logo
 
 

 

temat

NDIKIMI I FESË NË ÇLIRIMIN E NJERIUT

Omer Sulejman ESHKAR

“Atëherë (kur shkopi i Musait i gëlltiti) magjistarët u hodhën në sexhde e thanë: Ne i besuam Zotit të Harunit dhe të Musait! Ai (faraoni) tha: A i besuat atij para se t’u japë unë leje? Ai (Musai) është prijës i juaj, i cili ua mësoi magjinë, unë do t’ua pres duart e këmbët tërthorazi e do t’u var në trungujt e hurmave, e atëherë ju do ta kuptoni se cili prej nesh ka dënim më të ashpër e më të vazhdueshëm? Ata thanë: Pasha Atë që na krijoi, nuk të japim përparësi ty ndaj argumenteve që na erdhën, e ti bëje atë që mendon ta bësh, dhe mund ta zbatosh vetëm atë që i takon jetës së kësaj bote! Ne i besuam Zotit tonë që Ai të na i falë gabimet dhe magjinë, me të cilën ti na detyrove. All-llahu është më i miri (në të shpërblyerit) dhe më i përjetshmi (në të dënuar)!” (Ta Ha: 70-73)

Liria dhe robërimi
Falënderimi i takon All-llahut, Zotit të botëve, salavati dhe selami qofshin mbi Pejgamberin i dërguar si mëshirë për tërë njerëzimin, familjen e tij, as’habët dhe të gjithë ata që kanë pranuar udhëzimet dhe Sunnetin e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Fjala “liri” është fjalë e ëmbël dhe tingëllon bukur në veshët e ithtarëve të “lirisë”, e njëkohësisht vështirësi dhe pakënaqësi për shpirtrat e kundërshtarëve të tyre dhe pikëllim për ata që nuk e gëzojnë atë. “Liria” është tregim i njohur i cili nuk ndalet së rrëfyeri një kohë të gjatë: për të kanë shkruar vargje poetët, në zbatimin e saj janë thirrur kolosët dhe qëllimmirët, dhe shumë herë janë skicuar plane për implementimin e saj dhe heqjen e robërisë. Shumë njerëz kanë flijuar jetët dhe pasuritë e tyre në rrugën deri te liria, e ditën kur e arritën atë, e shpallën ditë feste. Sado që të shfletojmë faqet e historisë duke shikuar popuj të ndryshëm, nuk do të gjejmë popull i cili e konsideron robërinë gjë të bukur dhe mos të ketë dashur që të largohet nga ajo drejt lirisë.
Rrethi i robërisë nga i cili ik njeriu është shumë i ngushtë dhe nëse ai arrin të del prej tij, ai mendon se është i lirë. Megjithatë, në realitet kjo nuk është dalje në liri. Duke vështruar me kujdes, do të hetojmë mbështjelljen me prangat e robërisë së urrejtur të cilën populli aspak nuk e ndjen, por duke kremtuar atë ditë, bie në robëri të re. Në këtë mënyrë nënshtrimi e bën njeriun rob i cili shitet dhe blihet. Njeriu i tillë nuk pyetet për asgjë.
Në situatë të tillë njeriu është i prirë për të robëruar dhe nënçmuar. Kështu një shtet kolonizon shtetin tjetër, një popull popullin tjetër... Gjatë shekujve kanë ekzistuar bashkësi të cilat i kanë përndjekur dhe shtypur të tjerët, të pasurit i kanë shfrytëzuar të dobëtit, fitimtarët të humburit, duke i nënshtruar për interesat e veta, duke i eksploatuar frytet e punës së tyre dhe pasurisë së tokave të tyre. Në të shumtën e rasteve nënshtrimi e arrin vetë kufirin e shkatërrimit të plotë të kombit.
“Me të vërtetë, faraoni ka ngritur kokën lart në tokë, e popullin e saj e grupëzuar dhe një grup prej tyre e shtyp, ashtu që djemtë e tyre ua mbyt, e gratë e tyre ua lë të jetojnë. Vërtet, ai ishte prej më shkatërrimtarëve.” (El-Kasas: 4)
Bota bashkëkohore nuk është liruar nga e liga që quhet nënshtrim, edhe pse mundohet që atë ta mbështjellë bukur. Popujt e fuqishëm të kohës bashkëkohore, në emër të civilizimit dhe kulturës, dhe me pretekst të ofrimit të ndihmës për të pandihmët, i kanë nënshtruar më të dobëtit.
Neve muslimanëve na ka goditur pikërisht ky sprovim. Armiqtë tanë janë ndërsyer ndaj nesh: rrënuan hilafetin osman, pastaj ndanë shtetin islam në shtete të vogla, duke i thithur të mirat tona, duke vrarë dhe nënçmuar njerëzit tanë. Ky terrorizëm është i pranishëm në rajonet ku jetojnë muslimanët, e shembull për këtë janë vuajtjet e muslimanëve të Palestinës, Afganistanit, Filipineve... etj.
Gjithsesi, populli i goditur nga sprovat e tilla e do lirinë dhe është i gatshëm që për të të bëjë rezistencë mbinjerëzore, ndërsa, nga ana tjetër, individët e dobët janë të prirë të dorëzohen dhe të pajtohen në bashkëjetesë me nënshtrimin dhe nënçmimin.
Krahas kësaj duhet përmendur vetinë e besimit të verbër, të cilit edhe sot e kësaj dite i dorëzohen grupe të veçanta të popujve, duke e mbajtur në mënyrë fanatike dhe duke u sakrifikuar për të.
Njeriu në të kaluarën ka qenë i ekspozuar shumë veprimeve të gabueshme për shkak të mosnjohjes së asaj që e rrethon. Ai do të tmerrohej para lëshimit të natës dhe paraqitjes së hënës e cila e ndriçon, gjë që i dukej e madhërishme. Pas natës, do të mahnitej me paraqitjen e diellit i cili fshinë errësirën dhe mënjanon dritën e hënës dhe yjeve.
Kështu nga dita në ditë ka ngelur i mahnitur nga këto dukuri.
Pastaj do të qëndronte përpara maleve krenare dhe të palëvizshme, duke ndjerë atë vogëlsinë e vet përpara madhësisë së tyre, ndërsa kur kthehej kah bregu i detit të shqetësuar, valët e të cilit ngrehen si kodra, do gjendej para një çudie.
