai që mbledh diturinë e dijetarëvë dhe urtësinë e të urtëve, kurse ndaj të Vërtetës sillet si i marrë. All-llahu do futë në Xhennet dhe do të mbulojë me mëshirë atë njeri i cili është i mirë ndaj prindërve, i mëshirshëm ndaj të nënshtruarve, i kujdesshëm ndaj jetimit dhe mbrojtës i të pambrojturve.
I Dërguari [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:
“Janë dy lloj diturishë: dituria në zemër, dhe ajo që është e dobishme, dhe dituria në gjuhë, e cila, në të vërtetë, është argument i All-llahut të Madhërishëm kundër njeriut”.
Lakmia shkatërron fenë më shpejt se përhapja e kruarjes nëpër trup. Besimtari i mençur dhe mendjemprehtë shton frikën e vet nga dënimi i All-llahut sa herë që All-llahu i Madhërishëm ia shton të mirat. Besimtari është punëtori më i madh dhe ai i frikohet vetëm All-llahut. Edhe po të harxhonte në rrugë të All-llahut ar sa kodra e Uhudit, nuk do të ishte i sigurt se ka shpëtuar. Ai e përsërit këtë gjithnjë përderisa të mos bindet në shpëtim: “Asnjëherë, me të vërtetë asnjëherë, nuk do të shpëtoj!”
Kurse dyfytyrëshi thotë: “A pak ka njerëz tjerë në botë! Çfarë janë mëkatet e mia ndaj të atyre?! All-llahu është i mëshirshëm dhe falë shumë, andaj edhe mua do të më falë”.
O njeri, përse flet ashtu?
Vepron punë të këqija duke u mashtruar me shpresa të kota për falje (nga All-llahu i Madhërishëm).
Kush ka edukatë të keqe, ai ka dënuar vetveten.
Pasuria e kujt është e madhe, edhe mëkatet i ka të mëdha.
Kush flet shumë, shpesh gabon.
Po mos të ishte dituria, njerëzit do të ishin njëjtë sikur kafshët.
Omer ibn El-Hattabi [radijall-llahu anhu] thoshte: “Gjatë takimit me vëllain tënd në fé jep i pari selam, thirre me emrin më të dashur për të dhe bëri vend në ndejë, e kjo do ta shtojë dashurinë ndaj tij”. Parardhësit e juaj ishin shembull për edukatë të mirë. Merrni mësim, All-llahu ju mëshiroftë!
Mos u bëni çikërrimtarë, e që All-llahu të jetë çikërrimtar ndaj jush! Mallkimi i All-llahut është mbi njeriun çikërrimtar, si dhe mbi atë që është çikërrimtar ndaj çikërrimtarit!
Ç’është kjo me ne! Njëri-tjetrin e takojmë dhe themi: “Neve dhe juve All-llahu na i faltë mëkatet, dhe le ta bëjë Xhennetin vendbanim tonin!” Por posa të vijnë në shprehje dinarët dhe derhemët gjithçka do të ndryshohet plotësisht. Mjerë për ju! Paraardhësit e juaj nuk ishin njerëz të tillë. Përse nuk i merrni ata si shembull, sikur që edhe ju është urdhëruar?!
O njerëz, ç’është me ne?! Kur jemi në bollëk, jemi të afërt dhe të dashur për njëri-tjetrin, kurse sapo të vëhemi në sprovë, e harrojmë njëri-tjetrin. Nuk kanë qenë të tillë shokët e të Dërguarit të All-llahut, Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem].
O Zot, mos e bër që ne të veprojmë ndryshe! O vëlla, ke kujdes se ç’do flasish! A nuk është thënë se më së miri është që gjuha gjithmonë të jetë e lidhur. I Dërguari [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “… vallë do të jenë njerëzit të hudhur në Xhehennem për diçka tjetër, përveç se për të folurit të mëkatshëm?!”
Njeriu i mençur gjuhën e ka mbrapa zemrës, e kur dëshiron të thotë diçka, ai së pari mendon mirë. Nëse ajo do të jetë e dobishme, atëherë e thotë, në të kundërtën, hesht. Kurse i padituri zemrën e ka mbrapa gjuhës. Ai flet saherë që dëshiron, pa menduar aspak.
