logo
 
 

 

temat

INTEGRIMI I MUSLIMANËVE NË BE
- qasje gjenerale -

Mr. Bashkim ALIU

PROLOG

Zhvillimi i paparë deri më tani i mjeteve të komunikimit, ashtu që botën e shndërruan, siç thuhet, në “fshat të vogël” apo “fshat global”, dhe ndërthurja e interesave të njerëzve, dinamika e jetës, lëvizjet gjithnjë e më të mëdha të njerëzve dhe vendosja e tyre në vende të ndryshme, i thyen paradigmat e shoqërive të izoluara dhe mbylljes së njeriut në lëvoren e tij si formë mbrojtëse nga ndikimet e jashtme. Së këndejmi, sot kemi shoqëri multikulturore dhe multinacionale, e jo shoqëri homogjene në kuptim të përkatësisë nacionale dhe fetare. Për këtë, që të mund të kemi një rrjedhë normale të proceseve shoqërore dhe zhvillimeve të gjithmbarshme ekonomike, politike, kulturore, sociale etj., lypset pasur një qëndrim integrist e jo izolues ndaj shoqërisë, unifikues e jo shpërndarës dhe pozitiv normalizues e jo negativ frustrues ndaj komuniteteve të ndryshme nacionale dhe kulturore që e ndërtojnë shoqërinë përkatëse. Do të thotë, komunikimi, mirëkuptimi dhe sinqeriteti janë elemente që duhet instaluar në mendësinë e njeriut të kohës së sotme. Përndryshe, si do të shprehet edhe mendimtari i shquar gjerman Jyrgen Habermas, nga mos komunikimi, keqkuptimi dhe moskuptimi, lindin konflikte. “Spiralja e dhunës fillon me një spirale të komunikimit të çoroditur, e cila përmes spirales së mosbesimit të papërmbajtur e të ndërsjellë çon në ndërprerjen e komunikimit”.1 Kjo na jep të drejtë të konstatojmë se integrimi është i pashmangshëm për një jetë solide shoqërore, politike, ekonomike dhe kulturore. Pra, asnjë shoqëri apo shtet nuk mund të llogarisë për një zhvillim gjithëpërfshirës nëse ua kthen shpinën procese integruese, përcaktimit integrues dhe vënies së integrimit për qëllim të vet strategjik.    
Trendet aktuale botërore flasin qartë se integrimi paraqet realitet të pamohueshëm dhe përcaktim parimor e prioritet të shoqërive bashkëkohore dhe filozofisë politike të qarqeve vendimmarrëse, si në planin kombëtar po ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Politika globale ecë shtigjeve të promovimit të vlerave dhe forcave me orientime prointegrative dhe margjinalizimit të elementeve me orientime dezintegruese dhe frymë izolacioniste.
Në këtë prizëm duhet shikuar edhe integrimin e muslimanëve në shoqëritë ku jetojnë, në veçanti në kontinentin e Evropës, gjegjësisht në vendet e Bashkimit Evropian, marrë parasysh prezencën e tyre të konsiderueshme në këto vende dhe ndikimin gjithnjë e më të theksuar të vendeve të BE-së në arenën ndërkombëtare, si në planin ekonomik, po ashtu edhe në atë politik, social, kulturor etj.

Nocioni integrim
Përkitazi me nocionin “integrim” apo “integrim evropian” nuk është dhënë ndonjë definicion i caktuar unik, por definicionet e njohësve të kësaj lëmie kanë ndryshuar varësisht prej lëmisë në të cilën diskutohet çështja e integrimit, gjegjësisht a bëhet fjalë për integrim ekonomik, politik, kulturor etj.
Për këtë, në vazhdim do të mundohemi ta përafrojmë këtë nocion, për ta kuptuar më mirë edhe çështjen e integrimit të muslimanëve.
Në fjalorin e Gjuhës së sotme shqipe, folja “integroj” është sqaruar si vijon: “Lidh pjesët ose anët e diçkaje në një të tërë si pjesë përbërëse e të pandarë të saj”.2
Nisur nga kompleksiviteti i definimit të nocionit “integrim” apo “integrim evropian”, mund të thuhet se, shikuar në përgjithësi, bazament i integrimit është krijimi i lidhjeve më të ngushta kulturore, ekonomike dhe politike në mes shteteve, gjegjësisht “Integrimi Evropian” është “nocion i cili nënkupton ndërtim të unitetit në mes shteteve dhe popujve evropian. Në BE ky nocion është shprehje e bashkimit të resurseve nacionale të shteteve dhe marrje e një varg vendimeve në mënyrë kolektive”. 3
Sipas Michael Hodges, integrimi është “krijim i sistemeve të reja politike nga ato sisteme që deri tani kanë qenë të ndara”. 4
Sipas Blerim Rekës, ekspert i së drejtës evropiane, me nocionin integrim rajonal nënkuptohet lidhja e dy a më shumë shteteve të një rajoni të caktuar në një formë institucionale.5

