logo
 
 

 

temat

PRIFTËRINJË DHE PREDIKUES TË KRISHTERË QË PËRQAFUAN ISLAMIN

Më shumë se një rrëfim i gjatë, më shumë se një ndodhi pak sa e veçantë, një përsiatje serioze në tri pika, secili le t’i përkap sipas mendjes tij!(Përkthyesja)

All-llahu i Madhërishëm thotë: “Unë jam ashtu siç me përfytyron robi... nëse me afrohet një pëllëmbë, i afrohem një krah, nëse më afrohet një krah, i afrohem një pash dhe nëse me afrohet me ecje, i afrohem me shpejtësi”. (Buhariu, Muslimi, Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe)

Vëllai Jusuf Estes, ish-predikues i krishterë, i lindur, i rritur dhe i edukuar në një familje ultra-konservatore tradicionalisht të krishterë të Teksasit, është një provë se si besimi bën fuqinë e arsyes, përkundër dezinformatave, gënjeshtrave dhe fyerjeve të nxitura kundër Islamit dhe Pejgamberit të All-llahut, Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], të cilit iu shpall Libri i Shenjtë, Kur’ani.
Përkundër paralajmërimeve dhe njoftimeve gjoja të besueshme, Islami po përhapet shumë më shpejtë se sa pretendohet në Amerikën Veriore. Ja si hyri në Islam vëllai Jusuf Estes.

“Si të rinj që ishim, nëpër Kisha na mësonin si ta urrejmë Islamin dhe të mos i duam muslimanët. Sinqerisht isha një i krishterë besnik dhe një djalosh i Teksasit. Ne urrenim krejt dhe çka do qoftë, sidomos “muslimët”. Na mësonin se si “muslimët” nuk besojnë në Zot, se adhurojnë një kuti të zezë në shkretëtirë, e puthin tokën pesë herë në ditë. Muslimanët? Këta janë Terroristë! Kidnapues! Paganë! I urreja që të GJITHË!…”
Quhem Jusuf Estes, jam predikues i mësimeve islame dhe si i tillë udhëtoj nëpër mbarë botën duke mbajtur konferenca dhe duke e bërë të njohur mesazhin e Krishtit - Isait [alejhis-selam] në Kur’anin e Shenjtë. Mbajmë takime me grupe bashkëbiseduesish dhe diskutime me pjesëtarët e besimeve të ndryshme. E çmojmë sidomos punën e rastit me rabinët, ministrat, predikuesit dhe priftërinjtë prej gjithkah.
Pjesa me e madhe e punës sonë kryhet në fushën institucionale, ushtarake, universitare dhe nëpër burgje. Qëllimi ynë kryesor është ta përcjellim porosinë e saktë të Islamit, të sqarojmë kush janë muslimanët në të vërtetë. Islami është feja që po përhapet më së shumti, duke tejkaluar Krishterimin. Islami është feja që tash po praktikohet më së shumti në sipërfaqen e tokës, pavarësisht se shohim edhe shumë muslimanë që thirren në Islam, por që nuk e njohin mirë dhe si duhet porosinë e mirëfilltë të Islamit, e që do të thotë: Paqe, nënshtrim dhe bindje ndaj All-llahut.
Rrjedhi nga një familje e fortë krishtere e Midwestit. Familja jonë dhe paraardhësit e tyre jo vetëm që kishin ndërtuar kisha e shkolla anekënd globit tokësor, por ishin edhe ndër familjet e para emigrantësh evropianë që ishin ngulitur fillimisht këtu.