I Dërguari [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Pasuesit e mi do të hynë në Xhennet me mëshirën e All-llahut, pastërtinë e zemrës dhe për shkak të mëshirës të cilën e kanë ndjerë ndaj të gjithë muslimnaëve, e nuk do të hyjnë në Xhennet vetëm për shkak të namazit dhe agjërimit”.
Është thënë se thirrësi, kur do të bëhet Dita e Gjykimit, do të thërrasë: “Le të ngritet tani ai për të cilin All-llahu i Madhërishëm mori obligim se do ta shpërblejë prej Vetes!” Dhe atëherë do të ngritet vetëm ai i cili i ka dalur në ndihmë vëllait të vet atëherë kur ai ka pasur nevojë për të, apo ai i cili vëllait të vet ia ka falur padrejtësinë e bërë, apo ai i cili vëllait të vet i ka dhuruar ndonjë dhunti me të cilën All-llahu e ka begatuar.
Njeriu i mençur nuk shpaguan armiqësinë e një njeriu për dashurinë e njëmijë të tjerëve. Kush e bën këtë, do të humb gjithçka dhe do të mbetet pa asgjë.
Madhështia e fisnikut është edukata e tij, kurse devotshmëria e sinqertë prejardhja e tij.
Kush fajëson vëllain e vet për shkak të mëkatit për të cilin ai është penduar tek All-llahu i Madhërishëm, nuk do të vdesë përderisa po me atë mëkat nuk sprovohet.
Pyetjes së Rebia ibn Subhasë, se dhjetë rekatet namaz të cilat ai i falte rregullisht pas farzit të jacisë a janë sunnet apo nafile, Hasani u përgjigj: “Nuk janë sunnet, sepse po të ishin sunnet, muslimani nuk do t’i kishte lënë. Por, o biri i vëllait tim, në sjellje të mirë të muslimanit dhe plotësinë e fesë së tij hyn edhe kjo: kur ta mësojë veten në bërjen e ndonjë vepre të mirë, edhe atë rregullisht, apo të mësohet për ndonjë ibadet ndaj All-llahut të Madhërishëm, është e nevojshme që të jetë i qëndrueshëm në të tërë kohën.
Në Teurat është regjistruar: “Pasuria e vërtetë është në kënaqësinë, shpëtimi në vetminë, shëndeti në hudhjen e lakmisë, qetësia në mospasjen e dëshirave, kurse kënaqësia e vërtetë është në amshueshmërinë e cila përfitohet me durim gjatë kësaj jete të shkurtër”.
O njerëz, zbukuronu me cilësitë të cilat i rekomandon All-llahu i Madhërishëm dhe keni kujdes në dispozitat e Tij, ashtu që do të jeni miq të All-llahut. Askujt përveç Sulejmanit [alejhis-selam] nuk i është dhënë asnjë dhunti për të cilën nuk do të përgjigjet. Sulejmanit [alejhis-selam] i është thënë: “Ky është shpërblimi Ynë, e ti dhuro ose mos dhuro, për këtë nuk do të përgjigjesh.” (Sad: 39)
Kush është i sigurt për kompensimin, nuk shtrëngohet në dhënie. Njeriu asnjëherë nuk e ka vazhduar shpresën, e mos ta ketë prishur veprën. O njeri, ti je i përbërë prej pjesëve. Dhe gjithmonë kur të kalojë një ditë, shkon edhe një pjesë e jotja.
All-llahu i Madhërishëm e mëshiroftë Ibn Mes’udin, i cili sikur t’ju kishte pasur para syve ka thënë: “Zahidi juaj (ai i cili është i përmbajtur nga të mirat e kësaj bote) është, në të vërtetë, i dhënë pas kësaj bote, muxhahidi juaj (luftëtari në rrugë të All-llahut) është i pakujdesshëm, kurse alimi juaj (dijetari) është i paditur i vërtetë”. Kush i frikohet vetëm All-llahut të Madhërishëm, Ai bën që atij t’i frikohet gjithçka tjetër. E kush i frikohet botës, All-llahu i Madhërishëm bën që ai t’i frikohet gjithçkahit dhe gjithkujt.
