logo
 
 

 

temat

AHMEDITË DHE QËLLIMET E TYRE

Mr. Shaqir FETAHU

Megjithëse në trevat tona kultivohet dhe praktikohet Islami në formë të pastër, viteve të fundit tentohet me të madhe të prishet pastërtia e traditës islame të muslimanëve të këtyre trevave, traditë kjo e cila është kultivuar me shekuj të tërë. Këtë mundohen ta bëjnë sekte të ashtuquajtura islame të cilat nuk zgjedhin mjete, duke filluar prej atyre materiale e deri te ato fetaro-politike, me qëllim të shkatërimit të parimeve kryesore të besimit islam, të unitetit fetar të popullatës muslimane, këtu dhe më gjerë, si dhe me qëllim të institucionalizmit të tyre për të vepruar në mënyrë legjitime.
Ndër sektet më të rrezikshme, me destruktive dhe më të deformuara, e cila me të madhe dëshiron të depërtojë në Ballkan, e në veçanti në trevat ku jetojmë, është sekti Ahmedian, ose siç e quajnë ithtarët e tij “Xhemati musliman Ahmedian”.
Andaj, nisur nga qëllimet perfide dhe destruktive të këtij sekti, si dhe rrezikun që paraqet ky për muslimanët në përgjithësi, nevojitet një kujdes i veçantë dhe një veprimtari mirë e planifikuar me qëllim të njoftimit të opinionit me këtë sekt, duke zbuluar idetë e tij të prishura dhe të devijuara, si dhe qëllimet që fshihen pas tyre.

Formimi i sektit ahmedian
Sekti Ahmedian formohet në nënkontinentin indian në vitin 1889 nga Mirza Gulam Ahmedi, i cili u lind në vitin 1835 në fshatin Kadijan të krahinës Penxhab të Indisë. Emrin e mori në bazë të themeluesit të këtij sekti Mirza Gulam Ahmedit, por në të shumtën e rasteve ky sekt emërtohet edhe me emrin sekti i kadijanëve, sipas vendit ku ka lindur Mirza Gulam Ahmedi.
Ideja për formimin e këtij sekti lind në Londër nga ideologët e kolonializmit të atëhershëm anglez. Idealistët, strategët dhe ideologët e kolonizimit anglez, gjatë përpilimit të planeve dhe strategjisë për pushtimin e vendeve muslimane në botë dhe për mbajtjen nën pushtimin e tyre,  ishin të vetëdijshëm se muslimanët megjithatë kanë një fuqi lëvizëse e cila është në gjendje t’i bashkojë ata dhe t’i vë në lëvizje kundër çfarëdo force okupuese. Ajo forcë duhet të shkatërrohet me të gjitha mjetet. Kjo mund të arrihet vetëm me një metodë jashtëzakonisht perfide dhe me strategji mirë të planifikuar. Andaj vendosën që në nënkontinentin indian të formohet sekti i cili do të deklarohet si drejtim islam, por që në të vërtetë do të veprojë në deformimin e parimeve akaidologjike dhe juridike-morale të Islamit, duke iu përshtatur mësimeve të kolonializmit anglezo-krishterë. Sipas tyre, vetëm në këtë mënyrë mund të dobësohen dhe të përçahen muslimanët, e me këtë do të mundësohej okupimi i muslimanëvë dhe shkatërrimi i ndjenjave të tyre për fenë dhe traditën e tyre. Sekti i këtillë duhej të formohej përbrenda muslimanëve dhe bartës të tij duhet të jenë vet muslimanët.
Andaj, për nënkontinentin indian zgjodhën Mirza Gulam Ahmedin, familja e të cilit njihej mirë në krahinën e Penxhabit si proangleze dhe tradhëtare e interesave të muslimanëve. Vet babai i Mirza Gulam Ahmedit, Mirza Gulam Murtedi, njihej si shok më i ngushtë i pushtuesve anglez, i cili drejtëpërdrejtë iu ndihmoi atyre  që ta pushtojnë Penxhabin - Indi. Këtë e konfirmon vet djali i tij Gulam Ahmedi, i cili sjelljet e këtilla të babait të vet i vlerëson si të ndershme. Pra, Mirza Gulam Ahmedi u josh nga premtimet e anglezëve dhe sipas skenarit anglez shpall luftë kundër Islamit. Nënshtronte popullin duke iu thënë se i ka ardhur Shpallja dhe si i tillë është pejgamber. Filloi të përdorë fjalë të Kur’anit duke i komentuar ato në bazë të interesit të tij personal dhe në shërbim të interesave të kolonizatorit anglez. Vdiq në vitin 1908 pas një sëmundje të rëndë në stomak. Qendra prej ku ahmeditë zhvillojnë aktivitetet e tyre është Londra. Ithtarët e tyre më tepër janë të përjashtuar dhe të ndaluar. Numri i anëtarëve të tyre është afër një milion.
Vërtetësinë e gjithë kësaj që u tha më lartë e vërtetojnë vet fjalët e Mirza Gulam Ahmedit, i cili gjatë përhapjes së mësimeve të veta të shpikura ka thënë: “E kam parë melekun (Xhibrilin) në formën e anglezit të ri, i cili ishte në vitet e 20-ta të jetës së tij, u ul në karigë, e unë i thashë: “Ti me të vërtetë je personifikim i bukurisë”. Ai tha: “Po”. “Nuk i lejohet muslimanit të ngrit armët kundër anglezëve, për shkak se xhihadi është ngritë. Anglezët janë mëkëmbësit e All-llahut në tokë dhe nuk lejohet kryengritja kundër tyre”.