Isha një fëmijë i urtë si parashkollor. U shpërngulëm në Hjuston, të Teksasit, më 1949 (tashmë jam i moshuar). Rregullisht shkonim në meshë të dielave dhe jam pagëzuar në moshën 12 vjeçe, në Pasadena të Teksasit. Në moshë të re, si i mitur, dëshiroja t’i vizitoja kishat tjera, për t’i parë mësimet dhe besimet e tyre. Baptistët, Metodistët, Episkopistët, Lëvizjet Bamirëse, Nazarianët, Kisha e Krishtit, Kisha e Zotit, Kisha e Zotit në Krishtin, Ungjillorët, Katolikët, e shumë të tjera. Pata një interesim të veçantë për “Ungjillorët” ose siç themi ne “Lajme të mira”. Hulumtimi im në fé nuk u ndal te Krishterizmi. Assesi, Hinduizmi, Judaizmi, Budizmi, Metafizika, besimet Ameroindase ishin një pjesë e tërë e studimit tim. Pothuajse feja e vetme që nuk e kisha shqyrtuar seriozisht ishte Islami. Pse? Një pyetje e qëlluar kjo.
Po ashtu, kam qenë shumë i interesuar për lloje të ndryshme të muzikës, sidomos për këngët fetare dhe klasike. Meqë familja ime ishin tërësisht fetarë dhe muziktarë, patën vendos që unë t’i nisi po ashtu studimet në këto dy fusha. Më 1960 fillova të jap mësim në fushën e tastierës, kurse më 1963 kisha studion time “STUDIO e muzikës ESTES”, Laurier (Lorier), Maryland (Merilend).
Në këto tridhjetë vitet e fundit punova shumë me babën tim në projekte të ndryshme. Ne kishim programe të llojllojshme, si argëtimi dhe spektakle. Fitova miliona dollarë gjatë këtyre viteve, por nuk arrita dot të gjej qetësinë shpirtërore, që në të vërtetë vjen duke njohur të Vërtetën dhe si përfundim i projektit njëmendtë të Shpëtimit.
Përse bijtë e Ademit janë të detyruar t’i pranojnë mëkatet e tyre dhe rrjedhimisht janë dënuar atëherë përgjithmonë?
Jam i bindur se ju pyeteni “Pse më krijoi ZOTI?” ose “Çfarë kërkon ZOTI që të bëj unë?”, “Kush është në të vërtetë ZOTI?”, “Pse ne besojmë në mëkatet burimore?”, “Pse bijtë e Ademit janë shtrënguar t’i pranojnë mëkatet, e pastaj janë dënuar përgjithmonë?”. Mirëpo, nëse ju shtroni njërën nga këto pyetje, me siguri do t’ju përgjigjeshin se ju duhet të besoni pa pyetur ose kjo është një fshehtësi dhe ju nuk duhet të pyesni. Pastaj kanë pasuar kundërshtitë e religjionit tim, si koncepti i TRINISË.
Po sikur t’i pyesja predikuesit dhe ministrat mbi idenë e “Trinisë” së ZOTIT, pra të më japin një ide si u bëka Zoti TRE, ose në ç’mënyrë Zoti i Gjithëfuqishëm, i Cili bën çka do Ai, ka pushtet që t’ua falë njerëzve mëkatet, po u bëka njeri, po zbritka në tokë, në trajtën e një qenie njerëzore, dhe që atëherë po i marrka të gjitha mëkatet e njerëzimit? Të mos harrojmë se Zoti është Zotëriu i Gjithësisë, Ai është Fillimi dhe Ai është Mbarimi, Ai bën çka dëshiron në Mbretërinë e vet, sikurse që edhe e dimë.
Më 1991 mësova se muslimanët besuakan në Bibël! U tmerrova! Si mund të ndodhë kjo?
Mirëpo, kjo nuk është e tëra; mësova se muslimanët besuakan në Krishtin - Isain [alejhis-selam] si një i Dërguar i vërtetë i Zotit, si një Pejgamber i Zotit, në mrekullinë e lindjes tij, pa ndërhyrjen e njeriut; ishte Krishti apo Mesiu, siç paralajmëron Bibla; se Krishti tash është me Zotin dhe ç’është më kryesorja, ai kthehet, në Ditët e Fundit (lexo: para Kijametit) për t’i udhëhequr besimtarët kundër Antikrishtit.