Omer ibn Hattabi [radijall-llahu anhu] ka thënë: “Shoqërohuni dhe shmangiuni shoqërimit”, gjegjësisht, bëhuni shokë në punët e mira, kurse shmangiuni njerëzve në punët e këqija. Muslimani ka obligim ndaj muslimanit: t’i ndihmojë bamirësit, t’i përgjigjet atij që e thërret, të kërkojë falje për mëkatarët dhe ta udhëzojë në të vërtetë atë që kërkon të vërtetën.
Kush vëllait të vet musliman ia largon një të keqe, do t’i falen mëkatet e tij (më të vogla) të mëhershme. Transmetohet se All-llahu i Madhërishëm i ka thënë Ademit [alejhis-selam]: “O Adem, në katër gjëra është përmbledhur gjithçka që ka të bëjë me ty dhe pasardhësit tu. Njëra prej tyre është për Mua, njëra është për ty, njëra është ndërmjet Meje dhe teje, kurse njëra ndërmjet teje dhe botës. E Imja është: që vetëm Mua të më adhurosh dhe mos të konsiderosh askë të barabartë me Mua. E jotja është: të punosh, e Unë do të shpërblej atë Ditë kur shpërblimi Im do të të jetë më i nevojshëm. Ndërmjet Meje dhe teje është: ti bën dua, e Mua më mbetet ta pranoj atë. Kurse ndërmjet teje dhe botës është: miqësohu dhe shoqërohu me njerëzit rreth asaj për të cilën dëshiron që ata të shoqërohen me ty”.
Të kuptuarit është sikur ena në të cilën ruhet dituria. Dituria shpie kah vepra, kurse vepra shpie tek e mira. Epshi shpie në mëkat. Pasuria është sëmundje e kryelartëve. Kjo botë është treg ku blihet bota tjetër.
Mjerë, dhe përsëri mjerë, për atë i cili të mirat e All-llahut të Madhërishëm i harxhon në të bërit mëkat ndaj Tij!
O njeri! Besimi nuk përbëhet në atë që para botës të tregohesh besimtar, kurse mashtrohesh me dëshira të kota. Besim i vërtetë është ai i cili është gëdhendur thellë në zemër dhe të cilin e vërtetojnë veprat e mira të njeriut. Kur Hasani kuptoi për vdekjen e Davud Et-Taijut, deklaroi:
“All-llahu ia faltë mëkatet! Pasha All-llahun, ishte sikur shëndeti, vlerën e të cilit e kuptojmë vetëm atëherë kur ta humbim”.
Kërkoni diturinë - që të kuptoni fenë. Merruni me mjekësi - që të njihni trupin. Njoftohuni me shkencat gramatikore - që të folurit e juaj të jetë  i drejtë.
Kush këndon Kur’anin gabimisht, gënjen për All-llahun e Madhërishëm. Në Kur’an qëndron kështu: “… ai është një libër ngadhënjyes (i pashoq). Atij nuk mund t’i mvishet e pavërteta nga asnjë anë; është i zbritur prej të Urtit, të Lavdishmit.” (Fussilet: 41-42)
Të kënduarit e gabuar të Kur’anit është e barabartë me gënjeshtrën më të madhe. Mos u bë kryelartë, nuk do të jeshë i nënçmuar. Mos i lut njerëzve, nuk do të pakësohet, kurse do të mbetesh njeri. Nëse nuk je i butë, tregohu i butë. Nëse nuk din, përpiqu të mësosh. Njeriu kryesisht është i tillë me të cilin krahasohet. Njeri i përsosur është ai tek i cili gjenden këto katër cilësi: besimi që e udhëzon, mendja që e udhëheq, prejardhja fisnike e cila e ruan dhe turpi që ia mbron dinjitetin. Ndërsa te kush gjendet së paku një prej këtyre, ai te populli i vet është në mesin e të zgjedhurve.
Kujt do t’i ankohet muslimani, nëse jo vëllait musliman?! Sepse, kë e shqetëson ajo që e shqetëson atë, nëse jo vëllaun e tij nga feja?!
Muslimani është pasqyre për muslimanin: përmes tij ai sheh të metat dhe gabimet e veta.
Para jush, kur muslimani takonte vëllain e vet, i thoshte: “Vëllai im, unë nuk mundem të gjitha mëkatet e mia as t’i di e as t’i shohë. Prandaj, nëse sheh diçka të mirë, më urdhëro ta bëj, kurse më pengo nga e keqja!”