Në një gjendje të këtillë, njeriu në qenien e vet formon frikë dhe respekt përpara këtyre krijesave të cilat e rrethojnë nga të gjitha anët dhe sikur i flasin pa zë: ne prej teje kërkojmë që të na adhurosh. Kësaj njeriu i përulet dhe fillon t’i lutet dhe të lavdërojë gjithçka që e rrethon. Me zhvillimin e vetëdijes njeriu fillon të shqyrtojë gjendjen e vet, edhe pse ekzistojnë individë të cilët nuk i kanë hapur shpirtrat e vet para “hyjnive” të pandihmë, të cilëve disa u nënshtrohen! Në këtë rishqyrtim të mençurit deri në një farë kufiri të caktuar do të mund të përballojnë që mos të bien nën ndikim të rrethinës. Në këtë mënyrë do të mbahen përderisa të kenë kurajon, megjithatë, kur të ndalen dhe t’u humbasë fuqia, i dorëzohen bashkësisë. Madje në këtë rrugë do të flijonin pasuritë dhe jetët e tyre! Përse? Pikërisht për shkak të botëkuptimeve dhe parafytyrimeve të gabueshme momentale të cilat u janë imponuar.
All-llahu i Madhërishëm, nga mëshira që ka ndaj njeriut, dërgoi të Dërguarit e Vet te secili popull për ta çliruar njerëzimin nga adhurimet e gabuara të cilat e kaplojnë vetëdijen e njeriut. Ato janë parë në pranimin e disa dukurive të caktuara natyrore për zota, duke anashkaluar All-llahun Një. Dukuritë natyrore, sipas mësimeve islame, kanë për qëllim argumentimit e madhërisë dhe fuqisë së All-llahut. Ato shprehin fuqinë e All-llahut.
Krijesat e natyrës tregojnë përulësi dhe nënshtrim ndaj All-llahut të Madhërishëm si Krijues i tyre dhe ato pa rezervë i nënshtrohen Atij.
All-llahu i Madhërishëm me qëllim të caktuar krijoi Tokën dhe qiejt, pastaj u tha: “... Qasuni urdhrit Tim me dëshirë ose me dhunë! Ato të dyja thanë: Po i qasemi me dëshirë!” (Fussilet: 11)
Këto krijesa adhurojnë dhe lavdërojnë All-llahun, duke i bërë sexhde dhe duke e falënderuar në mënyrë të cilën ne nuk mund ta kuptojmë.
“... e nuk ka asnjë send që nuk e madhëron (nuk i bën tesbihë), duke i shprehur falënderim Atij, por ju nuk e kuptoni atë madhërim të tyre (pse nuk është në gjuhën tuaj)...” (El- Isra: 44)
“A nuk e di për All-llahun se Atij i nënshtrohet (i bën sexhde) kush është në qiej dhe kush është në tokë, edhe dielli, edhe hëna, edhe kodrat, edhe bimët, edhe shtazët, e edhe shumë njerëz, po shumë janë që dënimi është meritë e tyre. Atë që e poshtëron All-llahu, nuk ka kush që mund ta bëjë të ndershëm. All-llahu punon atë që dëshiron.” (El-Haxhxh: 18)
All-llahu i Madhërishëm e dërgoi babanë e të gjithë pejgamberëve, Ibrahimin [alejhis-selam], popullit që adhuronte yjet, Hënën dhe Diellin. Duke debatuar me ta, ai u argumentoi se adhurojnë atë që nuk është e denjë që të jetë e adhuruar, atë që nuk posedon cilësi të vërteta hyjnore e as fuqi krijuese.
“E kështu Ibrahimit ia mundësuam t’i shohë madhësitë e qiejve e të tokës për t’u bërë edhe më i bindur. E kur atë e mbuloi nata, ai e pa një yll e tha: “Ky është Zoti im!” E kur u zhduk ai (perëndoi) tha: “Unë nuk i dua ata që humben”. Kur e pa hënën të posalindur tha: “Ky është Zoti im!”, e kur perëndoi ajo, tha: “Nëse Zoti im nuk më udhëzon, unë do të jem prej njerëzve të humbur!” Kur e pa diellin të lindur, tha: “Ky është Zoti im, ky është i madh!”, e kur ai perëndoi, tha: “O populli im, unë jam i pastër nga ajo që ju i shoqëroni!” Unë me veten time i drejtohem Atij që krijoi qiejt e tokën, larg besimeve të tjera; unë nuk jam prej atyre që i përshkruajnë shok! Po atë e (me Ibrahimin) polemizoi populli i tij, e ai tha: “A polemizoni me mua rreth All-llahut, e Ai më udhëzoi? Unë nuk u frikohem atyre që ju ia bëni shok, vetëm nëse Zoti im do ndonjë send (të më godas, ai më godet). Me dijen e Tij Zoti im ka përfshirë çdo send, a nuk e merrni me mend?” (El-En’am: 75-80)
Secili pejgamber i sqaroi popullit të vet në thelb edhe kuptimin e ekzistimit të kozmosit, ashtu që mos të kenë parafytyrime të rreme dhe që gjatë kohës mos të devijojnë nga feja.
“Nga faktet e madhështisë së Tij janë nata, dita, dielli e hëna. Mos i bëni sexhde as diellit, as hënës! Sexhde bëni vetëm All-llahut, i Cili i krijoi ato, nëse adhuroni vetëm Atë!” (Fussilet: 37)
Megjithatë, njerëzimi u thellua në besim të shtrembër duke adhuruar idhujt e verbër dhe të palëvizshëm, apo të vdekurit të cilët nuk mund të sjellin dobi, as të bëjnë dëm, të cilët nuk posedojnë fuqinë e dhënies dhe marrjes së jetës dhe fuqinë e ringjalljes. Zotat i kanë bërë me duart e veta, që pastaj t’u përulen dhe të kërkojnë ndihmë prej tyre. Gjithashtu me duart e veta i kanë varrosur të vdekurit, e pastaj prej tyre kërkonin ndihmë, kurse veprat kësaj bote i bënin në emër të tyre.
All-llahu i Madhërishëm i dërgoi pejgamberët e Vet që ta çlirojnë njerëzimin nga devijimi i cili ia nënshtron arsyen e njeriut drurit, gurëve dhe të vdekurve. Ata në këtë rrugë kanë dhënë shumë mund, duke e ngritur njerëzimin përmes diskutimeve, shembujve të ndryshëm dhe duke përballuar shumë sprovime dhe fatkeqësi.
“Ai i tha: “A ju dëgjojnë ata juve kur u luteni?” Ose: “A u sjellin juve dobi apo dëm?” Ata thanë: “Jo, por kështu i gjetëm se bënin edhe prindërit tanë!” (Esh-Shuara: 72-74)
“O ju njerëz, ja një shembull, veni veshin pra: Vërtet ata që po i adhuroni në vend të All-llahut, ata nuk mund të krijojnë asnjë mizë, edhe nëse tubohen të gjithë për të, e po ashtu, nëse miza ua rrëmben atyre ndonjë send, ata nuk do të mund ta shpëtojnë atë prej saj. I dobët është edhe lutësi edhe i luturi.” (El-Haxhxh: 73)
Megjithatë, shumica e njerëzve mbeti në devijim, duke u pajtuar të jenë robër të idhujve, busteve dhe të vdekurve, dhe duke u betuar në qëndrueshmëri ndaj devijimit të tyre.