Kjo ishte shumë për mua, tepër shumë! Ngase ungjillorët me të cilët zakonisht udhëtonim i urrenin shumë muslimanët dhe Islamin, edhe ne po ashtu. Pohonin se krejt çka dëgjonim mbi Islamin ishte gabim dhe njerëzve ua mbillnin frikën kundër Islamit.
Pse doja t’i shoqëroja muslimanët?
Babai im ishte veprimtar aktiv në mbështetjen e kishës. Më 1970 emërohet si një ministër rendi (lexo: rendi kishtar). Ai bashkë me nënën i njihnin shumë tele-ungjillorët dhe predikuesit si Oral Roberts, e madje kanë shkuar vet dhe kanë ndihmuar personalisht ndërtimin e ndërtesës “Kulla e Lutjes” në Tulza, Oklahoma.
Ishin adhurues të flaktë të Jimmy Swaggart, Jimi dhe Tommy Fae Bakker, Jerry Fallwell, John Haggi, si dhe të armikut më të madh të Islamit, At Robertsonit.
Prindërit e mi kanë punuar shumë së bashku dhe kanë qenë po ashtu shumë aktiv në përhapjen dhe shpërndarjen e incizimeve “Lavdërime”, predikues që shpërndanin falas nëpër shtëpitë e pensionistëve dhe nëpër spitale.
Me 1991 babai im filloi të punonte me një egjiptian dhe më tha se ai dëshiron të më takojë. Kjo më pëlqeu dhe sikur ndjeva aromën internacionale. Merrni me mend, piramidat, sfingsi, bregu i Nilit dhe e tërë kjo. Babai më tregoi se ky ishte një musliman. Nuk mund t’u besoja veshëve të mi, “një musliman”? Thjeshtë!
Ia kujtova babait se ç’kishim dëgjuar mbi këta njerëz, se janë terroristë, kidnapues, bombahedhës dhe nuk e di çka jo. Jo vetëm se nuk besojnë Zotin, por e puthin tokën pesë herë në ditë dhe adhurojnë një kuti të zezë në shkretëtirë.
Jo! Nuk doja ta takojë këtë musliman. Assesi nuk doja! Babai im ngulmonte që ta takoj dhe më siguroi se ishte një njeri shumë i këndshëm. Më në fund u binda se duhet ta takoj.
U pajtova ta takoj një të diele pas kishës. Si zakonisht, nën sqetull mbaja Biblën. Kisha zinxhirin tim me një kryq të shkëlqyer dhe kasketën time me mbishkrimin “Krishti është Zoti”. Erdhën gruaja ime me dy vajzat e mia të reja dhe ne ishim gati për takimin tonë të parë me “muslimanin”.
Kur hyra në dyqanin e babait, e pyeta ku ishte “muslimani”, kurse ai tregoi me gisht dhe më tha: “Ja ku është”. Mbeta i habitur, e kisha ngatërruar! Ky s’mund të jetë muslimani, në asnjë mënyrë. Kërkoja një njeri të madh me një rrobë të bardhë dhe një turban të madh në kokë, një mjekër të gjatë deri në fund të këmishës tij dhe një palë qepalla që shkojnë deri kah mesi ballit tij.
Ky njeri s’kishte mjekër, bile as flokë në kokë. Ishte shumë i këndshëm në takim me një shtrëngim dore të ngrohtë. Kjo s’kishte kuptim. Mendoja se ishin terroristë dhe bombahedhës? Çfarë do të thoshte kjo?
Fillova predikimin tim para këtij djaloshi. Duhet të shpëtohet, mendova me vete, dhe unë e Zoti do ta bëjmë këtë. Pas një hyrjeje të shkurtër e pyeta: “Ju besoni në Zot?”
“Po”, tha ai.
“Po në Ademin e Havanë, besoni ju?”
