logo
 
 

 

temat


KONCEPTI PEJGAMBERIK NË BIBËL DHE NË KUR’AN

Senad MAKOVIQ

“Dhe ata i bëmë shëmbëlltyrë që udhëzonin sipas urdhrit Tonë, i orientuam në punë të mira, në faljen e namazit, në dhënien e zekatit, dhe ata ishin adhurues Tanë të sinqertë.” (El-Enbija: 73)

Që nga krijimi i njeriut të parë fillon misioni i të dërguarve të Zotit të Madhërishëm. Ademi [alejhis-selam] ishte njeriu dhe pejgamberi i parë. Të dërguarit e All-llahut të Madhërishëm janë njerëzit me moral të lartë e me virtyte të larta njerëzore, janë njerëz me edukatë dhe sjellje të pashembullt, si në vetmi ashtu edhe në shoqëri.
Pejgamberllëku është begati e dhuruar prej All-llahut të Madhërishëm, kë dëshiron Ai e zgjedh për pejgamber për t’ia dërguar Shpalljen. All-llahu i Madhërishëm zgjodhi pejgamber nga vende të ndryshme, sepse qëllimi i dërgimit të tyre ishte për t’i udhëzuar njerëzit në rrugën e drejtë dhe të vërtetë, për besimin në një Zot dhe për largimin e tyre nga rruga e shtrembër e adhurimit të shumë zotave, si dhe për ta ndihmuar njeriun që ta njohë All-llahun e Madhërishëm, Krijuesin e gjithësisë. All-llahu i Madhërishëm në Kur’an thotë: Unë nuk i krijova xhinnët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë.” (Edh-Dharijat: 56); “Ne nuk dërguam asnjë të dërguar para teje e të mos i kemi shpallur atij se: nuk ka zot tjetër përveç Meje, pra më adhuroni!” (El-Enbija: 25)
Zoti i Madhërishëm i nderoi pejgamberët e Tij të zgjedhur që të jenë ndërmjetësues ndërmjet All-llahut dhe robërve të Tij. I veçoi për ta bartur amanetin e Zotit (amanetin e shpalljes) për thirrje të vazhdueshme për besimin në një Zot. Zgjodhi njerëz të pajisur me moral të lartë, njerëz fisnik dhe që rrjedhin nga familjet me prejardhje të pastër, njerëz besnik dhe të kujdesshëm në punën e tyre.
Kur lexojmë Kur’anin shohim se Zoti i Madhërishëm i pajisi me disa cilësi që duhet t’i ketë pejgamberi. Ato janë: i drejtë, i vërtetë; besnik, i sinqertë; transmetues i shpalljes së Zotit; i zgjuar, i mençur; i mbrojtur nga gabimet; pa të meta fizike etj. Domosdoshmëria që çdo pejgamber t’i posedojë këto veçori apo cilësi dalluese është çështje që përputhet me logjikën e shëndoshë, ngase nuk ka mundësi që një pejgamber të posedojë cilësi negative të cilat e zbehin moralin e tij si pejgamber. Morali i tyre është shumë më i lartë se i njerëzve të tjerë. Por, në të njëjtën kohë, ata nuk e arrijnë gradën e hyjnisë, ngase mekanizmat kur’anore e ndalojnë një gjë të tillë, sepse shkalla më e lartë është “robëria më e lartë” ndaj All-llahut të Madhërishëm.
Koncepti biblik i pejgamberisë është i ndryshëm nga ai i paraqitur në Kur’an. Duhet tërhequr vëmendjen për qëndrimin e Biblës ndaj pejgamberëve, ngase kur flet për ta, pothuajse të gjithë pejgamberët dalin si mëkatarë më të dalluar, i quan si gënjeshtarë, tradhtarë, të padijshëm, rënës në gabime dhe mëkate, e shumë epitete të tjera që iu vishen pejgamberëve. Në Bibël hasim tregime trishtuese në lidhje me pejgamberët, të cilët paraqiten si personazhe kryesore në kryerjen e veprave më të shëmtuara dhe të ndyra. Këto veti nuk i përkasin njeriut të rëndomtë, e lëre më t’i ketë pejgamberi, njeriu i zgjedhur nga All-llahu i Madhërishëm. Kurse të njëjtit pejgamberë Kur’ani i përmend në piedestalet më të larta, në të gjitha aspektet për të mirë, për të qenë shëmbëlltyrë për ne.
Le t’u hedhim një shikim këtyre dy teksteve* rreth pejgamberëve (Paqja dhe Mëshira e Zotit qoftë mbi ta).

