logo
 
 

 

temat

PARAKUSHTET PËR THEMELIMIN E NJË BIZNESI TË SUKSESSHËM

Dr. Nexhbi VESELI

Lidhur me këtë temë parashtrohen disa pyetje: Cilat janë parakushtet për themelim të një biznesi të suksesshëm? Çka përfshijnë parakushtet ekonomike? Si bëhet ponderimi dhe sistematizimi i parakushteve ekonomike? Çka bën pjesë në parakushtet shoqërore? etj.
Pyetjeve të lartëpërmendura do të përpiqemi t’u përgjigjemi duke analizuar përvojën e deritanishme të themelimit të firmave, kyçjen e individëve apo grupeve në biznes, si dhe mossuksesin dhe falimentimin e një numri të konsiderueshëm të firmave të posa themeluara te ne dhe më gjërë.
Andaj e pashë të arsyeshme që të bëj një elaborim të shkurtër sa u përket parakushteve themelore që duhet plotësuar me rastin e themelimit të kompanisë ose ndonjë biznesi tjetër.
Pra, për themelim dhe afarizëm të suksesshëm në treg të çfarëdolloj biznesi rëndësi të veçantë kanë parakushtet ekonomike dhe shoqërore. Fillimisht do t’i prezentojmë parakushtet ekonomike e pastaj ato shoqërore, që i konsiderojmë edhe si parakushte apo faktorë të pakontrollueshëm nga ana e organizatës, pasiqë ajo nuk ka ndikim mbi ato, por të cilëve ndoshta edhe më lehtë iu përshtatemi

Parakushtet ekonomike
Midis parakushteve të shumta për themelimin dhe afarizmin e suksesshëm të kompanive do të përmendim disa prej tyre:

1. Parakushtet e jashtme ekonomike, ku bëjnë pjesë:
a. kërkesat e tregut dhe
b. afërsia e resurseve të nevojshme.

2. Parakushtet e brendshme ekonomike, ku si më të rëndësishme janë:
a.   lënda e afarizmit të kompanisë,
b.   kapitali i nevojshëm,
c.   kuadrot në disponim,
ç.   mjetet për punë,
d.   lënda e punës,
dh. madhësia dhe
e.   lokacioni i firmës.

Kërkesat e tregut
Për çdo firmë afariste kërkesat e tregut janë pikësynimi kryesor i tyre, kusht i parë dhe orientimi i përhershëm në lëminë e veprimtarisë së saj. Në këto kushte manaxheri bashkëkohor shikon nga një kënd i veçantë: duke i respektuar kërkesat e ditës dhe preferuar për nevojat e ardhshme të tregut. Kuptimi i qëndrimit të tillë ndikon në zhvillimin e konkurrencës, në kënaqjen e nevojave të tashme dhe mundëson për të qenë inicues i parë për nevojat e ardhshme të konsumatorëve.
Nëse për shembull në vend të një produkti të ngjashëm tregut i ofrohet një produkt tjetër i modifikuar ose i ri, më funksional dhe më i përsosur se ai i mëparshmi, atëherë tregun duhet anticipuar e jo ndjekur. Prandaj në treg depërtime të mëdha bëjnë inovatorët dhe përcjellësit e tyre.

Afërsia e resurseve të nevojshme
Me afërsinë e resurseve të nevojshme nuk nënkuptojmë vetëm sasitë e volitshme që disponojnë tregjet lokale, regjionale apo nacionale, por mundësitë për afrimin e resurseve edhe në rrethana ndërkombëtare. Në ekonominë bashkëkohore të tregut të botës së civilizuar dhe të zhvilluar, ku ekziston lëvizja e lirë e njerëzve, e kapitalit, e ideve, etj. (veçanërisht brenda sistemeve të zvilluara ekonomike në botë), ajo mundësi dita-ditës rritet dhe zgjërohet. Kompanitë e SHBA-ve dhe të vendeve të zhvilluara evropiane punësojnë me miliona njerëz nga vendet jo mjaft të zhvilluara botërore, kurse kompanitë e vendeve në zhvillim ose jo mjaft të zhvilluara furnizohen me mjete dhe teknologji të lartë nga vendet e zhvilluara. Afërsinë e resurseve të nevojshme e pengojnë hapësirat e ndryshme gjeogarafike, masat restriktive të politikës ekonomike (doganat, kontigjentet, ndalesat për import dhe eksport) dhe rastet e ndryshme të politikës ndërkombëtare (ngrirja ose ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike dhe ekonomike, embargoja, rreziku nga lufta, luftërat etj). Çdonjëri nga problemet e lartpërmendura është pengesë serioze për funksionimin normal ose të pandërprerë të kompanive të cilat varen nga ato resurse dhe vjen në pyetje ekzistimi dhe funksionimi i suksesshëm i atyre kompanive.