“Po”, tha ky.
Pastaj e pyeta: “Po Ibrahimin ju e besoni dhe ngjarjen e gatishmërisë tij ta flijojë të birin për Zotin?”
“Po” u përgjigj ky.
Atëherë e pyeta: “Po Musain, Dhjetë urdhrat, ndarjen e Detit të Kuq?”
Sërish u përgjigj me “Po”.
Atëherë: “Po pejgamberët tjerë, Davudin, Sulejmanin dhe Jahjanë?”
“Po”.
E pyeta: “Ju besoni në Bibël?”
Edhe më tej tha: “Po”.
Tash, ishte koha e pyetjes së vërtetë: “Ju e besoni Isain që ishte Mesiu (Krishti ) i Zotit?”. Edhe kësaj radhe u përgjigj me: “Po”.
“Kjo do të jetë shumë më lehtë ngase ç’mendoja”. Ishte gati për ta kryqëzuar, e ai nuk e dinte se do të jem unë ai që do ta kryqëzoj.
Dita ditës përfitoja shpirtrat e njerëzve për te Zoti, kjo do të ishte një punë e madhe e kryer për mua, që ta kthejë në Krishterizëm një musliman. E pyeta nëse do çaj dhe u përgjigj pozitivisht. Atëherë shkuam në një çajtore të vogël të galerisë tregtare, që të bisedojmë rreth projektit tim të ardhshëm të pëlqyer: “Besimet”.
Gjatë diskutimit tonë të gjatë në këtë çajtore, erdha në përfundim se ishte shumë i këndshëm, i qetë, bile edhe i turpshëm. Dëgjonte vëmendshëm çdo fjalë timen dhe nuk më ndërpreu asnjëherë. E pëlqeja këtë mënyrë dhe përfundimisht mendova se kishte mundësi që të bëhet një i krishterë i mirë. Pastaj u morëm vesh me tim at që ne të bashkëpunojmë me ketë njeri, bile edhe vendosëm që të më shoqërojë në udhëtimet e mia me punë në Teksas. Gjatë udhëtimeve tona bisedonim mbi çështje të ndryshme që kishin të bënin me besimet e ndryshme të njerëzve. Bile mund të fusja një pjesë të programeve të mia të radio emisioneve që i pëlqeja për ta ndihmuar dhe dërguar porosi këtij të shkreti. Folëm mbi idenë e Zotit, kuptimin e jetës, qëllimin e krijimit, pejgamberët dhe detyrat e tyre, si iu shpall Zoti njerëzimit.
Shkëmbyem shumë përvoja dhe ide vetjake. Një ditë mora vesh se miku im Muhammedi do të largohej nga shtëpia që e ndante me shokun e tij dhe se për një kohë të caktuar do të vendosej në një xhami.
Shkova ta pyes babanë, nëse mund ta ftonim Muhammedin të banonte me ne, meqë kishim një shtëpi të madhe në fshat. Para së gjithash, mund ta ndante një pjesë të punës dhe të shpenzimeve dhe do të ndodhej aty kur ne do të duhej të udhëtonim në afërsi. Im at u pajtua dhe Muhammedi u vendos te ne.
Sigurisht që gjeja gjithnjë kohë për t’i vizituar shokët e mi predikues dhe ungjillorët e shtetit të Teksasit. Njeri prej tyre banonte në Teksas, pranë kufirit me Meksikon, tjetri banonte pranë Oklahomas. Njeri nga predikuesit pëlqente ta bartte një kryq të madh të drunjtë, në madhësinë e një automobili. E bartte mbi krahë dhe e tërhiqte zvarrë përtokë duke u ndalur udhës ose në rrugën kryesore. Njerëzit ndaleshin dhe e pyetnin se ç’bënte, kurse ai atyre u shpërndante broshura dhe libra mbi Krishterizmin.
