logo
 
 

 

temat

RASTI I FUNDIT

Xhunaid SAVI

Që nga fëmijëria kam urrejtur vendet e ngushta… nga vendet e tilla ndjeja ngulfatje… prandaj ikja dhe ende iki prej tyre… largohem sa më shumë me frikë dhe dridhem nga vështirësitë… Kur u rrita e dija se ajo është sëmundje psikike, por nuk mundesha të shërohem dhe të lirohem.
Tani po hy në një vend, por me dhunë… dhe pa vullnetin tim.
Më mbështollën dhe më vunë në një tabut të gjatë dhe të ngushtë… i dëgjoja mirë zërat rreth meje… i kisha sytë e mbyllur, por në një farë mënyre mund t’i shihja… bërtitinin:
“O i mjeri ai… vdiq në lulen e rinisë… kishte shumë shpresa dhe punë të mëdha të cilat nuk i mbaroi dhe plotësoi”.
Me të vërtetë kisha shumë gjëra dhe punë të ndryshme të cilat ishin të pakryera dhe më pritnin që t’i përfundoj… për shembull, nuk arrita që t’i hap një lokal të mirë birit tim… nuk pagova këstet e fundit për veturën dhe kolor televizorin… shpresa ime për të themeluar një ndërmarrje të madhe, ku do t’i tuboj të gjith miqtë e mi, është iluzion i largët… edhe pse dimri ishte në prag, unë megjithatë akoma nuk kisha blerë as qymyr e as dru për t’u ngrohur… nuk ndreqa as vendet prej nga rridhte ujë nga tavani.
Përderisa të gjitha gjërat që më mbetën të pakryera dhe presin që t’i mbaroj i shfletoja në trurin tim, më befasoi zëri i cili cingërroi në veshin tim… zë prej të cilit trembej shpirti im… shkoi deri në thellësi të trurit tim dhe atje përsëritej jehona e tij… dëgjohej sikur nga megafoni:
“U krye dhe të kaloi koha!”
Me keqardhje i thashë vetes:
“Ah, sikur të mos ishte kryer dhe sikur koha të mos kishte kaluar”.
Nuk di se si më ndoshi ai aksident… si ndodhi kur unë vozis mirë… kur u mundova që tërë këtë që më ndodhi ta mbledh në trurin tim, ndjeva se si miqtë e mi më rrethuan dhe mundohen ta mbulojnë tabutin në të cilin rrija i shtrirë pa lëvizur fare… U mundova të bërtas me tërë fuqinë që kisha dhe të ngrihem nga vendi im që t’i pengoj… por nuk ia arrita, e as që mundesha… nuk munda të bëj kurrfarë lëvizje, e as që munda të shqiptoj një fjalë të vetme.
Nuk kaloi shumë kohë, dhe u gjeta në një errësirë të madhe… shikoja nëpër çarjet nëpër të cilat hynte dritë e pakët… me frikë që nuk mund të shprehet i thashë vetvetes:
“O Zoti im! Ç’farë do të ndodhë tani me mua? Ç’farë të bëj?”
Nga frika as që mund të mendoja.
Pastaj jam bartur në supe… filluan të ecin ngadalë dhe tabuti pak u dridh.
Qartë e kisha sipas zërave që arrinin tek unë nga jashtë se po binte shi… tingulli i pikës së shiut përzihej me tingullin e goditjes së kësaj pike mbi dru.
Padyshim se janë në rrugë për në xhami për të falur xhenazen.
Kur më ra ndërmend xhamia, mu kujtua se edhe pse ishte afër shtëpisë sime… edhe përskaj thirrjes prej saj që përsëritej pesë herë në ditë për namaz, prapseprapë nuk gjeta kohë që të shkoj në të… por kisha vendosur që të filloj me namazin kur të mbushi pesëdhjetë vjet… secili e dinte këtë.
Ua përsëritja këtë gjithnjë shokëve të mi… vërtetë kisha ndërmend të filloj të falem… kisha vendosur të braktisi veset e mia të këqija për të cilat shumica ankoheshin.
Po… po!... ah sikur të mos ishte ky aksident… do të isha në ardhmëri njeri i mirë… ah sikur të mos ishte ky aksident. Edhe për herë të dytë deri te veshi im arriti ai zë të cilit nuk ja dija burimin:
“U krye dhe të kaloi koha!”
