logo
 
 

 

temat

ROLI I ULEMAVE NË LIDHJEN E PRIZRENIT (1878-1881)

Mexhid YVEJSI

All-llahu i Madhëruar e ka përcaktuar se kush janë besimtarë:
“Besimtarë janë vetëm ata që i besuan All-llahut, të dërguarit të Tij, e mandej nuk dyshuan dhe për hirë të All-llahut luftuan me pasurinë dhe me jetën e tyre. Të tillët janë ata të vërtetët.”
(Kur’an, 49:15)

Hyrje

“Haj medet për kit Shqipni,
Shtatë krajla n’ta janë hi:
Karadaki me Serbi…”
- Popullore

Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-1881) është një nga ngjarjet më të rëndësishme historike të kombit shqiptar. Rëndësia e madhe historike e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit shtrihet jo vetëm në të gjitha trojet shqiptare, por edhe në Ballkan, madje edhe në tërë Evropën.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit e zgjoi,  e zhvilloi dhe e përparoi vetëdijen kombëtare shqiptare. Ajo me përpjekje të mëdha e ngriti këtë veprimtari në shkallën më të lartë, duke e organizuar edhe luftën për autonomi-pavarësi...
Lidhja Shqiptare e Prizrenit e çoj, e ngriti për herë të parë çështjen kombëtare shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Trajtimi i drejtë i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit përmban njohjen e kushteve dhe marrëdhënieve politike, ekonomike, shoqërore, kulturore dhe në veçanti atyre fetare.
Feja, në veçanti Feja Islame, prej shumicës së studiuesve, historianëve, nuk është përfillur. Nuk janë përfillur as institucionet e saj, as objektet e saj: xhamitë, teqetë, mejtepet, medresetë, ku janë zhvilluar veprimtari të ndryshme gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit...
Nuk janë përfillur as titujt e nderuar fetar si myfti, kadi, haxhi, myderriz, hafiz, shejh, hoxhë, imam, mulla, dervish etj.
Gjithashtu, nuk janë përfillur as dijetarët e saj ose ulematë shqiptarë.
Ulematë shqiptarë, jo vetëm që nuk janë përfillur, por janë përbuzur, janë nënçmuar, madje edhe janë akuzuar si “turkoshak”, “turkofil”, “turkoman” “sulltanistë” edhe me emra tjerë edhe më të pistë...!
E vërteta është se, ulematë shqiptarë ishin mendja, zemra dhe shpirti i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Roli i ulemave në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit
Roli i ulemave në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit do të kuptohet më mirë kur të kuptohen, pranohen dhe zbatohen, në jetën e përkohshme tokësore porositë e përhershme hyjnore.
Religjioni ose feja, sipas enciklopedistëve anglo-amerikanë, është faktor përcaktues për jetë a vdekje, qoftë si individ apo si shoqëri, dhe në gjirin e saj ajo përfshinë gjërat më themelore: rregullin dhe domethënien e jetës...
Feja, sipas William James-it, psikolog amerikan, na jep siguri dhe lumturi në jetë; në marrëdhënie me të tjerët ajo është burim dashurie.
Mungesa e besimit, e dashurisë, sjellë urrejtje. Urrejtja sjellë sëmundje. Njerëzit e sëmurë kanë nevojë për t’u shëruar dhe jo për të shkruar histori të shtrembëruar!
Traktati i Paqes, i imponuar, ndërmjet Perandorisë Ruse dhe Perandorisë Osmane, i shkëpuste rreth 80 për qind të territorit që Turqia kishte në Gadishullin Ballkanik, gjysmën e trojeve shqiptare.
Me nënshkrimin e Traktatit të Shën Stefanit me 3 mars 1878, me vendimet e Kongresit të Berlinit prej 13 qershor-13 korrik 1878, Perandoria Osmane përjetoi tronditje të mëdha politike, e bashkë me të edhe shqiptarët që ndodheshin në përbërje të saj.
Kombit shqiptar dhe trojeve të tyre etnike nuk iu dha kurrfarë rëndësie prej kancelarive të Fuqive të Mëdha, madje ata e kërcënonin se do ta copëtonin. Thënia që i atribuohet Bismarkut: “Nuk ka komb shqiptar, Shqipëria është vetëm një shprehje gjeografike” e dëshmon gjendjen e shqiptarëve shumë katastrofike. Në fakt, ky problem i ruajtjes së tërësisë së Shqipërisë kishte filluar në vitet e Krizës Lindore 1875-1878.
Shqiptarëve rreziku më i madh i vinte prej vendeve fqinje: Italia, Greqia, Bullgaria, në veçanti nga Serbia dhe Mali i Zi.
Poeti i madh, prifti i lartë katolik-françeskan, Gjergj Fishta, duke e parë rrezikun nga fqinjët, te kryevepra e tij Lahuta e Malcis u drejtohet shqiptarëve:
      “Por, pse na të vogjël jemi
        Pse fis e vlla nuk kemi
        Na sod shkjaut s’mund t’i bajmë ballë
        Qi po do t’na përpijë gjallë,
        Prandej, thom se e lyp e mara
        Qi dhe sot na, si përpara,
        Të rrim njit me mbret t’Stambollit
        Për me i bamun ballë Nikollit…”
Poeti i madh i kombit, prifti i lartë i Kishës Katolike, Gjergj Fishta, vetë e shikonte Mbretin, Sulltanin, Turqinë, Stambollin, në atë periudhë të vështirë për shqiptarët dhe trojet e tyre, si shpëtimtar dhe si një faktor i bashkimit kombëtar, përballë fqinjëve serbo-malazezë.
Në këto rrethana shumë të ndërlikuara, ulematë shqiptarë me veprimtari e dëshmuan atë që besuan.
Ulematë shqiptarë ishin zhveshur nga gjërat e kota, që rrjedhin nga bota; ata me shembullin e vet, me besim, me dituri, me pasuri, dëshmuan me devotshmëri se për shqiptar nuk ka jetë pa Shqipëri. 