Një ditë miku im me kryqin e madh pati një krizë në zemër dhe duhej ta vizitoja në spitalin e Veteranëve, ku qëndroi një kohë të gjatë. E vizitoja shpesh në spital. dhe me vete e merrja Muhammedin, me shpresë se ne së bashku mund ta bindim duke i folur mbi besimin dhe fetë. Miku im nuk qe aq i impresionuar, nuk donte të dinte asgjë mbi Islamin. Kur një ditë një njeri që e ndante dhomën me mikun tim u rrëzua nga karroca me rrotë, iu afrova atij dhe e pyeta si quhej, me tha kjo s’ka rëndësi, e pyeta ku banonte, me tha se ishte nga Jupiteri. Fillova të pyetem se ku ndodhesha, a isha në repartin e kardiologjisë apo atë të psikiatrisë!
Mësova se ky njeri ishte i vetëm dhe i dëshpëruar dhe se kishte nevojë për dikë. Fillova t’i flas mbi Zotin. Ia lexova librin e Gjonit në Dhiatën e Vjetër. Ndava me te tregimin e profetit Gjon (Jonah) Junus, që ishte dërguar nga Zoti t’i thërrasë njerëzit e tij në besim. Jonah (Junusi [alejhis-selam]) ishte ndjekur dhe kishte shpëtuar me barkën e qytetit tij. Pas një stuhie, barka fundoset dhe njerëzit e tij bien në det. Një balenë ngjitet në sipërfaqe dhe e gëlltitë pejgamberin Junusin [alejhis-selam] dhe zhytet sërish në fund të detit. Junusi [alejhis-selam] mbetet kështu tre ditë e tre netë. Pastaj me ndihmën e Zotit balena del sërish në sipërfaqe dhe e nxjerr Junusin [alejhis-selam] nga barku i saj, e ai kthehet sërish në qytetin e tij Nineveh. Ideja ishte se ne nuk mund t’i shpëtojmë problemeve tona, meqë ne e dimë se ç’kemi bërë. Zoti e di gjithmonë se ç’kemi bërë ne.
Pasi dëgjoi këtë tregim, i sëmuri në karrigen lëvizëse, i penduar, kërkoi falje për sjelljet e tij mendjemëdha, duke më rrëfyer se kohëve të fundit ishte përballur me disa sprova serioze. Me besim ishte i krishterë (katolik).
Iu përgjigja se nuk isha një prift katolik, se nuk isha predikues. E dinte këtë. Në fakt ai më tha: “Jam një prift katolik”. Isha i pikëlluar. Doja t’ia predikoja Krishterizmin një prifti. Në çfarë bote po jetojmë ne?
Prifti filloi ta rrëfejë ndodhinë e tij. Ishte misionar i një kishe në Amerikën Jugore plot 12 vjet, po ashtu edhe në Meksikë dhe në Nju-Jork.
Pas daljes nga spitali, kishte nevojë për një vend ku mund të vazhdonte kurimin e tij të mëtejshëm, diku pranë një familjeje të krishterë. I propozova babait se ne duhej ta ftonim të banojë tek ne, me familjet tona dhe me Muhammedin. Babai pranoi menjëherë.
Por kishte shumë më tepër për të ndodhur.
Gjatë udhëtimit, me priftin bisedova rreth disa koncepteve të besimit islam dhe për habinë time, ai pranoi shumë gjëra mbi Islamin, bile ai më tregoi edhe shumëçka nga ato që unë nuk i dija mbi Islamin. U habita kur më tha se disa nga priftërinjtë e krishterë studionin Islamin, e disa syresh kishin edhe titullin e doktoraturës mbi fenë islame. Kjo më ndriti.