1. Loti - Luti [alejhis-selam]
Bibla rrëfen për Lutin [alejhis-selam] si konsumues i madh i alkoolit dhe se ai bëri zina (kurvëri) me bijat e tij. Citoj: Pastaj Loti doli nga Coari dhe shkoi të banojë në mal bashkë me dy bijat e tij, sepse kishte frikë të qëndronte në Coar; dhe u vendos në një shpellë bashkë me dy bijat e tij Kështu po atë natë i dhanë verë babait të tyre dhe e madhja u shtri bashkë me të atin, por ai nuk u kujtua as kur ajo u shtri me të, as kur u ngrit. Të nesërmen vajza më e madhe i tha më të voglës: “Ja, natën e kaluar unë rashë në shtrat bashkë me babanë tim; le të bëjmë që ai të pijë verë edhe sonte, pastaj ti futu dhe shtrihu me të, që të mund t’i sigurojmë pasardhës babait tonë”. Edhe atë natë i dhanë verë babait të tyre dhe më e vogla shkoi të shtrihet bashkë me të, dhe ai nuk u kujtua as kur u shtri, as kur u ngrit. Kështu dy bijat e Lotit u ngjizën nga babai i tyre…” (Zanafilla 19:30-38). Po ashtu, citati tjetër tregon se Luti bijat e veta ua dorëzoi disa burrave dhe i ftoi të bënin me to ç’të donin: “Dëgjoni, unë kam dy vajza që nuk kanë njohur burrë; prandaj më lini që t’i nxjerr jashtë dhe bëni ç’të doni me to; por mos u bëni asgjë këtyre burrave, sepse janë nën mbrojtjen e shtëpisë sime”. (Zanafilla 19:8)
Prej këtyre shpifjeve që lexuam, Kur’ani e quan Lutin [alejhis-selam] pejgamber dhe njeri i veçuar, si dhe njëri prej më të mirëve, ku thotë: (shpërblyem) Edhe Ismailin, Eljesanë, Junusin dhe Lutin. Të gjithë këta i veçuam mbi njerëzit tjerë.”(El-En’am: 86); “Lutit Ne i dhamë të jetë pejgamber dhe i dijshëm, andaj edhe e shpëtuam prej atij fshati (vendbanimi) që bënë punë të ndyra, ata ishin popull i dëmshëm e i prishur. Atë (Lutin) e shpëtuam dhe e vëmë nën mëshirën Tonë, vërtet ai ishte prej më të mirëve.” (El-Enbija: 74-75)

2. Jakobi - Jakubi [alejhis-selam]
Jakubi [alejhis-selam] cilësohet si dinak dhe mjeshtër i intrigave të shumta, sepse bëri dinakëri që t’i marë të drejtat e vëllait të tij, Esaut dhe gënjeu babain e tij, Is’hakun. Bibla e quan si njeri mashtrues, e shumë çështje të tjera të cilat nuk i përkasin një njeriu të thjeshtë, e lëre më një pejgamberi të Zotit. Citoj: “... dhe me lëkurët e kecave veshi duart e tij dhe pjesën e lëmuar të qafës së tij”. (Zanafilla 27:16)“Atëherë Jakobi i tha babait të tij: “Jam Esau, i parëlinduri yt. Bëra siç më ke thënë. Tani çohu, ulu dhe fillo të hash nga gjahu im, me qëllim që shpirti yt të më bekojë”. Por Isaku i tha të birit: “Por si bëre që e gjete kaq shpejt, biri im?”. Ai u përgjigj: “Sepse Zoti, Perëndia yt, bëri që të vijë tek unë”. Atëherë Isaku i tha Jakobit: “Afrohu dhe lërmë të të prek, biri im, për të ditur nëse je pikërisht biri im Esau ose jo”. Dhe kështu Jakobi iu afrua Isakut, babait të tij; dhe mbasi ky e preku me dorë, tha: “Zëri është i Jakobit, por duart janë duart e Esaut”. Kështu ai nuk e njohu, sepse duart e tij ishin leshtore ashtu si duart e vëllait të tij Esau; dhe e bekoi. Dhe tha: “A je ti me të vërtetë biri im Esau?”. Ai u përgjigj: “Po”. (Zanafilla 27: 19-36)
Po ashtu, Bibla tregon se Jakobi luftoi me Perëndinë deri në agim. Çfarë absurditeti!!!“… Atëherë ai i tha: “Emri yt nuk do të jetë më Jakob, por Israel, sepse ti ke luftuar bashkë me Perëndinë dhe me njerëzit, dhe ke fituar”. (Zanafilla 32: 24-30)
Kur’ani i hedh poshtë, i refuzon këto shpifje dhe trillime, ku thotë: “Përkujto robërit tanë Ibrahimin, Is-hakun, Jakubin që ishin të fortë në zbatimin e detyrave dhe largpamës në fe. Ne i pajisëm ata me një virtyt të posaçëm, me përkujtim ndaj botës tjetër. S’ka dyshim se ata ishin te Ne prej të zgjedhurve më të mirë.” (Sad: 45-47); “Dhe ia falën atij Is’hakun, e si dhuratë edhe Jakubin. Dhe që të gjithë i bëmë të mirë (pejgamberë). Dhe ata i bëmë shëmbëlltyrë që udhëzonin sipas urdhrit Tonë, i orientuam në punë të mira, në faljen e namazit, në dhënien e zekatit, dhe ata ishin adhurues Tanë të sinqertë.” (El-Enbija: 72-73)