“Dhe u thanë: Mos braktisni zotat tuaj kurrsesi, mos braktisni Vedda-në, as Suvva-në, e as Jeguth-in, Jeukë-n e Nesre-n.” (Nuh: 23)
“Paria nga mesi i tyre shkoi duke i thënë njëri-tjetrit: vazhdoni të jeni të qëndrueshëm në adhurimin e zotave tuaj, pse kjo është një gjë e kurdisur.” (Sad: 6)
I mbyllnin sytë, në mënyrë që zëri i së vërtetës mos të depërtojë në zemrat e tyre.
“Dhe sa herë që unë i thërritja ata për t’u falur Ti atyre mëkatet, ata i vënin gishtat e tyre në veshë dhe mbulonin kokat me teshat e tyre dhe vazhdonin në atë të tyren me një mendjemadhësi të fortë.” (Nuh: 7)
Njeriu ka marrë për zot, përveç All-llahut të Madhërishëm, disa njerëz, duke i mbështjellë me kurora shenjtërore dhe legjenda, duke konsideruar se rrjedhin nga familjet hyjnore dhe se janë të një natyre tjetër për dallim nga njerëzit e thjeshtë, sikur në damarët e tyre qarkullon gjaku i kaltër. Disa nga këta njerëz ishin prijës të cilët i nënshtronin njerëzit sipas epsheve dhe dëshirave të tyre, ndërsa disa prej tyre ishin të mirë, mirëpo njerëzit i kishin bërë të shenjtë, edhe pse ata vetë nuk e dëshironin një gjë të tillë.
Shembull nga grupi i parë është ai i Faraonit, i cili pohonte për veten se është hyjni.
Popullit i fliste kështu:
“E u tha: Unë jam zoti juaj më i lartë!” (En-Naziat: 24)
“... unë nuk njoh ndonjë zot tjetër për ju pos meje...” (El-Kasas: 38)
Shembull i grupit të dytë janë ata që tejkaluan masën në aspekt të Isait [alejhis-selam], duke i përshkruar atij hyjni me fjalët se ai është Zot apo biri i Zotit apo një prej treve (trinia). All-llahu i Madhërishëm është i lartësuar nga ajo që ata e thonë.
All-llahu i Madhërishëm dërgoi pejgamberë me qëllim që të hiqet robërimi i njerëzve ndaj njëri-tjetrit. Kështu e dërgoi Musain dhe vëllain e tij Harunin te Faraoni dhe populli i tij, duke u thënë:
“Shkoni që të dy te faraoni, se ai vërtet e ka tepruar. Atij i thuani fjalë të buta, ndoshta ai mendohet a frikësohet.” (Ta Ha: 43-44)
Musai dhe vëllai i tij kanë kërkuar nga Faraoni që t’i lirojnë izraelitët nga robëria.
“I shkoni e i thuani atij: “Ne jemi që të dy të dërguar të Zotit tënd, lëshoi beni israilët të vijnë me ne, e mos i mundo!...” (Ta Ha: 47)
Prej Faraonit kërkuan që t’i nënshtrohet Krijuesit të botëve, t’i lirojë izraelitët të cilët i mbante të nënshtruar dhe që t’u lejojë të dalin nga vendi i tij.
Kur’ani qartë shtroi qëndrimin rreth Isait [alejhis-selam], si rob dhe pejgamber i Zotit, të cilin me Fjalën e Vet e krijoi dhe me jetë e frymëzoi. Shembulli i tij është sikurse shembulli i Ademit [alejhis-selam] të cilin Ai e krijoi nga dheu, pastaj tha: “Bëhu” dhe ai u bë ashtu siç deshi të bëhet.
Programi i sotëm i jetës dhe besimit është një devijim i thellë në të cilin ka rënë njerëzimi. Kjo shihet në pasimin e ligjeve, sistemeve dhe rregullave të cilat i kanë shpikur ideologët dhe udhëheqësit në një kohë të caktuar. Në pajtim me gjeneratën dhe kohën këto ligje përjetojnë ndryshime dhe si të tilla zbatohen në shoqëri, por gjithmonë janë në kundërshtim me ligjet e Zotit. Kurse All-llahu i Madhërishëm kërkon dhe urdhëron zbatimin e ligjit të Tij pa asnjë përjashtim, pakësim apo shtim.
“... vendimi (në çështjen e adhurimit) nuk i takon kujt, pos All-llahut, e Ai urdhëroi të mos adhuroni tjetër vetëm Atë...” (Jusuf: 40)
All-llahu i Madhërishëm nuk është i kënaqur që dikush t’i bëhet ortak në sjelljen e vendimeve:
“... Në vendimin e Tij nuk mund ti përzihet askush.” (El-Kehf: 26)
All-llahu i Madhërishëm i qortoi çifutët dhe krishterët cilët iu nënshtruan murgjve dhe priftërinjve duke shkelur ligjin e shpallur të Zotit, bënë hallall dhe bënë haram gjërat me arsyen e tyre të kufizuar. All-llahu i Madhërishëm për ta thotë:
“Ata i konsideruan “ambarët” (priftër jehudi) të tyre, “ruhbanët” (murgjit e krishterë) të tyre dhe Mesihun (Isain) birin e Merjemes...” (Et-Teube: 31)
Gjithashtu, është e çuditshme se pjesa më e madhe e njerëzimit gjatë shekujve hedh poshtë programin e Zotit për jetë dhe punë, duke u kënaqur me programin të cilin e kanë shpikur vetë njerëzit për ta nënshtruar njëri-tjetrin. Ligjet dhe programet të cilat i bëjnë njerëzit janë në kundërshtim ndërmjet vete dhe secili grup e konsideron veten se është në rrugë të së vërtetës dhe udhëzimit, si dhe se ligjet e tyre u ofrojnë njerëzve liri, paqe dhe lumturi. Krejt kjo çon në konflikte të ndërsjella të cilat në të shumtën e rasteve eskalojnë me luftëra.
“Jehuditë thanë se të krishterët nuk janë të mbështetur në asgjë (nuk kanë fé të vërtetë). Edhe të krishterët thanë se jehuditë nuk janë të mbështetur në asgjë, e duke qenë se ata të dy palët e lexojnë librin. Po kështu si thëniet e tyre, thanë edhe ata që nuk dinin (idhujtarët për Muhammedin). Po në Ditën e Gjykimit për atë që ata nuk pajtoheshin, All-llahu gjykon ndërmjet tyre.” (El-Bekare: 113)
All-llahu i Madhërishëm për çdo kohë ka shpallur Libër, ashtu që të gjykojë ndërmjet njerëzve për atë në çka nuk pajtohen, duke nxjerrë në pah të vërtetën dhe duke anuluar të pavërtetën.