Integrimi i muslimanëve
Pas asaj që përmendëm për nocionin “integrim”, mund të konstatojmë se edhe për integrimin e muslimanëve nuk ka ndonjë definicion përmbledhës të caktuar, por si zakonisht përmes definicioneve përkitazi me nocionin “integrim” përshkruhet procesi i integrimit duke u nënvizuar disa veçori kryesore të tij.
Kështu, integrimi i muslimanëve në BE nënkupton inkuadrimin aktiv të muslimanëve në jetën shoqërore, politike, ekonomike etj., si në dhe institucionet evropiane, duke i konsideruar këto institucione të tyre dhe si të tilla duhet të mirëmbahen dhe zhvillohen në frymën e multikulturalizmit.
Në këtë mënyrë ata do të tregojnë se i takojnë asaj shoqërie dhe ajo u takon atyre, dhe se ata nuk kanë vend tjetër ku do të jetojnë dhe do të kontribuojnë aktivisht. Ata nuk do të izolohen prej shoqërisë dhe nuk do të jenë larg rrjedhave shoqërore, nuk do të jenë të mbyllur në kornizat e të drejtave dhe veprimtarisë fetare, por do të lënë gjurmë në zhvillimin e përgjithshëm të shoqërisë evropiane.6
Thënë shkurt, integrimi i muslimanëve aludon në përpjekjet e muslimanëve për të ndikuar në segmente të ndryshme të realitetit evropian, duke vënë theks në atë që është e lidhur për ata si bashkësi fetare, gjegjësisht realizimin e të drejtave dhe lirive të tyre kulturore.7
Çështja e integrimit të muslimanëve në BE nuk është pyetje e vullnetit të mirë, por detyrë nga realizimi i së cilës varet ajo se muslimanët evropianë a do të jenë subjekt aktiv në rrjedhat e Unionit. Integrimi është proces i cili rrjedh dhe varet shumë nga muslimanët si komunitet se a do të arrijnë të inkuadrohen aktivisht në rrjedhat integruese dhe të kenë rol të dukshëm në institucionet e Unionit.
Islami nuk është pengesë për integrimin e muslimanëve në BE, por në frymë të pasimeve dhe natyrës së tij është ndërtuar korniza integruese dhe orientimi integrues i muslimanëve, që në thelb nënkupton rolin aktiv të muslimanëve në të gjitha segmentet e jetës.
Në këtë drejtim, funksion fundamental ka koncipimi i BE jo vetëm si Union i shteteve, por edhe i qytetarëve. Po ashtu, nënvizimi i të drejtave dhe lirive të njeriut, me theks të veçantë të drejtat e pakicave kulturore, hap horizonte të gjëra të integrimit të komuniteteve të ndryshme kulturore.
Së këndejmi, zhvillimi i të drejtave të njeriut dhe proceseve demokratike në vendet e BE-së, nga njëra anë, dhe Islami me kornizën e tij ideore për qëndrimin ndaj të ndryshmit dhe dialogun me tjerët, nga ana tjetër, ndikojnë dukshëm dhe kënaqshëm në integrimin e muslimanëve në BE.  
Krahas postulateve parimore integriste të konceptit Islam mbi besimtarin dhe raportit të tij me komunitetet tjera, e qëndrimit të tij pozitiv ndaj të ndryshmit dhe tjetrit, orientime konkrete integriste mund të eksploatojmë edhe nga historia e muslimanëve të Ballkanit.
Kështu, shteti osman ka qenë një shembull i rëndësishëm i integrimit të tjerëve në shoqërinë islame, që flet qartë se mbështetet nga koncepti integrist i kësaj feje, si për tjerët në shoqërinë islame, ashtu edhe për muslimanët në shoqëritë tjera, duke i pasur parasysh çdo herë parimet bazë të botëkuptimit islam për besimin dhe jetën. Kështu, në shtetin osman, “secila nga bashkësitë fetare... gëzonte të drejtën që të ushtronte besimin e saj. Akoma më e veçantë ishte e drejta që bashkësitë kishin për të pasur institucionet e tyre përfaqësuese, të drejtuara nga udhëheqësit e tyre fetarë, të cilët organizonin shkollimin dhe jetën shoqërore, sipas traditave, duke zbatuar ligjet e tyre, me kushtin që ato të mos binin në kundërshtim me ligjet bazë të perandorisë. Sigurisht, muslimanët kontrollonin fuqinë politike dhe atë ushtarake, por dhe jomuslimanët kishin nën kontroll një pjesë të mirë të ekonomisë, çka bënte që jo rrallë edhe ata të luanin një rol jo të vogël në jetën politike të Perandorisë Otomane”.8
Një shembull që mund të përdoret në këtë kontekst është edhe angazhimi i mbretit Zog në Shqipëri ndërmjet dy luftërave botërore, që të riformatohej roli dhe funksioni i bashkësive fetare në Shqipëri. Kështu, “ndër detyrat kryesore në të cilat angazhohej bashkësia muslimane në bazë të statuteve ishin, çka vlen të theksohet, ato të inkurajimit të muslimanëve për t’iu konformuar qytetërimit modern dhe të ndihmesës për të zhvilluar vëllazërimin kombëtar ndërmjet shqiptarëve të çdo besimi”.9