3. Juda - Jusufi [alejhis-selam]
Jusufi bëri zina me nusen e të birit, Tamarën dhe ajo u ngjiz me të dhe lindi dy binjakë, Faresi dhe Zara, ku prej Faresit, si rezultat i kësaj binaje, nderohen si stërgjyshërit e Jezusit - Isait [alejhis-selam], Davudi [alejhis-selam], Sulejmani [alejhis-selam] etj.
“Sa e pa Juda mendoi që ajo ishte prostitutë, sepse e kishte fytyrën të mbuluar. Prandaj ai iu afrua asaj në rrugë dhe i tha: “Lërmë të hyj te ti”. Në të vërtetë nuk e dinte se ajo ishte nusja e djalit të tij. ……hyri te ajo dhe ajo u ngjiz me të”… Kur edhi koha e lindjes, ajo kishte në bark dy binjakë.” (Zanafilla 38: 12-30)
“Judës i lindi nga Tamara Faresi dhe Zara; Faresit i lindi Esromi; Esromit i lindi Arami…Jeseut i lindi Davidi mbret; mbretit David i lindi Salomoni nga ajo që kishte qenë bashkëshortja e Urias. Salomonit i lindi Roboami... lindi Jezusi, që quhet Krisht”. (Mateu 1:3-16)
Kur’ani për Jusufin thotë: “Ashtu (e bëmë të vendosur) që të largojmë nga ai të keqen dhe të ndytën. Vërtet, ai ishte nga robët tanë të zgjedhur.” (Jusuf: 24)

4. Moisiu dhe Aaroni - Musai dhe Haruni [alejhimus-selam]
Bibla e tregon Harunin si një njeri i cili e konstruktoi viçin që ta adhurojnë izraelitët ku thotë: “Por populli, duke parë që Moisiu po vononte të zbriste nga mali, u mblodh rreth Aaronit dhe i tha: “Hajt tani, na bëj një perëndi të shkojë para nesh, sepse sa për Moisiun, njeriun që na nxori nga vendi i Egjiptit, nuk dimë çfarë i ka ndodhur”. Aaroni iu përgjigj atyre: “Hiqni unazat prej ari që janë në veshët e grave tuaja, të bijve tuaj, dhe të bijave tuaja dhe m’i sillni mua”. Kështu tërë populli hoqi unazat prej ari që kishin në veshët dhe ia çoi Aaronit, i cili i mori nga duart e tyre dhe, mbasi i modeloi me daltë, bëri një viç prej metali të shkrirë. Atëherë ata thanë: “O Izrael, ky është perëndia yt që të nxori nga vendi i Egjiptit!”. (Exodi 32: 1-20)
Kur’ani tregon se Musai dhe Haruni ishin besimtarë e jo idhujtarë, ku thotë: “Përmendu në Libër (tregimin për) Musain! Ai ishte i zgjedhur (prej Zotit) dhe ishte i dërguar, pejgamber. Dhe Ne e thirrëm nga ana e djathtë e kodrës Tur, e afruam për t’i folur (të dëgjojë bisedën tonë). Nga mëshira Jonë i dhamë vëllain e tij Harunin, pejgamber”. (Merjem: 51-53); “E Haruni atyre u pat thënë më parë: O populli im, ju vetëm u sprovuat me të, pse Zoti juaj është i Gjithmëshirëshmi, andaj ejani pas meje dhe më dëgjoni për këtë që po ua them. Ata i thanë: Ne nuk do t’i ndahemi këtij (adhurimit të viçit) deri që të kthehet Musai!” (Ta Ha: 90-91); “Atyre dyve u dhamë librin e përsosur e të qartë. Dhe të dy ata i udhëzuam rrugës së drejtë. Përkujtim të këndshëm ndaj të dyve kemi lënë në popujt e më vonshëm. (Përkujtimin) “Selamun” - qofshin të mëshiruar Musai dhe Haruni. Kështu, në këtë mënyrë Ne i shpërblejmë bamirësit. Vërtet, ata të dy ishin besimtarë nga robërit Tanë.” (Saffat: 117-122)