               

Mësimet e sektit ahmedian

Si çdo sekt tjetër edhe Ahmeditë mundohen të paraqiten si drejtim serioz, duke u munduar të kenë metodën dhe mësimet e tyre. Megjithatë, sado që mundohen të kenë mësime të bazuara në Islam. qëllimet e tyre antiislame lexohen shumë lehtë dhe shumë shpejt del në shesh destruktiviteti i tyre, për arsye se idetë, e mos të themi mësimet e tyre, bazohen në ide të shpikura nga vet Mirza Gulam Ahmedi, në ide të mësimeve krishtere dhe në gënjeshtra të ndryshme qe nuk kanë kurrfarë baze fetare e logjike.
Për shembull, disa nga mësimet e Ahmedive janë si vijon:
1. Zoti është ai i cili falet dhe agjëron, flenë dhe zgjohet, gabon dhe ka fëmijë, shndërrohet apo personifikohet në forma të ndryshme. Këtë e shohim nga fjalët e vet Mirza Gulam Ahmedit, i cili ka thënë: “Më thotë Zoti: unë falem dhe agjëroj, flejë dhe zgjohem...” (El Bushra, vëll. II, f. 97).
Pasiqë Zoti ka fëmijë, atëherë vet Gulam Ahmedi është djalë i Zotit. Këtë ata mundohen ta vërtetojnë me fjalët kur’anore ku flitet për Isaun [alejhis-selam]. Sipas zahmedive, këtu është fjala për Gulam Ahmedin. Vet Gulam Ahmedi thotë se e ka thirrur Zoti dhe i ka thënë: “Dëgjo o djali im... ti je prej meje e unë prej teje, shpina ime është ytja”.
Nga ky mësim qartë shihet ndikimi rrënjësor i filozofisë antropomorfiste greke dhe mësimet krishtere mbi Zotin dhe Isaun [alejhis-selam] si djalë i Zotit.
2. Misioni i pejgamberisë nuk ka mbaruar, ai vazhdon deri në Ditën e Kijametit, pasiqë ekzistojnë probleme dhe turbullira në tokë. E gjithë kjo kërkon të vijnë kohë pas kohe edhe pejgamber tjerë. Andaj Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] nuk është pejgamber i fundit dhe Mirza Gulam Ahmedi është pejgamber që ka ardhë pas Isaut dhe Muhmmedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. Ahmeditë shkojnë edhe më larg dhe thonë se Zoti i ka shpallur atij shpallje me emrin “El Kitabul mubin”, i cili sipas disa ahmedive është me i vlefshëm se Teurati, Inxhili dhe Kur”ani.
3. Përveç Mekës dhe Medines, edhe Kadijani, vendi ku është lindur Gulam Ahmedi, është i shenjtë, bile edhe më i vlefshëm se ato dyja. Prandaj edhe Haxhxhi duhet të kryhet në Kadijan, edhe atë madje njëherë në vit.
4. Gjithë njerëzimi do të shkojnë ne Xhennet, pa marrë parasysh a janë muslimanë, të krishterë apo jehudë.
5. Xhihadi - lufta në rrugën e All-llahut është ngritur dhe nuk është obligim për muslimanët. Armiku (anglezët) duhet të respektohen dhe t’u shërbehet atyre, sepse ata janë të zgjedhur nga Zoti për të sunduar dhe qeverisur. Me këtë mësim ahmeditë dëshirojnë të zbusin çdo tentim të muslimanëve për të zhvilluar fenë dhe traditën e tyre dhe për të çliruar vendin nga pushtuesit apo armiku, duke e vënë popullatën muslimane në shërbim të okupuesve kush do që të jetë ai.
6. Mësimet ahmediane janë të shenjta të cilave duhet patjetër besuar, sepse janë të frymëzuara nga Zoti përmes Mirza Gulam Ahmedit. Kush nuk beson në këtë ai nuk është besimtarë.
Nga këto dhe shumë mësime tjera të ahmedive shihet qartë se ata, me qëllim të përhapjes së ideve të tyre të prishura dhe destruktive, shërbehen me hamendje dhe gënjeshtra, me ndikim të mësimeve të huaja, si dhe me devijimin dhe shpjegimin me hamendje të ajeteve dhe haditheve të Pejgamberit Muhammed [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], e në të shumtën e rasteve edhe përmes mohimit të ajeteve kur’anore dhe haditheve të Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe me shpikjen e haditheve të rrejshme. Për ta vërtetuar këtë po sjellim një shembull që shihet nga vet fjalët e Mirza Gulam Ahmedit, të shënuara në veprën e tij me emrin  “Izaletul euhan”, ku mes tjerash thotë: “E kanë pyetur të Dërguarin e All-llahut për Dtën e Kijametit se kur do të ndodhë ajo. I Dërguari i All-llahut ka thënë: Dita e Kijametit do të ndodhë 100 vjet pas kësaj dite për gjithë njerëzit”.
Nga kjo shihet mohimi i ajeteve kur’anore dhe haditheve të Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], si dhe të shërbyerit e tyre me gënjeshtra dhe me shpikjen e haditheve të rrejshme, kur dihet mirë se fjalët kur’anore dhe hadithet e Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] vërtetojnë se kohën e ndodhjes së Ditës së Kijametit e di vetëm All-llahu i Madhërishëm e askush tjetër, e madje as pejgamberi i fundit Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem].