Ndërmjet integrimit dhe shkrirjes
Për mos të mbetur borxh në këtë qasje të përgjithësuar koncize rreth problemit të integrimit të muslimanëve në BE, duhet shënuar edhe një çështje që kërkon qasje dhe trajtim shumë më të zgjeruar dhe më analitik se sa kaq, gjegjësisht dallimit ndërmjet integrimit dhe shkrirjes.
Kur flas për integrimin e muslimanëve, synoj komunitetin musliman me veçoritë e tyre kulturore dhe thesarin madhor fetar, gjegjësisht bëj identifikimin e tyre me identitetin fetar, që nënkupton se nuk vjen në shprehje heqja dorë nga ndonjë parim bazë të pandryshueshëm në favor të integrimit.
Integrimi nuk është shkrirje, sepse shkrirja nënkupton humbjen e identitetit, ndërkaq integrimi nënkupton luftën për identitet dhe ideale. Për këtë, kur flasim për integrimin e muslimanëve, kemi për qëllim kyçjen e tyre në rrjedhat shoqërore duke u mbajtur për parimet e tyre fetare, e jo duke i lënë apo shkelur mbi to.
Nisur nga ndarja e dispozitave në të drejtën islame, gjegjësisht dispozita unanime të prera dhe diskutabile jo të prera, mund të flasim për diskutim rreth ndonjë dispozite në frymë të burimeve fetare që i takon fushës së dytë, ndërkaq parimet bazë janë të paprekshme.

LITERATURA E KONSULTUAR:

БОЈЧЕВ, Душан. (2007). Европска Унија Лексикон. Скопје: МИ-АН.
REKA, Blerim dhe IBRAHIMI, Arta. (2004). Studime evropiane. Тетоvë: Universiteti i EJL.
HABERMAS, Jurgen. (2006). Perëndimi i përçarë. Shkup: Asdreni.
HODGES, Michael. (ed) (1972). ‘Introduction’, in European Integration. London: Penguin.
LEWIS, Bernard. (2004). Ku është gabuar? Islami, Perëndimi dhe Moderniteti. Tiranë: Shtëpia e Librit dhe e Komunikimit.
ROKA, Roberto Moroco dela. (1994). Kombësia dhe feja në Shqipëri 1920-1944. Tiranë: Elena Gjika.
SHAKER, Hosam. (2007). Muslims of Europe and their Political Participation. Brussels: European Council for Fatwa and Research.

Fusnotat:

1 Jurgen Habermas, Perëndimi i përçarë, f. 23-24.
2 Fjalor i gjuhës së sotme shqipe, f. 724.
3 Душан Бојчев, Европска Унија Лексикон, стр. 79.
4 Michael Hodges, ‘Introduction’, in European Integration, p. 13.
5 Blerim Reka & Arta Ibrahimi, Studime Evropiane, f. 41.
6 Hosam Shaker, Muslims of Europe and their Political Participation, 17-18.
7 Ibid., p. 222.
8 Bernard Lewis, Ku është gabuar? Islami, Perëndimi dhe moderniteti, f. 60
9 Roberto Moroco dela Roka, Kombësia dhe feja në Shqipëri 1920-1944, f. 33.

Të gjitha të drejtat i takojnë Shtëpisë Botuese "Furkan ISM" © 2007-2008