Ulematë shqiptarë i filluan përgatitjet për themelimin e një lëvizje politike-ushtarake që në muajin mars të vitit 1878. Mbledhjet u mbajtën nëpër xhami, teqe, mejtepe dhe medrese...
Kuvendi themelues, Kuvendi i Përgjithshëm i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u organizua prej ulemave. Ulematë ishin mendja, zemra dhe shpirti i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Të gjitha Komitetet e Lidhjes, apo degët e saj, që ishin themeluar në të gjitha qytetet shqiptare, ishin organizuar prej ulemave, prej Gjakovës deri në Shkodër, nga Prishtina deri në Dibër, e që u përhapen me të shpejtë edhe në Shqipërinë e Jugut, deri në Janinë.
Në Kuvendin e Përgjithshëm të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku morën pjesë rreth treqind përfaqësues, madje edhe nga Sanxhaku e Bosnja, prej të cilëve dihen emrat e rreth 150 përfaqësuesve, 96 ishin nga Kosova, 26  nga Vilajeti i Shkodrës, të tjerët nga Vilajeti i Manastirit dhe i Janinës, shumica prej përfaqësuesve ishin ulema (dijetarë islamë).
Dega e Gjakovës kishte shumë ulema, prej tyre dallohen, Kadiu i Gjakovës, Ahmed Efendi Korenica, Myfti i Gjakovës, Ismail Efendi Yvejsi, Myderriz Hasan Efendi Shllaku, Baba Ademi i Bektashinjve, Shejh Emini i Sa’adive.
Dega e Shkodrës kryesohej nga Myderriz Daut Efendi Boriçi (1825-1896) i cili kishte mbështetje nga Myftiu Jusuf Efendi Tabaku.  
Dega e Ulqinit kishte në kryesi dy veprimtarë të shquar, Hafiz Salih Hylja dhe Hafiz Tamizin.
Dega e Pejës përfaqësohej nga Myderriz Haxhi Zeka.
Dega e Prizrenit kryesohej nga Myderriz Ymer Efendiu.
Dega e Mirovicës nga Myderriz Osman Efendiu dhe Myderriz Ali Efendiu.
Dega e Prishtinën përfaqësohej nga Myftiu Zejnel Abedini.
Bajrakun e Lubinës e kryesonte Mulla Hasani.
Tetova përfaqësohej nga Shejh Mustafa.
Dega e Dibrës  kishte veprimtarë Hoxhë Moglicën dhe Shejh Hysenin.
Dega e Shkupit kishte veprimtar të dalluar Myderriz Abdyl Efendiun, i cili ishte myderrizi kryesor i Shkupit, që u burgos me Abdyl Frashërin në muajin prill të vitit 1881 në burgun ushtarak, në Kalanë e Prizrenit, kur Dervish Pasha hyri në Prizrenin.
Në të gjitha degët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në katër vilajetet shqiptare, ulematë ishin shtylla kryesore e tyre. Disa ishin, siç thuhet sot, më të moderuar, disa më konservatorë, disa të tjerë më radikal. Por, secili prej tyre ishte i veçantë.
I veçantë ishte Myderriz Haxhi Ymer Prizreni, me tipare luftarake, por edhe me ndikim të madh shoqëror, kulturor e pedagogjik; i përafërt ishte edhe Myderriz Haxhi Zeka. Këta dy ishin nga figurat më të shquara të ulemave të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Ulematë shqiptarë përveç organizimit, drejtimit dhe fuqizimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, zhvilluan edhe veprimtarinë kulturore-pedagogjike.
Prej themelimit, prej Kuvendit të Përgjithshëm të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i cili i zhvilloi punimet në Xhaminë Bajrakli, jo aty në atë shtëpinë e vogël, e cila ishte mejtep (mësonjëtore), e deri në shuarjen e saj me luftë, prill-maj të vitit 1881, ulematë ishin ata që i shkruan shumicën e akteve, peticionet, memorandumet; shkruan, përpiluan, hartuan Kararnamen (Akt-vendimin), Talimatin (Urdhëresat) etj. Prej  këtyre shkruesve dallohen ulematë pedagogë që ishin punëtorë të arsimit, pra ishin myderrizët, si myderriz Ymer Prizreni, myderriz Ismail Efendi Yvejsi, myfti nga Gjakova, myderriz Ali Efendiu nga Mitrovica, Myderriz Daut Efendi Boriçi nga Shkodra etj.
Ulematë ishin frymëzuesit, organizuesit e protestave kundër vendimeve të Kongresit të Berlinit që po vendosnin të copëtonin trojet shqiptare. Ulematë ishin frymëzuesit, kur e lypte nevoja, edhe të luftës së armatosur. Ngjarjet e Gjakovës që e tronditën Evropën, shtator 1878, ku u vra përfaqësuesi i Turqisë, gjenerali Mehmet Ali Pasha me Abdullah Pashë Drenin, mikpritësin nga Gjakova, dhe qindra të tjerë, ishin frymëzuar nga Myderriz Ymer Prizreni, nga Kadiu i Gjakovës, Ahmed Efendi Korenica dhe disa ulema të tjerë.
Kështu ndodhi edhe në mbrojtjen e Plavës, Gucisë, të Ulqinit.
Në luftën që u zhvillua në Slivovë e Shtime, prill 1881, ku u vranë dhe u plagosën rreth 1.200 luftëtarë, mes tyre edhe Mic Sokoli, aty u zu gjallë Mulla Hyseni, i cili u ekzekutua pa gjyq, me Ali Nimanin, oficer, dhe Sefë Kosharën.
Shpirtin luftarak të ulemave, pa dyshim, e përfaqëson, përveç të tjerëve, Myderriz Haxhi Ymer Prizreni.  
Aristoteli (384-322) thoshte se poezia është më filozofike, më e vlefshme se historia, sepse poezia priret të shpreh të përgjithshmen, kurse historia të pjesërishmen.
Në një poezi, këngë trimërie popullore, që i kushtohet Myderriz Haxhi Ymer Prizrenit, para betejës në Qafë t’Morinës, afër Gjakovës, pranverë 1881, mendoj se shprehet mjaft bukur e përgjithshmja për ulematë.      