5. Davidi - Davudi [alejhis-selam]
“Një mbrëmje u ngrit nga shtrati i tij dhe filloi të shëtisë në tarracën e pallatit mbretëror. Nga tarraca pa një grua që po bënte banjo; dhe gruaja ishte shumë e bukur. Kështu Davidi dërgoi të kërkojë informata për gruan; dhe i thanë: “Është Bath-Sheba, bija e Eliamit, bashkëshortja e Hiteut Uriah”. Davidi dërgoi lajmëtarë për ta marrë; kështu ajo erdhi tek ai dhe ajo ra në shtrat me të; pastaj u pastrua nga papastërtia e saj dhe u kthye në shtëpinë e vet. Gruaja mbeti me barrë dhe ia njoftoi Davidit, duke i thënë: “Jam me barrë”. Sipas citatit biblik, Davudi cilësohet si njeri të cilit i pëlqeu një grua e një ushtari tepër të sinqertë, e pasi i mbeti gruaja e tij shtatzënë me Davidin, ai bëri dinakëri që të shoqin e saj ta dërgojë në luftë dhe urdhëroi komandantin që ta vret në front të luftës: “… Në letër kishte shkruar kështu: “Vendoseni Uriahun në vijë të parë, ku beteja është më e ashpër, pastaj tërhiquni nga ai, me qëllim që të goditet dhe të vdesë”. Ndërsa rrethonte qytetin, Joabi e vuri Uriahun në vendin ku e dinte se kishte njerëz trima. Banorët e qytetit bënë një dalje dhe sulmuan Joabin, disa nga shërbëtorët e Davidit ranë dhe vdiq edhe Hiteu Uriah”. (2 Samueli 11: 2-26)
Shpifjet tjera janë te 2 Samueli 6:20, ku tregohet se Davidi doli lakuriq para syve të shërbëtorëve dhe njerëzve që ishin aty. Kurse citati tjetër tregon se djali i Davidit dhunon motrën me dhunë, d.m.th. vëllai dhe motra bëjnë zina, ku tregon:“Pastaj ndodhi që Absalomi, bir i Davidit, kishte një motër shumë të bukur që quhej Tamara; por Amnoni, bir i Davidit, u dashurua me të. Amnoni u dashurua me aq pasion me motrën e tij, Tamara, sa ra i sëmurë, sepse ajo ishte e virgjër; dhe Amnonit i dukej e vështirë t’i bënte gjë… Atëherë Amnoni i tha Tamarës: “Ma ço ushqimin në dhomën time dhe do ta marr nga duart e tua”. Kështu Tamara i mori kuleçtë që kishte përgatitur dhe i çoj në dhomën e Amnonit, vëllait të saj. Ndërsa po ia jepte për të ngrënë, ai e kapi dhe i tha: “Eja, shtrihu me mua, motra ime”. Ajo iu përgjigj: “Jo, vëllai im, mos më poshtëro kështu; kjo nuk bëhet në Izrael; mos kryej një poshtërsi të tillë!... Por ai nuk deshi ta dëgjojë dhe, duke qenë më i fortë se ajo, e dhunoi dhe ra në shtrat me të”. (2 Samueli 13: 1-14)
Kur’ani hedh poshtë këto trillime, ku thotë: “Ne i patëm dhënë Davudit dhe Sulejmanit dituri, e ata të dy thanë: “I falënderohemi vetëm All-llahut që na dalloi (me të mira) mbi shumë robër të Tij besimtarë.” (En-Neml: 15); Ti duro ndaj asaj që thonë ata, dhe përkujto robin Tonë Davudin, të fuqishmin (në fe e trup), vërtet ai gjithnjë i drejtohej All-llahut... Ne ia forcuam edhe sundimin atij, i dhamë mençuri dhe aftësi në gjykime… Ne atë ia falëm atij dhe ai është i afërt te Ne dhe ka përfundim (ardhmëri) të mirë.” (Sad: 17, 20, 25)