“Njerëzit ishin një popull (të fesë së natyrshme islame) e (kur u përçanë) All-llahu dërgoi pejgamberët përgëzues dhe qortues, dhe atyre Ai u zbriti edhe librin me fakte të sakta për të gjykuar në atë që u kundërshtuan ndërmjet veti. Në atë (libër) kundërshtuan vetëm ata që kishin libër (ithtarët e librit). E përpos atyre që iu kishte dhënë ai (libri) dhe u kishin ardhur argumente të qarta, nuk kundërshtoi kush në të (në librin), po edhe atë (kundërshtim e bënë) nga zilia ndërmjet tyre, mirëpo All-llahu me mëshirën e Tij i udhëzoi ata që besuan tek e vërteta e asaj për çka ishin kundërshtuar. All-llahu e vë në rrugë të drejtë atë që dëshiron.” (El-Bekare: 113)
All-llahu i thirri pasuesit e librave qiellorë që të besojnë te Zoti Një i vetëm dhe ta lëshojnë politeizmin dhe shoqërimin Atij me diç të barabartë. Me këtë njerëzit do të tubohen rreth një fjale.
“Thuaju (o i dërguar): “O ithtarë të librit (Tevrat e Inxhil), ejani (të bashkohemi) te një fjalë që është e njëjtë (e drejtë) mes nesh dhe mes jush: Të mos adhurojmë, pos All-llahut, të mos ia bëjmë Atij asnjë send shok, të mos e konsiderojmë njëri - tjetrin zotër pos All-llahut”! E në qoftë se ata refuzojnë, ju thoni: “Dëshmoni pra, se ne jemi muslimanë (besuam një Zot)”!” (Ali Imran: 64)
Islami çliron zemrat
Islami erdhi me qëllim të ndalimit dhe çlirimit të njeriut nga robërimi (adhurimi) i kujtdo qoftë përveç All-llahut të Vetëm. Këtë parim e kanë përcjellë bartësit e Islamit, duke udhëtuar deri te udhëheqësit e perandorisë persiane dhe romake, e kur do t’i pyesnin përse kanë kaluar largësi aq të madhe, ata do të përgjigjeshin: “Zoti ynë na dërgoi që t’i shpëtojmë njerëzit nga robërimi ndaj njerëzve në robërimin ndaj Zotit të njerëzve, nga padrejtësia dhe besimet e devijuara në drejtësinë islame dhe nga vështirësitë e dunjasë në gjerësitë e ahiretit”.
Islami kujdes më të madh i kushton çlirimit të zemrës së njeriut nga robërimi. Themi zemrën, sepse ajo është bazë në të cilën pushon tërë trupi dhe sepse ajo udhëheq dhe orienton. Saktësia e zemrës rezulton me saktësinë e njeriut. Në atë kuptim Pejgamberi [sal-lall-lahu alejhi ves-sel-lem] thotë: “Në trupin e njeriut gjendet një copë mishi, nëse ajo është e shëndoshë, i tërë trupi është i shëndoshë; nëse ajo është e sëmurë, i tërë trupi është i sëmurë. Kjo copë është zemra”.
Zemra është vendi i bindjes, vullnetit, dëshirës dhe interesimit, të cilat janë në harmoni proporcionale dhe në varësi me saktësinë e bindjes. Kjo ndikon që zemra të jetë e shëndoshë, e drejtë apo e sëmurë, e kjo shprehet në tërë trupin.
Saktësia e besimit të njeriut manifestohet përmes njohjes me Zotin e tyre, cilësitë, emrat e Tij, ndikimin në botë, pastaj njohjen me cilësitë e melekëve, Ditën e Gjykimit dhe me atë që All-llahu i Madhërishëm e ka përgatitur konform veprave të njeriut përmes zbatimit apo shkeljes së urdhrave të Tij.
Saktësia e besimit në pjesën më të madhe shihet në saktësinë e nijetit (qëllimit), ashtu që njeriu të gjitha aktivitetet e veta ia kushton All-llahut të Madhërishëm, pa dëshiruar (kënaqësinë) e melekëve, sunduesve, drurit, gurit...  Vetëm ky lloj i besimit në All-llahun është i pranuar.
“... andaj ti adhuroje All-llahun duke qenë i sinqertë në adhurimin e Tij!” (Ez-Zumer: 2)
“...  pra adhurojeni Atë me adhurim të sinqertë ndaj Tij...” (Gafir: 65)
“... Adhurim i sinqertë është vetëm ai për All-llahun!...” (Ez-Zumer: 3)
Besimi i sinqertë është në kuptimin e fjalës La ilahe il-lall-llah - nuk ka hyjni tjetër përveç All-llahut - me manifestimin e të cilës njeriu realizon besimin e vërtetë te Zoti dhe Mbrojtësi i vet. Islami me mësimet e veta çliron zemrat nga frika ndaj zotave të rrejshëm, tagutët dhe zullumqarët.
Frika paralizon lirinë e njeriut, të menduarit dhe dëshirën e tij, dhe e shtyn që të dojë dikë tjetër përveç All-llahut të Madhërishëm.
Tagutët dhe zullumqarët ditë e natë mundohen që në zemrat e besimtarëve të mbjellin frikë nga pushtetmbajtësit. Për shembull, do të përmendim rastin me Ibrahimin [alejhis-selam], kur diskuton me popullin e vet. Ata e frikonin se do ta gjejë e keqja nga zotat e tyre, në çka Ibrahimi [alejhis-selam] kërkoi mbrojtje te Mbrojtësi i vet, All-llahu i Madhërishëm.