Lënda e afarizmit - veprimtaria e kompanive
Zgjedhja e lëndës së afarizmit të kompanisë është e lidhur ngushtë me nevojat e lartpërmendura të tregut. Biznesmeni i vërtetë nuk zgjedh lëndën e afarizmit sipas dëshirës së vet, por në bazë të parashikimeve për plasman më të madh dhe më të volitshëm të prodhimeve të veta. Nëse në një treg ka shumë prodhues apo tregtarë të konfeksionit, të kalkulatorëve, të biçikletave, të teknikës së bardhë, etj., do të ishte e rrugës që ai të themelojë firmë për shërbime deficitare, si psh.: për larjen e dritareve, pastrimin e banesave, për shpërngulje, për shitblerje, etj. Varësisht nga qëllueshmëria ose zgjedhja e gabuar e lëndës së afarizmit (veprimtarisë), çdo firmë mund të jetë edhe e suksesshme edhe të falimentojë.

Kapitali i nevojshëm monetar
Varësisht nga lënda dhe gjerësia e planifikuar e veprimtarisë së kompanive, afaristit - pronarit i nevojitet një sasi e kapitalit për angazhimin fillestar të fuqisë punëtore, mjeteve për punë, lëndës së punës dhe shërbimeve të huaja. Në mungesë të sasisë së duhur të kapitalit pronësor është e nevojshme që të angazhohet edhe kapital i huajtur (duke ofruar aksione, duke kontraktuar kredi, duke pranuar akontacione prej blerësve, duke shfrytëzuar burime të ndryshme etj.). Në mungesë të kapitalit vjen në pyetje kontinuiteti i procesit të prodhimit, mosshfrytëzimi i kapaciteteve dhe, në raste më të vështira, edhe vetë funksionimi dhe ekzistimi i kompanisë.

Kuadri disponues
Duke i shfrytëzuar metodat për seleksionim profesional (kurse në një afat tjetër edhe metodat e orientimit profesional), pronari angazhon një numër të nevojshëm bashkëpunëtorësh, manaxherësh, profesionalistë dhe punëtorë për kryerjen e punëve të duhura për nevojat e kompanisë. Si bartës dhe kryes të obligimeve të saj të përgjithshme, ata detyrimisht ndikojnë në organizimin, udhëheqjen dhe rezultatin afarist, si me cilësinë e tyre dhe sjelljen profesionale ndaj punës, ashtu edhe me motivimin e treguar në punë. Pa marrë parasysh zhvillimin e pandërprerë të teknologjisë dhe paraqitjen e mjeteve të reja për punë, kuadrot edhe më tej janë faktorë primarë të prodhimtarisë, si inicues, udhëheqës, koordinues dhe shfrytëzues i faktorëve tjerë. Prandaj është shumë me rëndësi për kompaninë që gjithkund të disponojë me numër të konsideruar punëtorësh cilësorë me një përqindje shumë të ulët të fluktuimit të tyre.

Mjetet për punë dhe objekti i punës
Për ndryshim nga kuadrot si faktor aktiv të procesit të punës së kompanisë, mjeteve për punë dhe objektit të punës i takon roli pasiv. Mirëpo kjo nuk është arsyeja që ato të konsiderohen si më pak të rëndësishme prej vetë kuadrit, pasiqë për funksionim normal të procesit të punës gjithmonë janë të nevojshëm të tre faktorët e cekur. Ndryshimi ekziston vetëm në atë se njerëzit janë organizues të mjeteve dhe lëndës së punës, kurse mjetet e punës janë objekt i veprimit të njeriut.