Pasi u vendos te ne, kishim zakon që çdo pasdarke të tuboheshim rreth tryezës së rrumbullakët dhe të bisedojmë mbi fenë. Babai jepte pikëpamjen e tij mbi mbretin Xhejms në Bibël, unë jepja Variantin tim Standard të Rishikuar të Biblës, gruaja ime kishte një mendim tjetër mbi Biblën (ndoshta diçka si Jimmy Swaggart “Lajmet e mira (reja) për Njeriun Bashkëkohor”. Prifti po ashtu e kishte Biblën katolike, kishte rreth shtatë libra në Biblën Protestante. Na kaloi koha duke studiuar (diskutuar) cila Bibël ishte më e mira, cila ishte më afër së vërtetës. U përpoqëm ta bindim Muhammedin të bëhet i krishterë.
E pyetëm Muhammedin sa lloj kur’anësh ekzistojnë që nga paraqitja e tij e parë, para 1400 vitesh? Më tha se është NJË KUR’AN i vetëm, i cili nuk ka ndryshuar fare. Shtoi se Kur’anin e kishin mësuar përmendësh të tërin, qindra, mijëra muslimanë, në formën e tij burimore. Kështu Kur’ani është përhapur në tokë në shumë vende të ndryshme. Shekuj me radhë, që nga Shpallja, Kur’anin e kanë mësuar përmendësh miliona muslimanë dhe ua kanë mësuar kështu të tërin, në formën e tij burimore brezave të tjerë, të cilët e kanë mësuar përmendësh krejtësisht dhe pa gabime, shkëlqyeshëm.
Kjo mu duk e pamundur. Para së gjithash, të gjitha gjuhët burimore të Biblës ishin gjuhë të vdekura shekuj me radhë. Si është e mundur që diçka si ky të mund të ruhet kaq lehtë dhe të recitohet përmendësh që nga faqja e parë deri në atë të fundit?
Një ditë prifti e pyeti Muhammedin nëse mund ta shoqëronte deri në xhami, për të parë si është atje. Kur u kthyen duke folur mbi përvojën e tyre, ne s’na pritej ta pyesim priftin se çfarë ceremonish kanë bërë atje. Tha se vërtetë nuk kanë bërë ku ta dish se çka. “Ne shkuam të falemi dhe ja u kthyem”. Unë i pyeta: “Ju u kthyet kështu pa diskurse (fjalime), pa këngë?”
“Po, pikërisht kështu”, pohoi prifti.
Pas disa ditësh, prifti katolik pyeti Muhammedin nëse mund ta shoqëronte sërish deri në xhami. Kësaj radhe qe ndryshe. Nuk u kthyen menjëherë. U bë nata, e ne filluam të merakosemi. Mund t’u ketë ndodhur diçka, menduam. Më në fund ia behën, e njoha menjëherë Muhammedin, por pranë tij qëndronte një me veshje të bardhë. Ishte prifti. E pyeta: “Pjetër? Ju jini bërë musliman?” Mu përgjigj se atë ditë ai kishte pranuar Islamin si fé.
PRIFTI U BË MUSLIMAN!!!
Shkova lartë që të mendoj një çast rreth gjithë këtyre gjërave, fillova t’i flas gruas mbi këtë temë. Ajo më tha se dëshiron po kështu ta përqafojë Islamin, meqë e dinte se kjo është e Vërteta. Vërtetë u trondita. Zbrita poshtë në shtëpi për ta zgjuar Muhammedin dhe ta pyes. I propozova që të më shoqërojë jashtë për një bashkëbisedim. Ne ecëm dhe biseduam tërë natën. Dhe ja koha e namazit të sabahut (koha e namazit për muslimanët) arriti! E dija se ora e së vërtetës për mua më në fund arriti dhe se tani ishte radha ime.
Dola prapa shtëpisë së tim at dhe gjeta një copë pëlhurë, vura kokën në tokë, u ktheva nga kthehen muslimanët (Kibla) për t’u falur pesë herë në ditë.
