logo
 
 

 

temat

Vështrim

PRANIA SHEKULLORE E KUR’ANIT NË GJUHËN SHQIPE NË JETËN SHQIPTARE

Prof. Dr. Muhamet PIRRAKU

Prania e Kur’anit ndër shqiptarët është e hershme sa edhe rrënjët e Islamit në trojet shqiptare etnike dhe historike. Me asgjë nuk mund të vihen në dyshim të dhënat e gjeografit Reihan El Biruni (975-1017), për takimin me  “myslimanë Bolgar” në “brigje të Adriatikut” dhe takimi i dijetarit Jakuti El Hameviu, më 1228, në Halep, me studentë myslimanë nga trevat e shtetit serb, nga të cilët ishte informuar se “Islami kishte hyrë në trevat e tyre para një kohe të gjatë me ftesën e shtatë myslimanëve nga viset bullgare që kishin qëndruar në mesin e tyre”. Është kjo koha e penetrimeve të Islamit nga Afrika në Sicili dhe në Itali, së këndejmi edhe në pjesën bregdetare shqiptare të Adriatikut, që do të forcohet me pushtimet anzhuane në Shqipëri, në shekullin XIII dhe XIV.
Për këto fakte, për këtu, të mjaftohemi me kaq. Ajo që duhet të kihet parasysh është fakti se koncepti mesjetar “serb” dhe “bolgar”, si dhe “sakalibe” (sllave) për kohën e Birunit dhe të Hameviut, ishte përcaktues i përkatësisë shtetërore, i shtetësisë, dhe jo i etnikumit as i kombësisë. Vërtet, vizita e Birunit ndodhi në periudhën e fuqisë dhe të shtrirjes më të madhe të Mbretërisë së Bullgarisë në tokat shqiptare, në kapërcyellin e shekullit XI, kur perandoria bullgare i kishte ngritur strukturat hierarkike të kishës shënnaumiane pravosllave. Një dëshmi për këtë është edhe fakti se Prizreni do të përmendet, për të parën herë, më 1020, “porsi ndeje e ipeshkvisë bullgare”.
Ndërkaq e dhëna e Hameviut konsiston me fillet e rritës së fuqisë shtetërore nemanide dhe vije pikërisht njëmbëdhjetë vjet pas autoqefalitetit të kishës pravosllave serbe shënsaviane nemanide me seli në Zhiçë. Konstatimi se studentët myslimanë nga trevat e shtetit serb i kishin thënë Hameviut se “Ne kemi ardhur në këto vende për të studiuar në fenë tonë, kështu që kur të kthehemi në trevat tona do të na nderojnë banorët e tyre dhe do të na besojnë udhëheqjen e çështjeve të fesë së tyre” flet për faktin se Islami kishte bërë hapa në trojet protoshqiptare para shtrirjes së pushtetit serb nemanid në këto troje. Me Islamin burimor kurrë nuk është synuar arabizimi i popullsive joarabe. Islami është rrugë e gjerë e Shpallë nga Drita e Dritave për Njerëzimin, me mundësi për t’u shpjeguar, për t’u kultivuar dhe për t’u trashëguar në gjuhë të popujve. Dëshmi ndër më të prekshme për këtë fakt është alhamiada spanjolle e shekujve të lulëzimit, thënë simbolikisht, të civilizimit arab islam dhe të shtetit Islam të kohës së Birunit dhe të Hameviut. Me argumente të fuqishme mund të konstatohet se nga fillimi i shekullit XI deri në fillim të shekullit XIII, d.m.th., në kohën e  Birunit  dhe të Hameviut, bullgarët sllavë dhe serbët sllavë nuk kanë pasur motive ekzistenciale politike, etnike dhe civilizuese për kalimin në Islam, në kushte të pranisë dhe të lulëzimit të kishës ortodokse pravosllave si instrument më i fuqishëm shtetëror perandorak dhe faktor kryesor në procesin e integrimit të kombësisë bullgare dhe serbe.
