logo
 
 

 

temat

NËSE NJË DITË DO TË (RI)ZGJOHEMI!

Namir Lapardhaja

Gjatë gjithë dekadës së fundit, është bërë modë në ambientet dhe mjediset e muslimanëve që të krenohen me të kaluarën e brezave të mëparshëm. Breza, që për një periudhë disashekullore udhëhoqën botën, i siguruan asaj harmoni dhe paqe, prosperitet dhe zhvillim shkencor e kulturor.
Lulëzoi në kohën e tyre arti, filozofia, mjekësia, letërsia e shkenca të tjera. Befas, pas një periudhe të gjatë që ky qytetërim ishte në pararojë të zhvillimeve njerëzore (fuqia më e madhe ushtarake, kulturore dhe ekonomike), mbeti pas i dominuar krejtësisht nga Perëndimi.
Fatkeqësisht, sot muslimanët këtë fakt (mbetjen pas dhe dominimin e Perëndimit) e harrojnë dhe vazhdojnë me ëndërrime e iluzione për një të shkuar të lavdishme. Fakti që vazhdojmë të mburremi me atë që kemi qenë dikur, është një tregues i qartë se e tashmja jonë është e errët.
Lavdia e dikurshme e Islamit, i bën sot muslimanët të hedhin sytë plotë nostalgji nga e kaluara e tyre dhe e harrojnë se bota të sheh sesi je, jo si ke qenë dikur!
Por, nëse edhe ne do të merremi me të kaluarën tonë, nuk do të bëjmë gjë tjetër vetëm se do të biem në të njëjtin gabim, gabim, të cilin duhet të mundohemi, të gjithë, ta korrigjojmë dhe t’i japim një rrugëzgjidhje, ose të paktën ta vëmë në dukje, duke shpresuar që kjo (vënia në dukje) të jetë hapi i parë drejt diagnostikimit.
Me të drejtë një prej mendimtarëve të shquar islam thotë: “Nëse do të kisha mundësi, do ta fshija atë të kaluar të lavdishme të muslimanëve, në mënyrë që të mundohemi për një të tashme të tillë”, ose ai që ka thënë: “Islami është nëpër libra, ndërsa muslimanët nëpër varre”.
E me gjithë numrin e madh të atyre që janë në detin e ëndërrimeve, ka dhe prej tyre që kanë filluar të mendojnë seriozisht për një rrugëzgjidhje dhe rrugëdalje nga prapambetja e mbetja mbrapa në shkencë.
Zgjidhja, sipas meje, aq sa është e lehtë teorikisht, aq është praktikisht e vështirë.
Sot, më shumë se kurrë, Ummeti Musliman ka nevojë për (Ri)zgjimin Islam. (Ri)zgjim, ky, që do ta orientojë Ummetin kah anija dhe bregdeti i shpëtimit.
Le të hedhim, për një moment, vëmendjen nga Evropa Mesjetare. Për një periudhë, relativisht të gjatë, ajo ishte në errësirë dhe prapambetje të plotë. Evropës do t’i duhej një periudhë e gjatë derisa t’i vinin iluministët (nga lat. iluminare - ndriçoj mendjen), të cilët do të bënin kalimin nga Mesjeta e errët në Rilindjen e zhvillimit të gjithçkaje. Madje, ishin iluministët ata që përgatitën “shpirtërisht” dhe teorikisht Revolucionin Francez, i cili do të mbahet si datimi i një epoke të re për Evropën dhe zhvillimin e saj.
Përse e përmenda këtë fakt?! E përmenda për arsyen e thjeshtë: Nëse një ditë do të (ri)zgjohemi, ky (ri)zgjim duhet të fillojë, patjetër, nga dituria, dmth kërkimi i saj, dhe shkenca, për vetë faktin, sepse praktikat botërore e kanë vërtetuar një gjë të tillë.
Është vetëm dituria dhe zhvillimi i shkencës nga ana jonë (e muslimanëve) që do të na bëjë të mundur futjen tonë në “fushën e lojës”, në alternativat botërore, të cilat i serviren sot njerëzimit.
Është e rëndësishme që ta dimë, se njerëzit do të na ndjekin dhe do t’i përgjigjen thirrjes sonë vetëm nëse ne do të jemi të aftë të ecim me hapat dhe ritmet e kohës.
Dituria... shpesh mendojmë dhe flasim për të. Mundohemi ta përkufizojmë dhe t’i vëmë caqe dhe kufij, si për të arsyetuar, kështu, paaftësinë tonë për një dije të gjithanshme dhe gjithëpërfshirëse.
Le të shtrojmë pyetjen e thjeshtë: ne si musliman dhe si pjesëtar të kësaj shoqërie, cili është raporti ynë me dijen dhe sa jemi të preokupuar ne për të...?
Mos ne jemi prej atyre që i arritën majat në dituri (?), apo jemi prej atyre që largohen prej saj gjithmonë e më shumë dhe pasiviteti për të shtohet dita-ditës.
Fatkeqësisht, duhet ta pranojmë realitetin edhe pse është kundra nesh. Kur flasim për dituri, duhet të kuptojmë me të çdo fushë të shkencës dhe dijes.
Në një ajet kur’anor Zoti thotë: “... dhe në të (Kur’an) bëmë shembull për çdo gjë.” Muslimanët e harruan këtë ajet kur’anor, në të cilin All-llahu na bën të ditur se Kurani i përfshin të gjitha llojet e dijes dhe nxit për to.