Madhësia e kompanisë
Me çfarë madhësie kompania do ta fillojë veprimtarinë e vet dhe si do t’ua përshtasë atë më vonë interesave të kompanive dhe nevojave të tregut, është shumë me rëndësi për afarizmin e saj të suksesshëm vijues. Nga kjo pikëpamje relevante është madhësia optimale e kompanisë.
Madhësia optimale për kompaninë është madhësi më e përshtatshme duke pasur parasysh kërkesat e tregut dhe lartësinë e rezultatit pozitiv afarist. Në bazë të kësaj duhet dalluar tre mundësi themelore:
a. kompania është e vogël në krahasim me kërkesat e tregut dhe ashtu humb nga rasti të realizojë më shumë fitim në sasira më të mëdha efektesh;
b. kompania është e madhe sa i përket nivelit të kërkesave të tregut dhe realizon fitim më të lartë (në krahasim me mundësitë e ndërmarrjes A dhe C).
c. ndërmarrja është shumë e madhe në krahasim me nevojat e tregut, por shpenzimet e larta fikse dukshëm e ulin fitimin.

Për t’i kuptuar më mirë mundësitë e lartpërmendura do të na shërbejë një shembull numerik i mbështetur në këto hipoteza: në rrethanat e ofruara të tregut (duke pasur parasysh nevojat e tregut, forcën e konkurrencës dhe fuqinë blerëse të popullatës) mund të shiten 100 artikuj të konsumit të gjerë me nga 200 njësi monetare, me shpenzime të përgjithshme mesatare për 150 njësi, gjatë së cilës realizohet një fitim i tërësishëm prej 5.000 njësish monetare. Në raport me këto rrethana paraqiten mundësitë A, B dhe C në këtë drejtim, të prezentuara në mënyrë tabelare në vazhdim:

 Prezentimi tabelar i të dhënave për kompaninë “X”


Mundësitë
Q
(sasia efektive)
F (shpenz. fikse)
V (shpenz. variabile)
Sh=F+V
Shm=Sh/Q
Çmsh.
H (të hyrat)
F (fitimi)
A
50
(100)
3000
5000
8000
160
200
10000
2000
B
100
(100)
5000
10000
15000
150
200
20000
5000
C
150
(100)
7000
15000
10000
22000
17000
147
170
200
30000
20000
8000
3000

Legjenda:

Q  -  sasia e efekteve në kapacitetet të dhëna në raport me kërkesat e tregut,
F   -  shpenzimet e tërsishme fikse (amortizimi, qiraja dhe shpenzimet tjera materiale),
V   -  shpenzimet e tërësishme variabile (pagesa për rrogën, repromaterialet dhe mjetet tjera të punës),
Sh  - shpenzimet e tërësishme (si rezultat i shp. F dhe V),
Shm - shpenzimet e përgjithshme mesatare (si raporti Sh/Q),
Çmsh - çmimi shitës për njësi efekti,
H   -  të hyrat e tërësishme,
F    -  fitimi i realizuar.

Vërejtje:
a. brenda mundësisë A kompania ka prodhuar vetëm 50 njësi efekti, kurse në situatën nën C vetëm 100 njësi efektesh mund të shiten.
b. supozohet rritja fillestare degresive e shpenzimeve të tërësishme fikse (F) dhe ritmi proporcional i shpenzimeve të tërësishme variabile (V) - duke pasur parasysh njohuritë nga lëmi i shpenzimeve dhe nga shkaku i thjeshtësimit të shembullit numerik.

Përveç kriterit optimal për madhësinë e kompanisë, është e rrugës që madhësia e kompanisë të vërehet edhe sipas kritereve të saj tradicional, që do të thotë duke u bazuar në:
a. numrin e të punësuarve,
b. udhëheqësinë dhe vlerën e mjeteve me të cilët disponon kompania,
c. vlerën prodhuese vjetore ose fitimin e realizuar, etj.
Pra, kritere të cilët janë relevante për shërbimin kadrovik, shërbimin e mirëmbajtjes së mjeteve për punë ose për shërbimin e furnizimit. 