Aso kohe, motive ekzistenciale fetare, politike, sociale, etnike e civilizuese për kalimin në Islam kanë pasur popullsitë autoktone, parasllave në Ilirik, me prejardhje trakase (pomakët) dhe ilire: vllahët, torbeshët, goranët, shqiptarët dhe boshnjakët. Krishterimi, si fe dhe si civilizim, këso kohe, pra, në fill të ngjizjes së postulateve të kombësive evropiane, përjetonte dekadencë të plotë me prani të krizave organizative, administrative, liturgjike dhe kanonike, e veçanërisht në viset e Ilirikut ku takoheshin interesat shtetërore e fetare të perandorisë romake lindore dhe perëndimore të plakura me ato sllave bullgare e serbe në ngritje. Këso kohe katolicizmi ende nuk kishte struktura organizative e kishtare në trojet shqiptare, kurse herezia e bogumilizmit në trojet ilire nuk arriti të bëhej fe e vendit.
Vërtet, kisha shënnaumiane e shënsaviane  në shekujt X-XIV ndërpreu procesin e helenizimit  (greqizmit) të vllehëve, të pomakëve, të torbeshëve, të goranëve dhe të shqiptarëve në njësitë shtetërore të mbretërisë bullgare e serbe, kurse feja islame, së voni nga fundi i shekullit XIV, kur nisen themelet e civilizimit islam institucional osman në trojet iliro-shqiptare, shënjuan fillin e ndërprerjes së rrjedhës së greqizimit, të bullgarizimit dhe të serbizimit të etnive të përmendura më sipër, e të boshnjakëve të etnisë ilire. Kështu Islami tejkaloi synimet që kishte bogumilizmi para tij dhe pakontestueshëm do të bëhet faktor farkëtues në procesin e integrimit të njësisë etnokulturore të Shqipërisë, përkatësisht të kombësisë shqiptare, duke mbajtur në gjirin shqiptar, me identitet shqiptar të jashtëm dhe shpirtëror, veçanërisht torbeshët dhe goranët me gjuhën familjare sllave koine bullgare blegtorale e kishtare nga shekulli IX-XI. Vërtet, qenia historike e njësisë së Shqipërisë dhe të kombit shqiptar me emrin Shqipëri dhe shqiptarë është dhuratë e shenjtë e civilizimit paqësor islam. Islami është faktori kryesor edhe i integrimit dhe i qenies historike të  njësisë së kulturës dhe të kombësisë së arabëve, të turqve dhe të boshnjakëve. 
Ekzaminimet shkencore kritike historiografike, etnografike, dokësore, sociologjike, kulturore dhe jetësore, në përgjithësi në mjediset shqiptare islame e të krishtera, tregojnë qartë dhe pakontestueshëm se përhapja e Islamit si fe dhe si civilizim ndër shqiptarët është bërë në gjuhën shqipe në rrjedhë natyrore, të vullnetshme dhe paqësore, duke pasur mbështetje parësore mësimet dhe argumentet kur’anore të përkthyera dhe të interpretuara verbalisht në gjuhën shqipe. Pandashëm me Kur’anin janë përdorë shqip edhe Hadithi, Sheriati, Ixhmaja dhe Kijasi. Vërtet, shqiptarëve Islamin nuk ua solli me dhunë “robëruesi turk-osman”, siç propagandohet në vijimësi, por atë shqiptarët e gjetën nën çatinë e kërkuar perandorake osmane. E gjetën, sepse iu dashtë për ta pasur si mundësi për t’u çliruar nga koncepti kishtar mesjetar evropian: E kujt është kisha e tij është kombësia!
Në periudhën parakombëtare turke, deri nga fundi i shekullit XVII, kur me ndërhyrje të fuqishme nga Evropa nisi të ndërpritet procesi i islamizimit të shqiptarëve, me Islamin nuk u synua as turqizmi i individëve dhe as i masave që aderonin në Islam. Kjo është periudha e lulëzimit të Perandorisë Osmane, në të cilën mbretëroi paqja, toleranca dhe bashkëjetesa e udhëzuar nga mësimet kur’anore midis feve të Shpallura, etnive dhe kulturave të veçanta të popujve të veçantë. Vërtet, predikuesit e Islamit, veçanërisht në mjediset fshatare bujqësore e blegtorale shqiptare, të themi në të gjitha kohët, kanë qenë shqiptarë të shkolluar në qendrat urbane arsimore e administrative të mjediseve shqiptare, si dhe në ato të Perandorisë Osmane në mjediset turke, arabe ose persiane. Dëshmi më e mirë për këtë është sintaksa e gjuhës shqipe veçanërisht në mjediset shqiptare jourbane, e patrazuar dhe e pandikuar nga sintaksa arabe, persiane dhe turke e burimeve të Islamit. Nijeti në gjuhën shqipe për faljen e namazit, me imam ose pa imam, për agjërimin, për faljen e xhenazes e të tjera, duatë si ajo e gjumit, e bukës e të tjera, që zbatohen edhe sot shqip, kanë historinë aq sa edhe Islami ndër shqiptarët. Fenomene të ngjashme i kanë përcjellë edhe mjediset turke, boshnjake, torbeshe, gorane  dhe pomake, si edhe të gjithë popujt joarab të islamizuar.