“Po atë e (me Ibrahimin) polemizoi populli i tij e ai tha: “A polemizoni me mua, rreth All-llahut e Ai më udhëzoi? Unë nuk u frikohem atyre që ju ia bëni shok, vetëm nëse Zoti im do ndonjë send (të më godas, ai më godet). Me dijen e Tij Zoti im ka përfshirë çdo send, a nuk e merrni me mend? E si t’ju frikohem atyre që ju ia shoqëruat, e ju nuk frikoheni për atë që i shoqëruat All-llahut pa pasur kurrfarë argumenti. E cili grup, pra, është më i drejtë të jetë i sigurt, nëse jeni që kuptoni?” Ata që besuan dhe besimin e tyre nuk e ngatërruan me besim të kotë, atyre u takon të jenë të sigurt dhe ata janë në rrugë të drejtë. Këto janë argumentet tona që ia dhamë Ibrahimit kundër popullit të tij. Ne ngremë në shkallë të lartë atë që duam. Zoti yt çdo send e vë në vendin e vet, asgjë nuk mund t’i fshihet.” (El-En’am: 80-83)
Gjithashtu, kur Hudi [alejhis-selam] ashpërsoi polemikën me popullin e vet, i cili i tha:
“Ne nuk themi tjetër vetëm se dikush prej zotave tanë të ka goditur me çmendje!” Ai tha: “Unë dëshmitar e kam All-llahun, e ju dëshmoni se unë jam larg nga ajo çka ju i shoqëroni. (larg adhurimit) Pos Tij. Ju pra, të gjithë përpiquni kundër meje e mos më jepni afat. Unë iu kam mbështetur All-llahut, Zotit tim dhe Zotit tuaj, pse nuk ka asnjë nga gjallesat, e që Ai të mos e ketë nën sundim, vërtet Zoti im është i drejtë.” (Hud: 80-83)
Vallë do të mundej Hudi t’i kundërvihet popullit të vet sikur të mendonte se zotat e tyre vërtetë mund të bëjnë dëm apo dobi, apo ata të sjellin fatkeqësi? Zemra e Hudit [alejhis-selam] ishte e pastër nga idetë dhe bindjet se zotat e tillë të rrejshëm mund të sjellin çfarëdo qoftë dëmi. Me këtë bindje mori fuqi që të kundërshtojë popullin e vet, përmes kundërshtimit të ashpër me të cilin i provokon, duke u mbështetur te All-llahu i Madhërishëm, Zoti dhe Mbrojtësi i tij, i Gjithëdijshmi, Ai që ruan robërit e Vet në luftë kundër mizorëve, i udhëzon që të mbështeten vetëm tek Ai dhe të kërkojnë ndihmë vetëm prej Tij.
Ja se ç’i thanë Musai dhe vëllai i tij Haruni [alejhimus-selam] Zotit të vet kur u dha urdhër që të shkojnë te Faraoni:
“Ata të dy thanë: Zoti ynë, ne kemi frikë se do të na ndëshkojë menjëherë ose do t’i kalojë kufijtë kundër nesh. Ai (All-llahu) tha: “Mos u frikësoni, se Unë (me ndihmën Time) jam me ju, dëgjoj (ç’do t’ju thotë) dhe shoh (ç’do të bëjë me ju).” (Ta Ha: 45-46)
Shejtani i frikon robërit e sinqertë të All-llahut me ithtarët e vet të devijuar, kurse All-llahu i Madhërishëm na udhëzon që mos të kemi frikë prej askujt përveç Atij:
“Po atë (propagandë) e bëri vetëm shejtani që dëshironte me miqtë e vet (idhujtarët), t’ju frikësojë, po ju mos u frikësoni prej tyre, frikësomuni Mua, nëse jeni besimtarë.” (Ali Imran: 175)
Çiltërsia e zemrës së besimtarit te All-llahu dhe mbështetja vetëm tek Ai në çdo kohë, paraqet mbështetje më të fortë në luftë kundër tollovive, dhunës dhe fatkeqësisë jetësore.
Ibrahimin [alejhis-selam] e hedhin në zjarr kurse ai thotë:
“Më mjafton All-llahu, sa ndihmës i mirë që është Ai.”
Junusin [alejhis-selam] e hedhin në ujë, pas çkahit e gëlltit balena, kurse ai thërret:
(Përkujto) Edhe atë të peshkut (Junusin) kur doli i hidhëruar (prej popullit) dhe mendoi se nuk do t’i vijë më puna ngushtë, po në errësira ai tha se: “Nuk ka Zot pos Teje. Ti je i pastër, nuk ke të meta. Unë i bëra padrejt vetes!” Ne iu përgjigjëm atij, e shpëtuam nga tmerri. Kështu i shpëtojmë Ne besimtarët.” (El-Enbija: 87-88)
Nuhi [alejhis-selam] ishte shumë i shqetësuar nga populli i tij dhe pas një periudhe të gjatë të cilën e kaloi në mesin e tyre, kërkon dhe e fiton ndihmën e All-llahut të Madhërishëm:
(Përkujto) Edhe Nuhun, kur më parë - pat thirrur (Zotin) e Ne ia pranuam atij (edhe lutjen) e atë dhe familjen e tij e shpëtuam nga ai tmerri i madh. Ne e mbrojtëm atë prej atij populli që i përgënjeshtronte argumentet Tona, vërtet ai ishte popull i keq, prandaj i përmbytëm të gjithë.” (El-Enbija: 76-77)
Gjithashtu, shembulli i besimtarëve të paktë të cilët shikuan ushtrinë e Xhalutit, duke kërkuar ndihmën e All-llahut të Madhërishëm, e Atij i Cili ndihmon dhe mposhtë, pas çkahit All-llahu u ndihmoi, andaj ushtria armiqësore mbeti e mposhtur:
“E kur doli (prej qytetit) Taluti me ushtrinë, tha: “All-llahu do t’ju sprovojë me një lumë, e ai që pi prej atij, ai nuk është me mua, e kush nuk e shijon atë, ai është me mua, përveç atij që me dorën e vet e pi një grusht!” Mirëpo, me përjashtim të një pakice prej tyre, të tjerët pinë nga ai. E kur e kaloi ai (Taluti) atë së bashku me te edhe ata që ishin besimtarë thanë: “Ne sot nuk kemi fuqi kundër Xhalutit dhe ushtrisë së tij!” Po ata që ishin të bindur se do ta takonin All-llahun thanë: “Sa e sa grupe të vogla, me dëshirën e All-llahut, kanë triumfuar ndaj grupeve të mëdha!” All-llahu është me durimtarët. E kur i dolën përballë Xhalutit dhe ushtrisë së tij, thanë: “Zoti ynë! Na dhuro durim! Na i përforco këmbët tona dhe na ndihmo kundër pabesimtarëve!” Me ndihmën e All-llahut i thyen ata, e Davudi e mbyti Xhalutin dhe All-llahu i dha atij (Davudit) sundimin, pejgamberllëkun dhe e mësoi atë për çdo gjë që deshi. Dhe sikur All-llahu të mos i mbronte njerëzit me disa prej disa të tjerëve, do të shkatërrohej toka, po All-llahu është bamirës i madh ndaj njerëzimit.” (El-Bekare: 249-251)
Besimtarët, të cilët bashkë me Pejgamberin [sal-lall-lahu alejhi ves-sel-lem] dolën në Bedër përpara jobesimtarëve me qëllim që ta zënë rob karvanin, pa menduar fare që të hyjnë në luftë për të cilën kishin pajisje të paktë, u ndalën të befasuar përpara ushtrisë e cila ishte trefish më e madhe sesa e këtyre. Rrugëdalja ishte në lutjen për ndihmë dhe shpëtim drejtuar All-llahut të Madhërishëm, dhe All-llahu me të vërtetë u ndihmoi duke u dërguar te radhët e tyre ushtri të paparë të melekëve:
“Përkujtoni kur kërkuat ndihmë prej Zotit tuaj, e Ai u është përgjigjur: “Unë do t’ju ndihmoj me një mijë engjëj që vijnë një pas një (grup pas grupi). All-llahu nuk e bëri atë (ndihmën) për tjetër, vetëm t’ju gëzojë (t’u japë myzhde) dhe për t’i forcuar (qetësuar) me të zemrat tuaja, pse ndihma në realitet është vetëm prej All-llahut. All-llahu është mbizotërues dhe i urtë. Dhe kur Ai ju kaploi me një kotje (gjumë) që ishte siguri për ju nga ana e Tij, ju lëshoi shi nga qielli për t’ju pastruar me të, largoi prej jush të shtimet e shejtanit, e që të fuqizojë bindjen në zemrat tuaja dhe t’ju përforcojë me të (me shi) këmbët tuaja. Edhe kur Zoti yt u kumtoi engjëjve se: “Unë jam me ju, pra, inkurajoni ata që besuan! Unë do të hedh frikë në zemrat e atyre që nuk besuan, e ju goditni në qafë e lartë, mëshonju atyre në çdo gjymtyrë (gishtërinj). Këtë (ndëshkim për ta) ngase kundërshtuan All-llahun dhe të dërguarin e Tij, e kush kundërshton All-llahun dhe të dërguarin e Tij, nuk ka dyshim se All-llahu është ndëshkimfortë.” (El-Enfal: 9-13)  
Kur muslimanët u goditën në Uhud, Pejgamberi [sal-lall-lahu alejhi ves-sel-lem] u urdhëroi as’habëve, luftëtarëve në rrugë të All-llahut, kurse ata akoma ndjenin dhembjet nga plagët e marra, të drejtohen kah jobesimtarët. Gjatë zbatimit të urdhrit të Pejgamberit [sal-lall-lahu alejhi ves-sel-lem], takohen me një grup kalimtarësh, i cili i lajmëron për komplotin e jobesimtarëve, me të cilin jobesimtarët dëshirojnë shkatërrim të plotë të muslimanëve. Ky lajm nuk i dekurajoi, e as nuk zvogëloi vullnetin e tyre për hakmarrje, por u dëgjua zëri i tyre:
“Na mjafton All-llahu, sa ndihmës i mirë që është Ai”.
“Të cilët edhe pasi i goditi plaga iu përgjigjën All-llahut dhe të dërguarit. E për ata prej tyre që bënë mirë dhe u ruajtën, është një shpërblim i madh. E atyre (shokëve të Pejgamberit) që dikush u tha: “Populli (idhujtarët) është tubuar t’ju sulmojë, pra kini frikë!” Ajo vetëm ua shtoi edhe më shumë besimin e thanë: “Neve na mjafton që kemi All-llahu, Ai është mbrojtësi më i mirë!” Dhe atë pa i gjetur kurrfarë e keqe fituan begati e mirësi të mëdha nga All-llahu dhe e arritën kënaqësinë e Tij, All-llahu është dhurues i madh.” (Ali Imran: 172-174)
Mushrikët në Betejën e Hendekut rrethuan Medinen, kurse çifutët shkelën marrëveshjen e lidhur më parë me muslimanët, përderisa munafikët përhapën thashetheme nëpër qytet. Muslimanët kishin frikë të madhe, megjithatë, zemra e Pejgamberit [sal-lall-lahu alejhi ves-sel-lem] dhe zemrat e atyre për të cilët ai ka qenë shembulli më i mirë mbetën në lidhje me All-llahun e Madhërishëm. Pejgamberi [sal-lall-lahu alejhi ves-sel-lem] e pa fitoren edhe kundër ushtrisë jobesimtare jo vetëm në këtë betejë, por edhe në betejat me perandoritë e atëhershme të Bizantit dhe atë të Persisë:
“O ju që keni besuar, përkujtojeni të mirën e All-llahut ndaj jush, kur juve u erdhi një ushtri e Ne kundër tyre lëshuam një furtunë dhe ushtri që ju nuk e shihnit, e All-llahu e shihte atë që ju vepronit. Kur ata u erdhën juve edhe prej së larti edhe prej së poshtmi, dhe kur shikimet u shtangën, e zemrat arritën në fyt, e ju sajonit mendime të llojllojta për All-llahun. Atje, në atë vend qenë sprovuar besimtarët, dhe qenë tronditur me një dridhje të fortë. Kur hipokritët dhe ata që në zemrat e tyre kishin sëmundje, thonin: “All-llahu dhe i dërguari Tij nuk na premtuan tjetër vetëm se mashtrim!” Dhe kur një grup prej tyre thanë: “O banorë të Jethribit, nuk ka qëndresë për ju, ndaj kthehuni!” E një grup prej tyre kërkonin lejen e Pejgamberit, duke thënë: “Shtëpitë tona janë të pambrojtura!” Edhe pse ato nuk ishin të pambrojtura, në realitet ata nuk donin tjetër por vetëm të iknin.” (El-Ahzab: 9-13)
Në këtë situatë të vështirë, Pejgamberi [sal-lall-lahu alejhi ves-sel-lem] dhe as’habët e tij kishin besim të fuqishëm në premtimin dhe fitoren e All-llahut.
“Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e All-llahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e All-llahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh All-llahun. E kur muslimanët e panë ushtrinë aleate, thanë: “Kjo është ajo që All-llahu dhe i dërguari i Tij na premtuan neve, e All-llahu dhe i dërguari i Tij e thanë të vërtetën”. Ajo (ushtria e armikut që e panë) vetëm ua shtoi atyre besimin dhe mbështetjen.” (El-Ahzab: 21-22)
All-llahu i Madhërishëm i lavdëroi këta besimtarë të zgjedhur dhe të ndershëm, duke thënë:
“Prej besimtarëve kishte burra që vërtetuan besën e dhënë All-llahut, e disa prej tyre e realizuan premtimin duke dhënë jetën, dhe ka prej tyre që janë duke pritur (ta zbatojnë) dhe ashtu nuk bënë kurrfarë ndryshimi.” (El-Ahzab: 23)
Besimtarët u kthyen duke dëshmuar për ndihmën dhe shpërblimin e madh të All-llahut, munafikët u larguan të poshtëruar dhe me fytyra të nxira, kurse kafirët ia mbathën përplot mllef dhe dhembje.
“Që All-llahu t’i shpërblejë të vërtetit për sinqeritetin e tyre, e hipokritët t’i ndëshkojë, nëse do, ose t’ua falë atyre; All-llahu është që falë shumë, është mëshirues. Dhe All-llahu i zmbrapsi ata që nuk besuan me atë mllefin e tyre, duke mos arritur asnjë të mirë. Dhe All-llahu ua largoi luftën besimtarëve. All-llahu është i fuqishëm, ngadhënjyes.” (El-Ahzab: 24-25)
E sa i përket çifutëve të cilët i kanë përkrahur, All-llahu i dëboi duke ua dhënë tokën, shtëpitë dhe pasuritë e tyre muslimanëve.