Qëllimet e sektit Ahmedian

Mëgjithëse udhëheqësit dhe ithtarët e sektit Ahmedian  janë shumë  perfidë në veprimtarinë e tyre dhe fshihen nën petkun e Islamit dhe deklarohen si muslimanë, qëllimet e tyre shumë lehtë zbulohen.
Qëllimet destruktive të tyre janë të shumta. Marrë parasysh rrezikun e madh që paraqesin ata sot, është me rëndësi të ceken ato që janë më me rëndësi dhe që duhet patjetër t’i dijë çdo musliman.
E gjithë veprimtaria e sektit Ahmedian në tërë botën, në të kaluarën dhe sot, bëhet për këto qellime kryesore:
1. Deformimi dhe devijimi i parimeve akaidologjike (besimore) të Islamit përmes të ideve të reja të cilat burimin e kanë nga mësimet e ndryshme, e në veçanti nga mësimi krishtere dhe mitologjia greke;
2. Dobësimi i natyrës dhe frymës së pastër dhe të fuqishme të parimeve islame në përgjithësi, duke filluar prej atyre të fushës akaidologjike e deri te ato juridike, morale etj.;
3. Futja e ideve të huaja në mesin e muslimanëve dhe përshtatja e Islamit ideve kolonialiste krishtere me qëllim që t’i ndihmohet strategjisë dhe realizimit të platformës krishtere kundër Islamit dhe muslimanëve në përgjithësi;
4. Shkatërrimi i unitetit të muslimanëve dhe përçarja e tyre me qëllim të realizimit sa më të lehtë të strategjive kolonialiste në të kaluarën për mbajtjen nën okupim të vendeve muslimane, ndërsa sot për degjenerimin e tyre në fushën fetaro-morale me qëllim të shkatërimit të muslimanëve dhe Islamit si forcë lëvizëse;
5. Dobësimi i forcës së muslimanëve dhe shkatërrimi i tyre nga brendia e tyre në mënyrë perfide dhe me metoda të ndryshme.