Kush ja jep mretit ni plum
(Kushtuar Myderriz Haxhi Ymer Prizrenit)
Ymer Efenija, trim shqiptar,
Sylejmani ni komandar,
I tubuan tre mi’ luftarë,
Tanë malsorë, n’plisa t’bardhë,
N’Qafë t’Morinës kokan dalë,
Sylejmani majti fjalë:
- Ngoni ju vllazën shqiptarë,
Do t’i dalim turkut përballë;
Dervish Pasha n’Gjakovë a ardhë,
Për m’i zanë krent, m’i vjerr’ vet,
Me coptue kët ven t’shkretë.
- Efeni, çka me ba,
A ban turkut pushkë m’i ra?
Myderrizi kish pas thanë:
- Kur asht fjala për vatan,
Jo veç turkut e atij tjetrit,
Po ni plum kush ja jep mretit,
Ka me shkue n’lule t’Xhenetit!
Fjalët e hoxhës kur i nguen
Të tanë burrat n’kam u çuen,
Lidhën Besë e pajtuen gjaqe,
- Me ven tonë s’ka pazarllaqe...!       
All-llahu i Madhërishëm e ka përcaktuar kush janë besimtarët:
“Besimtarë janë vetëm ata që i besuan All-llahut, të dërguarit të Tij, e mandej nuk dyshuan dhe për hirë të All-llahut luftuan me pasurinë dhe me jetën e tyre. Të tillët janë ata të vërtetët.”  (Kur’an, 49:15)
Me pak fjalë, ky ishte roli i ulemave në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Këtë nuk duhet harruar kurrë, as nuk duhet lejuar të tjerët ta harrojnë, sepse atëherë e harrojmë vetveten.