“E ata nga ithtarët e librit (jehuditë), të cilët u ndihmuan atyre (idhujtarëve), Ai (All-llahu) i nxori prej kështjellave të veta dhe në zemrat e tyre u shtini frikën, ashtu që një grup e mbytni, kurse tjetrin grup e robëroni. E juve ua la trashëgim tokën e tyre, shtëpitë e tyre, pasurinë e tyre dhe tokën që ende nuk e keni shkelur. All-llahu është i gjithëfuqishëm për çdo send.” (El-Ahzab: 26-27)
Besimtarët i kuptuan këto mësime në shekujt pas të Dërguarit të All-llahut [sal-lall-lahu alejhi ves-sel-lem]. Sundimtarët dhe komandantët e vyeshëm i ruajtën duke i kushtuar kujdes të madh edukimit të ushtrisë sipas parimeve të vërteta islame, të jenë të kënaqur me All-llahun, të frikohen vetëm nga All-llahu dhe që dëshira e tyre më e madhe të jetë kthimi tek Ai. Për shkak të këtyre veçorive u rendën fitoret.
“Ne patjetër do të ndihmojmë të dërguarit tanë në jetën e kësaj bote, edhe ata që besuan, e edhe në ditën e prezentimit të dëshmive.”(Gafir: 51)
Salahuddini në shumë luftëra pyeti për besimtarin e mirë, të drejtë dhe dinjitoz. Zemra e tij do të rehatohej kur në krye të ushtrisë së vet shihte njeriun i cili i drejtohet dhe i lutet All-llahut.
Kur një ushtar musliman në prag të Betejës së Jermukut tha: “Sa shumë romakë ka, e sa pak muslimanë!”, Halid ibn Velidi thirri: “Nuk është ashtu, por thuaj: “Sa pak romakë, e sa shumë muslimanë!”, duke përkujtuar fjalën e All-llahut:
“... Sa e sa grupe të vogla me dëshirën e All-llahut kanë triumfuar ndaj grupeve të mëdha...” (El-Bekare: 249)
Pastaj shembulli i prijësit bizantin, i cili u është kërcënuar muslimanëve me numrin e madh të ushtrisë së vet, në çka prijësi i muslimanëve i është përgjigjur: “Erdhëm me një popull i cili e do vdekjen ashtu siç e doni ju jetën”.

Shkaqet e humbjes së Ummetit islam
Kur u dobësua lidhja e muslimanëve me Zotin e tyre, shumë muslimanë u larguan nga All-llahu duke kërkuar ndihmë nga Amerika, Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Rusia... e pastaj u rendën humbjet e tyre. Armiqtë ua morën tokën, duke i mbytur dhe nënshtruar, kurse fatkeqësitë dhe shfrytëzimet të cilat i përjetojnë sot myslimanët, nuk janë asgjë tjetër përveç se rezultat i një sëmundjeje të rëndë nga e cila lëngon bota islame. Shembulli i kësaj sëmundjeje, e cila ka sulmuar trupin e dobët, është sikurse shembulli i shtëpive të rrënuara, të cilat nuk mund t’i përballin sulmeve të shtrëngatave të fuqishme.
All-llahu i Madhërishëm na tërheq vërejtjen se do t’i dënojë ata që do të largohen nga udhëzimi i Tij përmes fatkeqësive dhe kataklizmave të ndryshme, që vallë kjo mos t’i shtyjë të pendohen dhe të kthehen.
“Ne kemi dërguar (pejgamberë) edhe te popujt para teje (e derisa nuk dëgjuan), i dënuam me skamje e mjerim, ashtu që të përulen.” (El-En’am: 42)
Prej sprovimeve të shumta në të cilat kemi rënë ne muslimanët, populli të cilit i është lënë në amanet Shpallja universale, është edhe ajo se kemi lënë armët në luftë kundër të këqijave dhe armiqve. Prandaj All-llahu i Madhërishëm na vë në sprovë, qoftë me muslimanët e devijuar apo qoftë me jobesimtarët.
Të marrim mësim nga populli çifut dhe vuajtjet e tij kur, për shkak të turbullirave që vigjilonin mbi tokë, All-llahu kundër tyre i preku armiqtë e tyre. Në mesin e tyre kishte edhe pejgamberë edhe njerëz të mirë.
“A nuk ke marrë vesh për parinë e bijve të Israilit pas Musait? Kur i patën thënë një të dërguari të tyre (Shem’unit): “Cakto për ne një sundues e të luftojmë në rrugën e All-llahut!” Ai (Pejgamberi) tha: “A mund të ndodhë që nëse lufta u bëhet obligim ju të mos luftoni!” Ata thanë: “E ç’kemi ne që të mos luftojmë në rrugën e All-llahut, kur dihet se ne jemi dëbuar nga atdheu dhe bijtë tanë..” (El-Bekare: 246)
Mexhusitë (adhuruesit e zjarrit) i sulmuan çifutët nën komandë të Nabukosodorit, duke i okupuar dhe duke ua djegur vendbanimet, në sulmin e të cilëve është shkatërruar një numër i madh njerëzish, kurse të tjerët janë robëruar. Pas kësaj mbetën në robëri shtatëdhjetë vjet.
Muslimanët, kur t’i kthehen nënshtrimit ndaj All-llahut të Madhërishëm nga dashuria që kanë ndaj Tij, duke iu frikuar vetëm Atij, duke iu kthyer vetëm Atij si shembull i udhëzimit të tyre, duke iu mbështetur Atij dhe duke kërkuar ndihmë vetëm prej Tij, atëherë do të jetë i përmbushur kushti për ndihmën e tyre dhe kënaqësinë e Tij me atë popull, nga i cili Ai do ta ngrejë urrejtjen dhe qortimin.
Kemi mësim edhe nga populli afgan, kur muslimanët duarthatë u ngritën kundër ithtarëve të mosbesimit dhe tiranisë të quajtur komunizëm, ithtarëve të devijimit të cilët deshën të largojnë Islamin nga vendi. Populli duarthatë, me pajisje të parëndësishme luftarake, iu kundërvu fuqisë prijëse në botë, Rusisë! Ndihma e All-llahut nuk mungoi. Gjatë katër viteve të luftës, zunë peng një sasi të madhe të armatimit armiqësor, robëruan kuadrot e tyre, ua rrëzuan me qindra aeroplanë, ua shkatërruan me mijëra tanke dhe vranë me dhjetëra mijë armiq të All-llahut. Nga burime besnike dihet për dukuritë mbinatyrore me të cilat All-llahu i Madhërishëm e ka ndihmuar ushtrinë e Vet, duke i nënshtruar jobesimtarët. Numri i muxhahidëve ishte shumë më i vogël sesa numri i paganëve, kurse i mundën edhe me njerëz, po edhe me teknikë luftarake, përkundër mbifuqisë së dukshme të Rusisë.