Lokacioni i kompanisë
Lokacioni i përshtatshëm për kompaninë dhe njësitë e saj prodhuese dhe afariste përcaktohet nga këto pikësynime relevante:
a. përshtatshmëria hapësinore ndaj resurseve të nevojshme (pasurive natyrore, lëndës së parë, prodhimeve të pakryera, burimeve të energjisë, mallit, etj.), në realitet afërsia ndaj tregut funizues;
b. pikësynimi i afrimit ndaj blerësve, konsumatorëve dhe shfrytëzuesve të shërbimeve, në realitet, përshtatshmëria ndaj tregut shitës;
c. pikësynimi i afërsisë së rrugëve qarkulluese (autostradave, hekurudhave, linjave, porteve, aeroporteve, etj.), që do të thotë pikësynimin për uljen e shpenzimeve transportuese.

Duke u mbështetur në kombinimin e pikësynimeve të lartpërmendura të cilat janë të orientuara kah ulja e shpenzimeve të transportit, efikasitetit të dërgesës dhe shpërndarjes së mjeteve të punës, transportit të sigurtë, realizimit më të madh të efekteve dhe qëllimeve tjera të dëshiruara, lokacioni i kompanisë dhe njësive të saj është i determinuar nga vendimet e vet pronarit, qëndrimeve interne të saj dhe atyre eksterne - të jashtme. Edhe pse nuk ka dyshim se vet kompania do ta zgjedhë më së miri lokacionin për repartin e saj, shtëpinë e mallrave, hotelin, përfaqësinë, depot, shitoret, etj., ajo zgjedhje megjithatë varet edhe nga faktorët ekstern, si të organeve shtetërore, planeve urbanistike, tokës së disponuar, vendit të lirë për afarizëm, sigurimit, ekologjisë dhe kërkesave të tjera. Në kuptim më të gjerë të lokacionit të kompanisë parashtrohet edhe problemi dominues i ndryshimeve të politikës tatimore të vendeve të ndryshme, në rreptësinë e statusit për punësim, sigurimin në punë etj. Duke pasur parasysh këto kushte, kapitalin, kompania vet përcaktohet për vend me koeficient më të ulët të tatimit, me norma më të volitshme juridike për të drejtat dhe sigurimin e punëtorëve, për përparësitë e firmës nikoqire, makinave dhe benificione tjera të ngjashme.
Për vlerësimin e kushteve të cekura ekonomike në lidhje me themelimin dhe afarizmin e suksesshëm të kompanisë, është i pranueshëm mendimi i E. Bahmerit dhe koautorit, ku thotë se “kompania e merr rrezikun më të madh për vendimin e lëmisë së veprimit, për madhësinë dhe lokacionin e kompanisë”:                                                 
- Nëse eventualisht si lëndë të veprimit e zgjedh produktin që në moment është më i kërkuar në treg, pa marrë parasysh se në treg paraprakisht janë hedhur supstitutet më atraktive të atij produkti,
- Nëse lehtësisht është zgjedhur lokacioni i elementeve për eksploatimin e naftës, gazit apo glinës, pa mos i bërë hulumtimet paraprake gjeologjike për begatshmërinë e rezervave të të mirave natyrore, dhe
- Nëse kompania prej fillimit angazhohet me kapacitete maksimale dhe parashikime minimale për kërkesat në treg, e cila do të kishte një ritëm të pandërprerë në vitin e ardhshëm.
Kompania në të tri rastet e cekura i nënshtrohet një rreziku të madh që për një kohë shumë të shkurtër të përjetojë një humbje katastrofike, pa marrë parasysh parakushtet tjera eventuale të përparësive ekonomike. Në një situatë dhe në kushte të tilla nuk do të ishin të mjaftueshme as kapitali në disponim, as kuadri me kualifikime superiore dhe as pajisjet dhe teknologjia më moderne (bashkëkohore).