Në këtë pozitë, me trupin tim të shtrirë mbi këtë pëlhurë, thirra:
“O Zot. Nëse Ju jini aty, më udhëzoni mua, më udhëzoni mua”. Pak më vonë ngrita kokën dhe vërejta diçka. Jo, nuk pash zogjtë ose melaiket duke zbritur nga qielli, nuk ndjeva zë, as muzikë, as dritë ose shkëlqim. Ndjeva një ndryshim brenda meje. Tashmë isha i ndërgjegjshëm si asnjëherë më parë se kishte ardhur koha që të pushoj me gënjeshtrat hileqare duke bërë punë tinëzare. Ishte koha që të punoj për t’u bërë një njeri i ndershëm dhe i drejtë. E dija se ç’duhet bërë tani.
Shkova lartë dhe u pastrova me idenë e qartë se po pastrohesha nga mëkatet e mia të mëparshme (ish-individit). Dhe tash po bëhesha një tjetër njeri me një tjetër jetë, jetë e re me personalitet të ri. Një jetë e mbështetur mbi të vërtetën dhe sinqeritetin.
Kah ora 11 e paraditës, në praninë e ish-priftit At Pjetër Jakobit dhe Muhammed Abdurrahmanit, shqiptova shehadetin (dëshminë se nuk ka zot tjetër pos All-llahut dhe se Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] është i Dërguari i Tij).
Disa minuta më pas më ndoqi edhe gruaja ime, bëri dëshminë e saj, por ajo tash në prani të tre dëshmitarëve (pra edhe timen). Babai im ishte pak më i rezervuar mbi këtë çështje dhe iu deshtë edhe afër një muaj e gjysmë që ta deklarojë shehadetin (publikisht) dhe nisi menjëherë faljen e namazit si duhet, bashkë me mua dhe me muslimanët tjerë në një mesxhid lokal (xhami).
Fëmijët i tërhoqëm nga shkolla e krishterë dhe i vendosëm nëpër shkolla muslimane. Dhe tash, pas dhjetë vitesh, ata e dinë mirë përmendsh një pjesë të mirë të Kur’anit dhe i njohin mësimet mbi Islamin. Gruaja e babait tim është e fundit që pranoi të deklarojë se Jezusi - Isai [alejhis-selam] nuk mund të jetë bir i Zotit dhe se duhet të ketë qenë një i Dërguar i Zotit e jo Zot.
Tash pushoni dhe mendoni pak.
Grupe njerëzish, nga vende të ndryshme (anekënd botës) dhe grupe të ndryshme etnike, të gjithë së bashku vijnë ta mësojnë të vërtetën si ta adhurojnë Krijuesin dhe të Gjithëpushtetshmin e Gjithësisë
Mendoni. Një prift katolik. Një ministër i muzikës dhe predikues (vetë unë), një ministër i rendit (katolik), themelues i shkollave krishtere. Që të gjithë përqafuam Islamin si fé! Vetëm e vetëm me Mëshirën e Tij ne qemë udhëhequr ta shohim të Vërtetën e njëmendtë të Islamit.
Nëse do të ndalesha këtu, ju sigurisht do të mendonit, të paktën, se kjo është një ngjarje e çuditshme. Para së gjithash, tre udhëheqës fetar, tre emërtimesh të ndara, që të gjithë përqafues të një feje e kundërt nga e tyrja, duke thirrë njëkohësisht edhe anëtarët tjerë të familjes tyre.
Mirëpo, nuk është kjo e tëra. Ka edhe më! Po atë vit, derisa qëndroja në Teksas, jo larg Dallasit, takova një student seminarist nga Tenesi, i quajtur Joe (Xho), i cili po ashtu kishte përqafuar Islamin pasi që kishte lexuar Kur’anin e Shenjtë gjatë qëndrimit tij në Kolegjin e Seminaristëve Pagëzues!
Ka edhe të tjerë. Më kujtohet një prift katolik në një qytet, i cili në një kolegj foli aq mirë mbi Islamin, foli aq mirë sa e pyeta pse nuk e përqafoni Islamin? Më tha: “Çka ta humb punën?” Quhet At Gjoni, dhe ende ka shpresa për të.