Krejt kjo na tregon për ndihmën e All-llahut të cilën ua dha luftëtarëve në rrugë të Tij. Kjo luftë është argument kundër individëve të pakujdesshëm të kësaj kohe, i cili porositë: “Krahas  fuqive të mëdha në botë, ekziston edhe fuqia e Zotit, e cila ka mundësi të ndryshojë rrjedhat e historisë, megjithatë, ajo pasqyrohet te luftëtarët e saj (besimtarët) të cilët janë të gatshëm t’i sakrifikojnë jetët e tyre në rrugë të Zotit, duke ndjekur udhëzimet e Tij. Në realitet, kjo është rezultat i besimit të pastër i cili është mbjellë në zemrat e besimtarëve dhe që është liruar nga idetë e rreme, qofshin ato prej idhujve të vdekur apo të gjallë.
Liria në Islam pasqyrohet në fotografinë e besimit tonë të sinqertë. Liria domethënë nënshtrim i shpirtit ndaj All-llahut, të cilit i është obliguar t’i dëgjojë urdhrat e Zotit, të cilat janë në vetëdijen islame dhe mënyrën e të menduarit, në kulturën e të folurit dhe aktivitetet në suaza të Islamit, si dhe ligjin islam si bazë sipas së cilës ndërtohet jeta jonë.

Të kuptuarit e lirisë në Islam
Ekzistojnë shumë “liri” me të cilat njerëzit lavdërohen sot në të ashtuquajturin shekull modern. Këto “liri” nga aspekti islam nuk janë asgjë përveçse feja e këtij shekulli, të cilës bota ia dha emrin demokraci. Njerëzimi është në qëndrimin se vendosja e sistemit demokratik shënon kulmin e lirisë deri te cila mund të arrijë lloji i sotëm njerëzor. Në atë sistem popujt zgjedhin kryetarin e shtetit dhe përfaqësuesit e tyre parlamentarë, të cilët pastaj votojnë gjërat për të cilat vetë anojnë. Ky anim shprehet në aparatin për ekzekutimin e vendimeve të marra. Ky rend në Islam quhet robërimi i njerëzve ndërmjet vete, gjegjësisht shpallja hyjni e disa njerëzve prej disa të tjerëve. Njeriu nuk e ka të lejuar që sipas dëshirës dhe mendjes së vet të bëjë ligje, sidomos në domenet e ndjeshme të cilat All-llahu i Madhërishëm i ka lënë që Ai vet t’i përcaktojë dhe zgjidhë. Nuk është në kompetencë të njerëzve që të ligjësojnë dispozita në fusha të cilat me Kur’an qartë dhe saktë janë definuar. Nëse bëjnë diç të tillë, atëherë ata bëhen zota ligjdhënës krahas All-llahut të Madhërishëm.
All-llahu i Madhërishëm i qortoi çifutët dhe krishterët, të cilët dijetarët dhe murgjit e tyre i konsideruan për zota krahas All-llahut. Nga hadithi i Pejgamberit [sal-lall-lahu alejhi ves-sel-lem] përfundojmë se i kanë konsideruar për zota të tyre, ashtu që i kanë pasuar në mësimet e tyre me të cilat kanë ndaluar atë që e lejuar Zoti dhe e kanë lejuar atë që e ka ndaluar Zoti.
Atëherë ç’të thuhet për gjeneratën e re e cila të gjithë përfaqësuesve të vet u jep liri të përgjithshme në sjelljen e ligjeve, ashtu siç dëshirojnë ata. Me ligjet e tyre ata miratojnë kamatën, prostitucionin, homoseksualizmin, abortin, alkoolin..., dhe shumëçka që është në kundërshtim me udhëzimet kur’anore. Megjithatë, kjo është sipas parimeve demokratike, të cilat nuk janë të përhershme e as të pandryshueshme.
Ky lloj i ligjvënies paraqet lloj tipik të robërimit - robërimi i ndërsjellë i njerëzve. Këtë shumica e njerëzve e konsiderojnë kulmin e lirisë.
Liria e vërtetë pasqyrohet në nënshtrimin vetëm All-llahut dhe në pranimin e programit të Tij si burim i ligjvënies dhe gjykimit ndërmjet popujve dhe individëve, duke hedhur poshtë të gjitha ligjet tjera. Me mosnënshtrimin ndaj All-llahut të Madhërishëm, njerëzimi i lëshohet krijesave të cilave kjo nuk u ka hije - njerëzve siç janë edhe ata, apo krijesave më të dobëta se edhe vetë ata. Kurse shkatërrimi qëndron në atë se njeriu i adhuron krijesat sikurse veten apo idhujt, të cilët nuk shohin dhe nuk dëgjojnë, nuk bëjnë dobi e as nuk dëmtojnë. Ai i cili me të vërtetë meriton të jetë i adhuruar, është Ai cilësitë e të Cilit janë hyjnore, të pakufizuara.
“Thuaj (o i Dërguar): “Falënderimi i qoftë All-llahut, e shpëtimi qoftë ndaj robërve të Tij që Ai i zgjodhi (pejgamberët)! A më i mirë (për të besuar) është All-llahu, apo ata që ia bëjnë shok? Ai që krijoi qiejt e tokën, që për ju lëshoi shi nga qielli, e Ne me të bëmë të lulëzojnë kopshte të bukura, që për ju ka qenë e pamundshme t’i bëni të mbijnë bimët në to; A mos ka ndonjë zot tjetër pos All-llahut? Jo, por ata janë popull që shtrembërojnë (të vërtetën).  A është Ai që tokën e bëri vendqëndrim e nëpër të bëri të rrjedhin lumenj, dhe asaj (tokës) i bëri (male) përforcuese, dhe në mes dy deteve bëri ndarje. A ka përveç All-llahu zot tjetër? Jo, por shumica e tyre nuk e dinë. A është Ai që i përgjigjet nevojtarit (të mjerit) kur ai e thërret, duke ia larguar të keqen e juve ju bën mbizotërues të tokës. A ka zot tjetër pos All-llahut? Jo, por ju shumë pak përkujtoni. Ai që ju orienton në errësirat e tokës e të detit, dhe ai që pranë mëshirës së Tij (shiut), si myzhde i lëshon erërat. Vallë, a ka tjetër zot pos All-llahut? E lartë është madhëria e Tij nga çka ia përshkruajnë shok. Ai që e fillon krijimin (e njeriut) e pastaj e përsërit atë (e ringjall pas vdekjes) dhe Ai që ju furnizon nga qielli e toka. A mos ka zot tjetër pos All-llahut? Thuaj: “Sillni argumentet tuaja, nëse jeni të sinqertë!” (En-Neml: 59-64)

 

Të gjitha të drejtat i takojnë Shtëpisë Botuese "Furkan ISM" © 2007-2008