Omer ibn Hattabi [radijall-llahu anhu] thoshte: “All-llahu e mëshiroftë secilin që na tregon për veprat tona të këqija!” Ata që ishin para jush kanë pranuar këshilla nga njëri-tjetri dhe ashtu janë ndihmuar mes vete. Besimtarët janë një: kur besimtarin e godet ndonjë brengë, kjo edhe besimtarët tjerë i brengosë; kur besimtari gëzohet, edhe besimtarët tjerë gëzohen. Ti prej mikut dhe shokut tënd ke hise nga shoqërimi me të, andaj zgjedhja vetes shokun dhe mikun e vërtetë. Kurse për shoqërinë e keqe do të jeshë i pyetur! O njeri, bëhu shumë i kujdesshëm, sepse njeriu shpesh merr ushqimin i cili nuk i është lejuar, gjendet aty ku nuk e ka vendin dhe rrin me shoqëri që e ndryshon, dhe kështu, pak nga pak, ik feja e tij dhe ai këtë as që e ndjen.
Shenjë se dikush kërkon dituri në emër të All-llahut të Madhërishëm është përultësia, devotshmëria dhe modestia e tij.
Përpiquni që të merrni pjesë në xhenazet, sepse aty është shpërblimi i atij që është i durueshëm në atë që e ka goditur, i atij që falë xhenazen dhe i atij që e përgatit të vdekurin. Kush pret derisa i vdekuri të varroset, do t’i falen shtatëdhjetë mëkate të mëdha.
O njerëz, ruajuni nga zvarritja në punë, sepse kam dëgjuar nga një njeri i mirë se si thotë: “Ne nuk duam të vdesim para se të pendohemi, kurse vdesim pa u penduar”.
Para marrjes së ushqimit ka dymbëdhjetë cilësi të mira, prej të cilave katër janë obligim, katër sunnet dhe katër janë cilësi të pëlqyeshme. Obligime janë: të thuhet Bismil-lahir-rahmanir-rahim (Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit), të konsiderohet ushqimi i mirë, të kënaqurit me atë që është dhe të falënderuarit për atë dhunti. Sunnete janë: të ulurit në këmbën e djathtë, të ngrënit para vetes, të ngrënit me tre gishta dhe lëpirja e gishtave. Kurse cilësi të pëlqyeshme janë: larja e duarve para dhe pas ushqimit, të zvogëluarit e kafshatës, përtypja e mirë e ushqimit dhe të mos shikohet në fytyrat e të pranishmive gjatë ngrënies.
Gjëja më e vlefshme është fitimi në mënyrë të lejuar sipas sheriatit dhe vëllai nga feja i cili, nëse merresh vesh me të për punët e kësaj bote, bindesh në rregullsinë e mendimit të tij, e nëse me të merresh vesh për çështjet e fesë, bindesh se është njohës i vërtetë në këtë.
Njeriu mund të jetë i dijshëm, e mos të jetë i devotshëm, kurse mund të jetë i devotshëm, e mos të jetë i dijshëm. Megjithatë, Muslim ibn Jesari ishte edhe i devotshëm, edhe i dijshëm e i mençur.
Sa i mrekullueshëm ishte Bekr ibn Abdullahu! E dëgjova me një rast se si urdhëronte për të qenë i butë dhe si nxiste për falje duke thënë: “O njerëz, shuane hidhërimin tuaj duke përkujtuar zjarrin e Xhehennemit!” Kurse Ebu Derdai thoshte: “Derisa është i hidhëruar, njeriu është më së afërmi hidhërimit të All-llahut”.
Kush zbukurohet me mend, ka shpëtuar nga shkatërrimi. Vepro mirë me njerëzit, sepse qëndrimi me ta është i shkurtër. Dy gjëra asnjëherë nuk mund të jenë bashkë: kënaqësia dhe lakmia. Dy gjëra asnjëherë nuk ndahen: kryelartësia dhe urrejtja. Njeriu zotëron me mendjen, dorëlirësinë dhe butësinë. Mos shko tek askush, përveç tek ai për të mirën e të cilit shpreson, nga pushteti i të cilit nuk frikohesh, bekimin e të cilit e pret dhe me diturinë e të cilit do të mund të zbukurohesh.

 

Të gjitha të drejtat i takojnë Shtëpisë Botuese "Furkan ISM" © 2007-2008