Vërtet, gjatë predikimit të Islamit në mjediset shqiptare në tubime rasti (gosti e morte), në oda, në kuvende, në xhami, në teqe, në namazgjahe, në imarete, në mektebe, në medrese, në institucionet administrative, e gjetkë, ku kryesisht kanë frekuentuar meshkujt, burimet e Islamit, duke filluar me Kura’nin si bazë e të të gjithave, janë paraqitur në dy gjuhët: në atë të Kur’anit apo të literaturës bazike të civilizimit islam (persishte e osmane) dhe në gjuhën shqipe. Kështu, thënë simbolikisht, Kur’ani u foli shqiptarëve shqip historikisht kryesisht burrave, të cilët e kuptuan dhe kuptimin e tij shqip e mbajtën në ndërgjegje për të shenjtë. Fillimisht, meshkujt, kryesisht kryefamiljarët, mësimet kur’anore i sollën në gjirin familjar, si leksione fetare e moralizuese në gjuhën shqipe. Kjo ishte përfytyrim shqip i Kur’anit si vlerë hyjnore e pacenueshme me asgjë, si kultivimi i botëkuptimit për Islamin, si ndërgjegje njerëzore të parapëlqyeshme nga Zoti për këtë botë dhe për jetën e amshueshme të njeriut. Rrjedhimisht rezultoi fakti që Islami pushtoi jetën shpirtërore dhe materiale shqiptare më shumë si civilizim në bashkëjetesë me traditat, doket e zakonet vendore në rrjedhë të shekujve, duke pasur pikë referimi Kur’anin në zemër të njënisë së trinomit: Fe-komb-atdhe. Leksiku dhe civilizimi islam do të bëhet pronë edhe në jetën shpirtërore e materiale në mjediset e krishtera shqiptare, por edhe të etnive të tjera, veçanërisht në mjediset shqiptare e boshnjake.
Këtu duhet të theksohet fakti se edhe ekzistimi historik i enklavave gjuhësore dhe etnike joshqiptare në mjediset shqiptare historike është rezultat i tolerancës fetare, etnike e civilizuese të Islamit me mbrojtje të përhershme nga mësimet, këshillat, urdhrat dhe sanksionet për myslimanët të thëna qartë në Kur’an, në Hadith dhe në Sheriat.
Vërtet, prania shekullore e Kur’anit në gjuhën shqipe në jetën shqiptare është fakt historik i dëshmueshëm katërçipërisht me argumente që ruan trashëgimia etnokulturore shqiptare, kujtesa historike, doket dhe zakonet shqiptare, virtytet dhe ndërgjegjja kolektive shqiptare, letërsia popullore prozaike dhe poetike, jeta familjare jo vetëm në mjediset islame por edhe në ato të krishtera, veçanërisht në mjediset katolike brenda ledhit islam shqiptar, letërsia e Rilindjes Kombëtare Shqiptare duke filluar nga mesi i shekullit XVIII, qoftë edhe e shkruar nga krijuesit e krishterë katolikë apo protestantë, dhe mbi të gjitha trashëgimia letrare shqipe fetare moralizuese islame, e cila, realisht, qëndron në themele të letërsisë shqiptare të Rilindjes Kombëtare. 