6. Salomoni - Sulejmani [alejhis-selam]
Për Sulejmanin, Bibla tregon se ai ishte i martuar me 700 gra dhe 300 konkubina, kurse gratë ia kthyen zemrën, e bindën që të besojë në shumë zota, drejt paganizmit dhe duke e larguar nga besimi në një Zot. Ai pati si bashkëshorte shtatëqind princesha dhe treqind konkubina; dhe bashkëshortet e tij ia çoroditën zemrën”. Kështu, kur Salomoni u plak, bashkëshortet e tij ia kthyen zemrën në drejtim të perëndive të tjera; dhe zemra e tij nuk i përkiste plotësisht Zotit, Perëndisë të tij, ashtu si zemra e Davidit, atit të tij…” (1 Mbretërve 11: 3-7)
Kur’ani i demanton këto shpifje kundër tij dhe thotë: “Ne Davudit i falëm Sulejmanin, rob shumë i mirë dhe shumë i kthyer nga Zoti.” (Sad: 30); “Ne i patëm dhënë Davudit dhe Sulejmanit dituri, e ata të dy thanë: I falënderohemi vetëm All-llahut që na dalloi (me të mira) mbi shumë robër të Tij besimtarë.” (En-Neml: 15)

7. Jobi - Ejubi [alejhis-selam]
Bibla thotë: “Atëherë Jobi hapi gojën dhe mallkoi ditën e lindjes së tij”. “Do t’i them Perëndisë: “Mos më dëno! Bëmë të ditur, pse grindesh me mua. A të duket mirë të shtypësh, të përçmosh veprën e duarve të tua dhe të tregohesh në favor të qëllimeve të njerëzve të këqij?” “… mësoni atëherë që Perëndia më ka trajtuar në mënyrë të padrejtë dhe më ka zënë në rrjetat e tij. Ja, unë bërtas: “Dhunë!”, por nuk kam asnjë përgjigje; bërtas për ndihmë, por drejtësi nuk ka!” (Job 3:1/ 10:2-3/ 19:6-7)
Kur’ani tregon se Ejubi [alejhis-selam] kurrë nuk i ka thënë këto fjalë, ai ka qenë që ka bërë Sabër - durim, ka qenë i përkushtuar ndaj Zotit dhe Zoti ia largoi ato vështirësi që kishte ku thotë: (Përkujto) Edhe Ejubin kur iu drejtua Zotit të vet me lutje: “Më gjeti belaja, e Ti je më Mëshiruesi ndër Mëshiruesit!” Ne iu përgjigjëm atij nga mëshira e Jonë, ia hoqëm ato vështirësi që i kishte, ia dhamë familjen e tij dhe aq sa ishin ata, dhe bëmë përkujtim për të devotshmit.”(Enbija 83-84)

8. Osea
Sipas Biblës, Zoti e urdhëron profetin Osea që të martohet me një prostitutë, ku thotë:“Kur Zoti filloi t’i flasë Oseas, Zoti i tha atij: “Shko, merr për grua një prostitutë dhe ki fëmijë të kurvërisë, sepse vendi po kurvërohet duke u larguar nga Zoti”.(Osea 1:2)

 