Vjet takova një ish prift katolik, i cili kishte qenë misionar gjatë 8 viteve në Afrikë. Kishte mësuar mbi Islamin gjatë qëndrimit tij atje dhe më pas e kishte përqafuar Islamin si fé. Kishte ndërruar edhe emrin në Omer dhe ishte shpërngulur në Dallas të Teksasit.
Ka ende? Para dy vitesh në Shën Antonio ma prezantuan një ish-arqipeshkv të Kishës Orthodokse Ruse që kishte studiuar Islamin dhe vendosi që ta përqafojë Islamin duke hequr dorë nga posti i arqipeshkvisë.
Qëkur kam përqafuar Islamin dhe jam bërë thirrës musliman anekënd vendit dhe nëpër botë, kam takuar shumë njerëz që ishin udhëheqës, arsimtarë dhe njerëz të shkolluar të feve të ndryshme që kanë studiuar Islamin dhe e kanë pranuar atë. Ishin hindusë, çifutë, katolikë, protestantë, Dëshmitarë të Jehovait, grekë, rusë ortodoksë, të krishterë Koptë egjiptianë, kishtarë të pa emëruar, bile edhe shkencëtarë ateistë.
Pse? Pyetje e qëlluar kjo.
I këshilloj ata që kërkojnë të Vërtetën, t’i ndjekin nëntë fazat e pastrimit të mendjes:
1. Ta çlirojnë mendjen e tyre, zemrën e tyre dhe shpirtin e tyre sa më mirë.
2. Çlirim nga të gjitha paragjykimet dhe gjykim vlerash.
3. Të lexohet një përkthim i mirë i kuptimit të Kur’anit të Shenjtë në një gjuhë të kuptueshme.
4. T’i kushtohet pak kohë.
5. Lexo dhe përsiat.
6. Mendo dhe falu (lutu).
7. Lutuni në radhë të parë Atij që ju ka krijuar që t’ju udhëzojë kah e Vërteta.
8. Mbani këtë qëndrim disa muaj me radhë. Bëhuni i rregullt në zbatimin e kësaj praktike.
9. Assesi gjatë kësaj periudhe mos lejoni ndikimin e personave të jashtëm t’ju helmojnë me mendimet e tyre, derisa ndodheni në gjendjen e “rilindjes së shpirtit”.

Pjesa tjetër ndodhet në duart tuaja dhe të Zotit të Gjithëfuqishëm të Gjithësisë. Nëse ju e doni All-llahun me gjithë mend, atëherë Ai e din këtë dhe secilin prej nesh do ta trajtojë sipas zemrave tona.
Nëse tashmë keni lexuar ngjarjen time dhe hyrjen time në Islam dhe si u bëra musliman, tani lexoni në faqen time të Internetit: www.islamtomorrow.com, ku ka po ashtu edhe pamje! Ju lutem gjeni kohë dhe vizitoni, në mënyrë që të kuptoni më mirë se si gjithë këta priftërinj predikues të krishterë hynë në Islam.
All-llahu ju drejtoftë përgjatë gjithë rrugëtimit tuaj drejt së Vërtetës së plotë. Amin.
All-llahu e haptë zemrën tuaj dhe mendjen tuaj drejt së Vërtetës së kësaj bote dhe kah qëllimi i kësaj të Vërtete. Amin.
Paqja qoftë mbi ju.
All-llahu, Zoti, Një i Vetëm, i Gjithëfuqishmi, Krijuesi dhe Pushtetmbajtësi i gjithçkaje që ekziston, ju udhëzoftë.

Miku juaj
Jusuf ESTES

Zgjodhi e përktheu nga frëngjishtja:
Lemane KULLASHI

 

Të gjitha të drejtat i takojnë Shtëpisë Botuese "Furkan ISM" © 2007-2008