Pra, për këtë moment të përimtojmë vetëm sa në vijim: Dëshmi e shkruar shqip se Kur’ani u foli shqiptarëve shqip shekuj me radhë janë shkrimet shqip fetare moralizuese islame, të cilat, sipas disa të dhënave, janë nga pjesa e dytë e shekullit XVI, por të prekshme, të evidencuara, janë nga pjesa e dytë e shekullit XVII. Kjo trashëgimi në letërsinë botërore, siç u tha gati në fillim, quhet alhamiadë, kurse në letërsinë shqipe njihet me emrin Letërsia e bejtexhinjve,  shkruar me grafi arabe. Në thelb është letërsi moralizuese, shoqërore, didaktike, sociale dhe satirike brenda kornizave të mësimeve dhe të porosive kur’anore dhe të hadithit, e shkruar kryesisht në frymën dhe metrin e letërsisë popullore shqipe. Faktikisht, në këto shkrime argumentet kur’anore, ajetet, kanë përjetuar interpretimin artistik shqip të rëndësishëm për kërkesat e jetës shqiptare islame.
Kjo traditë kur’anore e shkrimit shqip moralizues fetar islam në Kosovë ka qenë e pranishme deri në mesin e pjesës së dytë të shekullit XX. Nga shkrimet e Tahir Efendi Boshnjakut, të Daut Boriçit, të Hoxha Tahsinit, të Hafëz Ali Ulqinakut, të Tahir Efendi Llukës, të Rexhep Vokës, të Sheh Jonuz Efendisë, autorë këta të teksteve mësimore  për shkrimnxënie shqip dhe gramatikë arabe nga fundi i shekullit XVIII deri në fillim të shekullit XX, periudhë kjo e integrimit dhe e rilindjes së kombit shqiptar, mësojmë se në mektebet dhe medreset e mjediseve shqiptare argumentet e Kur’anit dhe Hadithi janë përkthyer lirshëm dhe interpretuar shqip gjerësisht. Sipas dhjetëra mualimëve e myderrizëve më në zë të Kosovës, të cilët kanë jetuar deri në vitet të 60-ta dhe të 90-ta të shekullit XX, ajo ka qenë traditë në mejtepet dhe medresetë  në mjediset shqiptare nga fillet e jetës së mejtepeve dhe të medreseve në këto vende, por që ka vazhduar edhe në periudhën pasosmane veçanërisht në pjesët e Shqipërisë nën robërinë serbe e jugosllave.
Duke përfunduar këtë tekst mbi praninë e Kur’anit në gjuhën shqipe në jetën shqiptare, e shoh të arsyeshme të spikas mbi këto fakte historike: Kur’ani - Shpallje e All-llahut, shqiptuar përmes Dritës së Pashuar - Pejgamberit Muhammed Mustafasë, historikisht është libri i  imagjinueshëm më i shenjti, dhuratë e Zotit më e paprekshme, me të cilën nuk mund të luhet as guxon të abuzohet. Si i tillë, Kur’ani në jetën shqiptare u bë argumenti i paprecedent për pajtimin e ngatërresave për çështje jetësore, morale e materiale midis individëve, familjeve dhe grupeve të shqiptarëve myslimanë. Beja shqip mbi Kur’anin, me 12 ose 24 pleq, që nisë me fjalët: “Pasha Kur’anin e All-llahut...!” ka mbyllë dhe i mbyllë hasmëritë më të mëdha të mundshme midis shqiptarëve myslimanë dhe nuk ka rast të jetë thyer pajtimi i arritur me Betimin në Kur’an. Mbi librin e Kur’anit janë lidhë besët e fiseve, të krahinave, dhe të Lëvizjes Çlirimtare Shqiptare nga fillet e Rilindjes Kombëtare. Edhe Betimi i Taksimit Hasan Prishtina - Ismail Qemali, më 1912, është kurorëzuar me betimin në Kur’an, Betimi i ushtarit të Mbrojtjes Kombëtare Shqiptare të Kosovës, më 1941-1944, u bë mbi armën, Kur’anin dhe Flamurin Kombëtar, plotësisht njësoj edhe Betimi i anëtarit të Organizatës Nacionale Demokratike Shqiptare, më 1945-1951. Dhe, edhe  Betimi i ushtarit të UÇK-së, për të gjallë të Adem Shaban Jasharit, u bë mbi Flamur kombëtar dhe armën, me kredon: Për Atdhe dhe Fe!
Krejt në fund, edhe si mesazh për kohën time, në këto thyerje morale të mëdha që po i përjetojmë, si individ dhe si kolektivitet, të kujtojmë së bashku dy vargje - mësim të mualimit dhe luftëtarit zulmëmadh, Mulla Hysejn Hysni Statovcit:
“Tue pas Kur’anin n’dorë
A so marre mu bo horë!?!”

Kjo kumtesë u lexua në Simpoziumin “Kur’ani tek shqiptarët”, Prishtinë, më 27 dhjetor 2005.

 

 
Të gjitha të drejtat i takojnë Shtëpisë Botuese "Furkan ISM" © 2007-2008