9. Jezusi - Isai [alejhis-selam]
Po të shikohet jeta dhe veprimtaria e Jezu Krishtit në Bibël, sidomos në Dhiatën e Re, do të gjejmë shumë kundërthënie, mospërputhje në tërë Dhiatën e Re, po ashtu edhe shpifje dhe trillime në adresë të tij. Kurse po të lexohet Kur’ani Famëlartë kur tregon për Isain [alejhis-selam]- Jezusin, shpifjet, trillimet që i bëhen atij ai i hedh poshtë. Do të përmendim veç katër prej tyre:

a) Misioni i Jezusit!!!
Bibla thotë: “Mos mendoni se unë erdha të sjell paqen mbi tokë; nuk erdha të sjell paqen, por shpatën. Sepse unë erdha ta ndaj birin nga ati, bijën nga nëna, nusen nga vjehrra”. (Mateu 10: 34-35);“Unë erdha të hedh zjarr mbi tokë dhe sa dëshiroj që ai të ishte tashmë i ndezur”. “Nëse ndokush vjen tek unë dhe nuk urren babanë e vet dhe nënën e vet, gruan dhe fëmijët, vëllezërit dhe motrat, madje edhe jetën e vet, nuk mund të jetë dishepulli im”. (Lluka 12:49/ 14: 26)
Kur’ani thotë: “Ne vazhduam gjurmët e tyre (të pejgamberëve) me Isain, birin e Merjemes, vërtetues i Tevratit që kishin më parë. Atij i dhamë Inxhilin, që është udhëzim i drejtë dhe dritë, që është vërtetues i Tevratit që kishin pranë, që ishte udhëzues e këshillues për të devotshmit.” (El-Maide: 46); “Pastaj vazhduam pas tyre me të dërguarit Tanë, e pas tyre dërguam Isain të birin e Merjemes dhe atij ia dhamë Inxhilin, e në zemrat e ithtarëve të tij dhuruam butësi e mëshirë.” (El-Hadid: 27)

b) Jezusi arrogant ndaj nënës së vet!!!
Bibla thotë: “Duke qenë se mbaroi vera, nëna e Jezusit i tha: “Nuk kanë më verë!” Jezusi i tha: “Ç’ke me mua, o grua? Ora ime s’ka ardhur akoma!” (Gjoni 2:3-4)Dhe dikush i tha: “Ja, nëna jote dhe vëllezërit e tu janë atje jashtë dhe duan të flasin me ty”. Por ai duke iu përgjigjur, i tha atij që e kishte lajmëruar: “Kush është nëna ime dhe kush janë vëllezërit e mi?” E shtriu dorën e vet drejt dishepujve të vet dhe tha: “Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi”. (Mateu 12:47-49)
Kur’ani thotë: “Ai (Isai) tha: Unë jam rob i All-llahut, mua më ka dhënë (ka caktuar të më japë) librin dhe më ka bërë Pejgamber. Më ka bërë dobiprurës kudo që të jem dhe më ka porositur me namaz (falje) e zekat për sa të jem gjallë! Më ka bërë të mirësjellshëm ndaj nënës sime, e nuk më ka bërë kryelartë as të padëgjueshëm! (Merjem: 30-32)

c) Kryqëzimi
Bibla thotë:“Jezusin, që ju e vratë, duke e varur në dru”. (Veprat 5:30)
Këtu tregohet se çifutët ia arritën qëllimit që ta mbysin, ta kryqëzojnë Jezusin - Isain [alejhis-selam], kurse Kur’ani kategorikisht e mohon mbytjen e Isait [alejhis-selam], duke thënë: “Përkujto kur engjëjt i thanë: Oj Merjeme, All-llahu të përgëzon me fjalën e vet (me lindjen e një fëmije si rezultat i fjalës së Zotit).” (Ali Imran: 45); “Madje për shkak të thënies së tyre: Ne e kemi mbytur Mesihun, Isain, birin e Merjemes, të dërguarin e All-llahut”. Po ata as nuk e mbytën as nuk e gozhduan (nuk e kryqëzuan në gozhda), por atyre u përngjau...” (En-Nisa: 157)