Parakushtet shoqërore
Kushtet shoqërore për themelimin dhe afarizmin e suksesshëm të kompanisë paraqesin qarkun brenda të cilit paraqiten dhe veprojnë të gjitha kushtet e analizuara ekonomike. Ai rreth para së gjithash është i kufizuar me përbërjen themeloro - institucionale të ekonomisë së tregut dhe me ligj të pranuara pavarësitë juridike dhe ekonomike të subjektit.

Ekonomia e tregut
Rëndësitë themelore të ekonomisë së tregut janë në qarkullimin e lirë të punës, të tokës dhe të kapitalit, në ndërmjetësimin e lirë të çfarëdo veprimtarie dhe konkurrencës në mes të subjekteve ekonomike. Në kuadër të kësaj përbërjeje, sipas R. L. Heilbronerit dhe J. K. Galbraithit funksionojnë dy tregje:      
a. tregu i faktorëve (puna, mjetet për punë dhe objekti i punës) të cilët i angazhon kompania dhe institucionet qeveritare dhe
b. tregu i të mirave dhe shërbimeve të cilat i blejnë konsumatorët e tyre.

Koncipimi i tillë institucional i ekonomisë së tregut i ofron garancë kompanisë se ekzistenca dhe suksesi i saj në treg do të varet kryesisht nga aftësitë dhe mundësitë vetanake në kushtet e garave të konkurrencës së lirë në treg, në zhvillimin dhe punën e vet të pandërprerë, të papenguar nga ana e monopolit dhe shtetit.
Ekonomia e lirë e tregut teoretikisht zanafillën e ka që në shekullin e XVIII, kur është prezentuar nga ana e fiziokratëve, në krye me Quesnaun dhe moton e tij “Laissez faire, laissez passer”1, ndërsa tjetrën e kreu Adam Smiti në veprën e tij të parë Pasuritë e popullit. Shikuar edhe nga perspektiva e ditëve tona, mendimet antiprotekcioniste të Smitit janë shumë bashkëkohore dhe janë në rangun e modeleve ekonomike të Unionit Evropian pas 1 janarit të vitit 1993.

Pavarësia e kompanisë
Me ligje të njohura, pavarësitë ekonomike dhe juridike të kompanisë janë parakusht i dytë i rëndësishëm për themelimin dhe afarizmin e suksesshëm të kompanisë. Ajo pavarësi është konsekuente logjike e ekonomisë së lirë të tregut edhe në kuptimin ekonomik - si liri për zgjedhjen e lëndës së afarizmit, partnerëve afaristë, resurseve të nevojshme etj., edhe në kuptimin juridik - si liri në fitimin e të drejtave dhe obligimeve, e kufizuar në të drejtat dhe liritë e njëjta të subjekteve të tjera me të cilat kompania, në bazë të marrëveshjeve - kontraktimeve ose regullave ligjore, hyn në bashkëpunim afarist ose ndonjë lidhje tjetër.

Dhe në fund mund të konstatojmë se suksesshmëria e afarizmit të çfarëdo lloj kompanie apo biznesi, përpos parakushteve të përmendura, varet edhe nga shumë elemente dhe faktorë të tjerë që është e pamundur të përfshihen me një punim të shkurtër siç është ky, por duke mos u ngelur borxh lexuesve, e në veçanti biznesmenëve, do t’i përmendi edhe vetëm disa elemente të rëndësishme që kanë të bëjnë me manaxhimin efikas dhe që me të madhe ndikojnë në suksesin e biznesit bashkëkohorë. Ato janë:

1. Shpejtësia e reagimit (FAST),
2. Përshtatshmëria (FLEXIBLE),
3. Pozicionimi në treg (FOKUS),
4. Bashkëpunimi (FRYENDLY),
5. Plotësimi i dëshirave të konsumatorëve (FUN) etj.

Fusnotë:
1 Në përkthim të lirë: Lejoni njerëzit të punojnë dhe të sillen në ekonomi si dinë dhe si dëshirojnë

 

Të gjitha të drejtat i takojnë Shtëpisë Botuese "Furkan ISM" © 2007-2008