Kaloi pak kohë, dhe prap u barta në supe… atëherë sigurisht ka përfunduar namazi i xhenazes… Kur kaluam përskaj kafiterisë në vendin tim, dëgjova qeshjet e shokëve me të cilët për çdo ditë luaja letra… padyshim ata nuk kanë dëgjuar lajmin mbi vdekjen time.
Kur zërat u larguan dhe u qetësuan, ndjeva se isha në pozitë të pjerrtë, ata vërtetë ngjiteshin kah varrezat… ndjeva se çefini ishte lagur në më tepër vende prej shiut që kishte hyrë përmes plasaritjeve të tabutit… sepse shiu kishte filluar të bie më fortë…
Të dëgjuarit tim ishte drejtuar kah zërat që vinin nga jashtë… disa shokë të mi bisedonin mes vete mbi stagnimin e tregtisë… të tjerët e lavdëronin suksesin e reprezentacionit shtetëror në ndeshjen e fundit… kurse njëri nga ata që e mbante tabutin i pëshpëriti në vesh shokut të vet:
“Shiko se në ç’farë dite ka zgjedhur të vdes shoku ynë!... Gjithmonë sjellja në jetë i ka qenë e mbrapshtë, vërtet u lagëm e u bëmë qullë nga koka e deri te thembrat”.
Ka këtu ndonjë gabim padyshim… nuk ka dyshim se kjo që po dëgjoj nuk është e vërtetë… a është e mundur që kështu të flasin shokët e mi për të cilët jam sakrifikuar disa herë?
Disa çaste pas kësaj arritëm te varri… e lëshuan tabutin dhe e vendosën në tokë… ia larguan kapakun… duart u shtrinë kah trupi im i vdekur, e ngritën dhe filluan ta lëshojnë në gropë, në fundin e së cilës ishte mbledhur pak ujë.
Nga vendi në të cilin isha shtrirë u mundova të shoh ç’farë gjendet rreth meje… O Zot… ç’farë unë po bëj këtu? A nuk është ky varr?
Pse deri më tani nuk më kishte rënë ndërmend se do të hyj në të? Pse për këtë nuk kisha menduar më parë?... Askush nuk po dëgjon piskamën time të cilën po mundohem ta lëshoj… askush.
Shokët e mi filluan të hedhin dhé mbi mua… sikur bënin gara në këtë… përsëri mbeta vet në errësirë… në një errësirë të madhe.
Gjatë dobësisë që e ndjeva… nga thellësia e zemrës fillova të bëj lutjen:
“O Zot! O Zot, a ekziston për mua edhe një rast? Ma jep rastin e fundit… unë në çdo gjë do të dëgjoj urdhërat Tua… do të jem robi Yt ashtu siç Ti dëshiron… do të jem ashtu siç Ti dëshiron, që të ma bësh varrin kopsht prej kopshteve të Xhennetit… o Zot!”
Ai zë përsëri shumë fortë tingëlloi në veshët e mi:
“U krye dhe të kaloi koha!”
Dëgjoja tingullin e dheut që binte mbi dërrasat që më mbulonin… çdo goditje jehonte si tingull i murmurimës… i gjithë trupi më dridhej nga frika.
Me tentimin e fundit dëshprues që të lëvizi nga vendi im… i hapa sytë… isha në shtratin tim të butë në dhomën time… ishte ky një ankth shumë i tmerrshëm i natës… ishte këtu pranë meje shoku im mjek, i cili mundohej që të më zgjojë nga ky ankth me klithma shqetësuese… u krye dhe kaloi… shiko… ti je mirë… ishte ky vetëm një ankth i natës… u krye dhe kaloi.
Ngadalë u drejtova në shtratin tim… i gjithë trupi më ishte kapluar me djersë… ndjeva sikur përnjëherë dhe shumë të kem humbur në peshë… jashtë binte shumë shi… shtëpia dridhej nga zëri i murmurimës.
Para shumë shikimeve të drejtuara kah unë me habi dhe kureshtje, u mundova të mbledh forcat… pëshpërita në vete me zë të butë… të falem Ty, o Zot!
Të falemnderit sa ka qeliza në trupin tim… ma dhurove rastin e fundit që të jem rob i mirë… Të falënderoj dhe të jam falënderues, o Zoti im!

 

Të gjitha të drejtat i takojnë Shtëpisë Botuese "Furkan ISM" © 2007-2008