ç) A është Jezusi Zot???
Bibla thotë: “Ju më quani Mësues dhe Zot, dhe mirë thoni, sepse jam”. (Gjoni 13:13)
Nëse lexojmë Biblën në tërësi, do të shohim se ka shumë prej citateve që tregojnë se Jezusi nuk është Zot, dhe që e demantojnë citatin e lartpërmendur. Kjo shihet qartazi se është një trillim ndaj Jezusit që kinse Jezusi është Zot. Sa i përket Kur’anit, ai tregon bisedën e bërë në mes All-llahut të Madhërishëm dhe të dërguarit të Tij, Isait [alejhis-selam], citoj: “Dhe kur All-llahu tha: O Isa, bir i Merjemes, a ti njerëzve u the: Më besoni mua dhe nënës time dy zota pos All-llahut!? (Isai) Tha: Larg asaj të mete je Ti (o Zoti im). Nuk më takon mua ta them atë që s’është e vërtetë. Ta kisha thënë unë atë, Ti do ta dije. Ti e di ç’ka në mua, e unë nuk di ç’ka në Ty. Ti je më i dijshmi i të fshehtave!” (El-Maide: 116); “Bënë kufr (mohuan të vërtetën) ata që thanë: All-llah është ai, Mesihu, bir i Merjemes. E vetë Mesihu, (Isai) tha: O beni israil, adhuronie All-llahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj, sepse ai që i përshkruan Zotit shok, All-llahu ia ka ndaluar (ia ka bërë haram) atij Xhennetin dhe vendi i tij është zjarri. Për mizorët nuk ka ndihmës. Gjithashtu bënë kufr (mosbesim) ata që thanë: All-llahu është i treti i treve. S’ka në gjithësi tjetër pos një All-llahu, e nëse nuk pushojnë nga ajo që thanë (tre zotëra), do t’i kapë dënim i dhëmbshëm, ata që nuk besuan prej tyre.” (El-Maide: 72-73); “Vërtet, çështja e Isait (të lindur pa baba) te All-llahu është sikurse çështja e Ademit. Atë e krijoi Ai nga dheu, e pastaj atij i tha “Bëhu!” ai u bë.” (Ali Imran: 59)

Po ashtu, edhe rreth pejgamberëve tjerë që nuk i cekëm më lart ka shpifje dhe trillime.
Për shembull, kinse Ibrahimi [alejhis-selam] pranoi të bënte një martesë amorale me Sarën ose ai qe thjeshtë një gënjeshtarë i pafytyrë, shih tek Zanafilla 12:10-20 dhe 20:2-18. Ibrahimi u martua me gruan e tretë që quhet Keturah te Zanafilla 25:1, kurse te 1 Kronikave 1:32, Ketura përshkruhet si Konkubinë (grua pa kurorë) e Abrahamit. Këtu është edhe një kontradiktë shtesë e Biblës, grua apo konkubinë. Po ashtu, Bibla thotë se kurbani ishte i Is’hakut e jo Ismailit, Zanafilla 22:1-2. Kurse, siç është e ditur te muslimanët dhe siç e sqaron Kur’ani, Saffat 102-106, dhe hadithi i Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], kurbani është i Ismailit. Kurse tek pejgamberi Jeremia tregohet se ishte i mashtruar nga Zoti, Jeremia 20:7, ndërsa pejgamberët Isaia dhe Saulin Bibla i quan si pejgamberë që kanë profetizuar lakuriq, të zhveshur para masës, shihIsaia 20:3-4dhe1 Samueli 19:23-24. Kurse pejgamberin Nuhin e quan njeri dehës nën ndikimin e alkoolit dhe lakuriq, shih Zanafilla 9:21. Sansonin e quan njeri vrasës dhe zinaqarë tek Gjyqtarët 14:19 dhe 16:1, e shumë e shumë trillime dhe shpifje që nuk i cekëm për pejgamberët, e të cilat gjenden në Bibël.
Vallë si ka mundësi që të jetë në të njëjtën kohë edhe pejgamber edhe vjedhës, dhunues, plaçkitës, i pamoralshëm, alkoolist e tjera veti të ndyra e irituese të cilat e pamundësojnë vepruesin të jetë shëmbëlltyrë?
Përshkrimet, shpifjet e tilla ndaj pejgamberëve jo vetëm që nuk gjenden në Kur’an, por konsiderohen mëkatarë ata që iu mveshin këso epitete të dërguarve të Zotit të Madhërishëm.
Po e përfundoj me fjalët e All-llahut të Madhërishëm, i Cili në Kur’anin Famëlartë thotë: “Pasha All-llahun, patjetër do të merreni në përgjegjësi për atë që trillonit.” (En-Nahl: 56); “Pa dyshim ai që shpif ka dështuar keq.” (Ta Ha: 61) “Po a nuk është xhehennemi vend për jobesimtarët?” (El-Ankebut: 68)

* (Citimet e Biblës janë marrë nga Bibla - Diodati i Ri përkthim 1991-94, ndërsa citimet e Kur’anit janë marrë nga Kur’ani - përkthim me komentim nga Sherif Ahmeti)

 

Të gjitha të drejtat i takojnë Shtëpisë Botuese "Furkan ISM" © 2007-2008