Burimet dhe literatura kryesore:

1. Noel Malkolm, Kosovo a short history, Harper Cillins, 1999
2. Xhafer Belegu, Lidhja e Prizrenit, Tiranë, 1939
3. Ali Hadri, “Kontribut për ndriçimin e “L.P.” “Përparimi” Prishtinë, 1967
4. Vjetar, Nr.XII-XII, 1981, Prishtinë, Arkivi i Kosovës
5. Gjurmime albanologjike, Nr.32-32, 2001-2002, Seria e shkencave historike, Instituti Albanologjik i Prishtinës
6. Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, Konferenca Shkencore e 100-Vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Referate dhe kumtesa të mbajtura në Sesionin e Historisë
Prishtinë, 6-9 qershor 1978,  Prishtinë, 1981
7. Feja, Kultura dhe Tradita Islame Ndër Shqiptarët, (Simpozium ndërkombëtar-15,16, 17 tetor 1992, Prishtinë), Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, Redaksia e botimeve historike, Prishtinë, 1995
8. Kristo Frashëri, Lidhja e Prizrenit (1878-1881), Tiranë, 1956
9. Selami Pulaha, Programi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për krijimin e provincës autonome të Shqipërisë, “Studime historike” 2, Tiranë, 1978
10. Universitet Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, Tiranë, Historia e Popullit Shqiptar, Vëllimi i Dytë, Hartuar si tekst nga: Selim Islami dhe Kriso Frashëri, Prishtinë, 1968
11. Vjetar, Nr. XXXV-XXXVI, 2006, Prishtinë, Arkivi i Kosovës
12. Gjurmime albanologjike, Seria e shkencave historike Nr. 10, Prishtinë, 1981
13. Qemal Mataj, Ymer Prizreni (1820-1887), Prizren, 2002
14. Nuredin Lushaj, Këngë trimërie nga Tropoja, Tiranë, 2003
15. Instituti Albanologjik i Prishtinës, Këngë Popullore të Rilindjes Kombëtare, Prishtinë, 1978

Të gjitha të drejtat i takojnë Shtëpisë Botuese "Furkan ISM" © 2007-2008