Mënyra e veprimit të sektit ahmedian
Pa marrë parasysh se sa arrin sukses në veprimtarinë e  tij, sekti ahmedian vepron pandërprerë në mesin e muslimanëve në tërë botën. Gjatë veprimit të tyre ata përdorin strategji të veçantë, duke i marrë parasysh rrethanat e mesit dhe vendit ku duhet të veprojnë dhe të realizojnë strategjinë e tyre. Kështu, në vendet ku Islami është thellë i rrënjosur dhe ku vetëdija e muslimanëve ështe në nivel të lartë ata fshehin idetë e tyre të vërteta, duke përgaditur terrenin për zbulimin e qëllimeve dhe ideve të tyre në masë. Analizojnë mirë terrenin dhe kohën se ku duhet dhe kur duhet të veprojnë. Përgaditja e tyre bëhet në atë mënyrë siç kërkon mesi ku duhet të veprojnë. Propagandën e tyre e zhvillojnë me një demagogji të pa parë, duke përdorur  mjete të ndryshme si pasuria, dhënia e bursave për shkollim, aftësimi i misionarëve, botimi i literaturës në gjuhë të ndryshme, mjetet informative etj. Në Londër ata realizojnë edhe programin e tyre satelitor përmes të cilit përhapin propagandën e tyre. Kjo tregon se ata kanë pasuri të madhe dhe finansohen nga qarqet perëndimore, e ne veçanti nga anglezët.
Ndikimin e tyre mundohen ta ushtrojnë në:
- rininë e cila është e papjekur dhe e dobët në njohjen e Islamit. Këtë e bëjnë duke përdorur mjete financiare dhe duke iu premtuar të rinjëve bursa për shkollim dhe karrierë në jetën e tyre;
- vendet ekonomikisht të dobëta dhe të varfëra ku njerëzit janë të nevojshëm për kafshatën e gojës dhe për mirëmbajtjen e familjeve të tyre. Përmes të mirave materiale arrijnë t’i blejnë një numër të konsideruar të njerëzve për qëllimet e tyre. Andaj nuk është çudi ajo se suksesin më të madh e kanë arritur në Afrikën Veriore dhe në nënkontinentin indian ku njerzit më tëpër vuajnë nga varfëria;
- në vendet ku emigrojnë njerëzit dhe në mjediset ku më tepër janë prezent refugjatët;
- në vendet ku ekziston zbrazëti shpirtërore, sidomos në vendet e Evropës Lindore ku ka sunduar ideologjia komuniste;
Kohëve të fundit ka tentime të depërtimit të këtij sekti edhe në trevat tona, në mesin e besimtarëve tanë ku vetëdija islame është e dobët. Mirëpo, falë aktivitetit dhe vetëdijes së teologëve-udhëheqësve fetar islam dhe besimtarëve në përgjithësi ata nuk mund të gjejnë fushë veprim në këto treva.

Qëndrimi Islam ndaj sektit ahmedian
Në bazë të ideve të proklamuara nga sekti ahmedian është shumë lehtë të definohen dhe të identifikohen ata. Duke marrë parasysh se ato mohojnë ajetet kur’anore ose i përkthejnë me hamendje, apo marrë parasysh se ata përgënjeshtrojnë hadithet e Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe merren me genjeshtra, pa dyshim se ky sekt është antiislam dhe ithtarët e tij janë jobesimtarë.
Këtë definim e dhanë edhe dijetarët e kohës kur u paraqitën për herë të parë Ahmeditë me mësimet e tyre. Posa paraqiten në skenë, kategorikisht u sulmuan nga dijetarët e mëdhenj të asaj kohe si: Shejh Senaul-llahu, Muhamed Ikballi, më vonë Ebu Hasan En Nedeviu, Abul A’la Meududiu etj.
I njëjti qëndrim ndaj këtij sekti ekziston edhe në kohën e sodit, kur dijetarët islamë janë unanim në mendimin se ky sekt është jo islam.
Kjo u pa edhe me rastin kur shkrimtari Sallman Rushdi, përndryshe ithtar i sektit ahmedian, u paraqit me librin “Vargjet satanike”, përmes të cilit thellë sulmohen parimet islame dhe fyhet personaliteti pejgamberik i Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem].
Pra, sekti Ahmedian është sekt antiislam i formuar nga qarqet angleze me qëllim të shkatërrimit të mësimit të pastër islam dhe të muslimanëve në përgjithësi. Marrë parasysh veprimin e tyre perfid dhe strategjinë e tyre demagogjike, besimtarët muslimanë maksimalisht duhet të kenë kujdes që mos të binë në kurthën e mësimit të tyre të prishur. Për këtë duhet të kenë gjithmonë parasysh fjalët e All-llahut të Madhërishëm i cili në Kur’anin famëlartë thotë:
“Feja e pranueshme tek All-llahu është Islami.” (Ali Imran:185)
“E kush kërkon fe tjetër përveç Islamit, atij kursesi nuk i pranohet dhe ai në botën tjetër është nga të dëshpruarit.” (Ali Imran: 85)
“Ata përpiqen që me gojët e tyre ta shuajnë dritën e All-llahut, e All-llahu nuk do tjetër, pos ta përsos dritën e tij, ndonëse jobesimtarët e urrejnë.” (Et Teube: 32)

 

Të gjitha të drejtat i takojnë Shtëpisë Botuese "Furkan ISM" © 2007-2008