Të gjithë e dimë se ajeti i parë, i cili i zbriti profetit Muhamed në shpellën Hira, ishte “Ikra-lexo”, ajet ky mbi të cilin u ngrit Shpallja Hyjnore, që do të thotë, mbi të u ngrit e gjithë feja. Pse ky ajet dhe jo ndonjë tjetër? Sepse vetëm me anë të leximit, studimit, dijes, njerëzit do të arrinin të njihnin fenë, vetëm me anë të dijes njerëzit do mund të njihnin ligjet dhe rregullat e këtij Universi, vetëm me anë të dijes njerëzit do të mund të njihnin atë që është më kryesorja, Krijuesin e këtij Universi, pra, All-llahun e Madhëruar. Këto dhe argumente të tjera (që janë të shumtë) e bëjnë muslimanin të kthehet nga dija dhe shkenca.
Më mirëkuptoni që për një moment edhe unë ta hedh vështrimin nga e kaluara jonë, por këtë do ta bëj për këto arsye: Së pari, e kaluara duhet të na shërbejë si mësim për zhvillimin tonë (... dhe në historitë e tyre ka mësim për ju - Kur’an) dhe jo thjeshtë të mburremi dhe vetëm kaq, dhe së dyti, po argumentoj mendimin tim se duhet të bëhemi si kemi qenë dikur, në mënyrë që të “mburremi” me të tashmen tonë dhe që brezave pasardhës t’u lëmë një pikëmbështetje, të afërt, nga e cila do të orientohen. Po t’i hedhim një vështrim Mesjetës së hershme, kur Evropa në tërësi ishte në errësirë dhe në buzën e humnerës së pashmangshme, do të shohim se muslimanët - paraardhësit tanë, ishin krejt e kundërta e tyre. Në këtë kohë vendet muslimane (me qendër Andaluzinë - Spanjën e sotme) ishin në kulmin e lulëzimit të tyre.
Në kohën kur Kisha i digjte shkencëtarët vetëm pse pohonin faktin e rrumbullakësisë së Tokës, muslimanët kishin arritur majat në çdo fushë: arte, shkencë, kulturë, filozofi, letërsi, mjekësi etj. Si për të zbatuar kështu thënien Profetike: “Kërkimi i diturisë është detyrë për çdo musliman dhe myslimane”. Dua ta them se muslimanët e Mesjetës kanë qenë shembull për çdo gjë dhe në çdo gjë, duket se ata kanë zbatuar bindshëm maksimën kur’anore: “Thuaj: a janë të njëjtë ata që dinë me ata që nuk dinë?!”
Kur dikush thoshte në Mesjetë: “Do bëhemi si dikush”, patjetër që thoshte do bëhemi si myslimanët. Po ne, sot kur themi do bëhemi si dikush, çfarë themi? Patjetër, do bëhemi si jomuslimanët. Sepse, fatkeqësisht, sot nuk kemi shembuj të gjallë nga muslimanët te të cilët do të orientohemi. Sot del detyrë për të gjithë muslimanët dhe muslimanet që të shkëlqejnë në fushat e dijes që kanë kapur dhe të japin kontributin e tyre, qoftë edhe modest, në promovimin e vlerave islame në jetën e tyre. Pas gjithë këtyre që thamë, lind si domosdoshmëri krijimi dhe formimi i një elite intelektuale, e cila do të çojë përpara procesin e zhvillimit mendor dhe shpirtëror të muslimanëve. Do te jetë kjo elitë, e formësuar, e cila do ta drejtojë (Ri)zgjimin Islam në rrugë të drejtë dhe të mesme, larg ekstremizmit.
Ekstremizmi është fenomen i dëmshëm në (Ri)zgjimin Islam, sepse ai synon mbylljen e rrugëve dhe dyerve të dialogut me palën tjetër. Ai është i dëmshëm, edhe për faktin, se nuk do të lejojë përhapjen e këtij (Ri)zgjimi anekënd Botës, por, do të krijojë barriera ndarëse me të tjerët që nuk mendojnë dhe veprojnë si ne. Sepse historia ka dëshmuar, kur muslimanët kanë qenë tolerant, kjo ka ndodhur gjithmonë, ata kanë triumfuar. Arsye të tjera të triumfit janë: e para, është Vullneti i All-llahut që ky (ri)zgjim të ketë triumf, e dyta, thjeshtësia e doktrinës Islame dhe e treta, është dështimi i kurtheve të armiqve të këtij (ri)zgjimi.
Duhet të jemi të sigurt se (Ri)zgjimi Islam do të jetë një proces historik i pashmangshëm, nëse do të jemi prej atyre që do të zhvillohemi në shkencë, dituri, arte, filozofi, letërsi, mjekësi etj.
Hassan Hathout, një prej mendimtarëve bashkëkohor islam, shkruan disa fjalë të arta në librin e tij Leximi i mendjes së muslimanit: “Qytetërimi islam lulëzoi sepse kanë ekzistuar ata që besojnë se të kërkosh dituri, të shkëlqesh në shkencë dhe të krijosh qytetërim është detyrë fetare - ibadet”.
Së fundi, po e mbyll me ajetin kur’anor të cilin të gjithë duhet ta kemi të gdhendur në mendjet dhe zemrat tona: “All-llahu nuk do ta ndryshojë gjendjen e një populli (për mirë), derisa ata (populli) ta ndryshojnë atë për mirë.”
Sfida është e hapur dhe ka filluar. Historia do të na gjykojë për çka do veprojmë!
Le të shpresojmë që Zoti do të na ndihmojë!

 

Të gjitha të drejtat i takojnë Shtëpisë Botuese "Furkan ISM" © 2007-2008