VEPRA logo
Logo link

A E NDRYSHON TEKNOLOGJIA MËNYRËN E FUNKSIONIMIT TË TRURIT TË NJERIUT?


Si duket truri i adoleshentit në Google? Vallë gjitha ato orë të kaluara në internet e ndryshojnë mënyrën se si funksionon truri?

Në shikim të parë duket se këto pyetje vijnë nga prindërit e brengosur, megjithatë, këto janë pyetje të hartuara nga shkencëtarët që hulumtojnë punën e trurit. Edhe pse çështja e lojërave të dhunshme ka zënë vëmendje të konsiderueshme nga opinioni, disa probleme aktuale janë shumë më të thellë. Disa shkencëtarë mendojnë se bota elektronike ndryshon mënyrën se si lexojmë, mësojmë dhe komunikojmë me njëri-tjetrin.
Edhe më tej nuk ka përgjigje definitive për këto pyetje. Megjithatë, Dr Gary Small, psikiatër në Universitetin UCLA, thotë se ekspozimi i përditshëm ndaj teknologjive digjitale sikurse interneti dhe telefonat me funksione të shumta, mund të ndryshojë mënyrën e funksionimit të trurit tonë. Kur truri i kushton më shumë kohë detyrave të bazuara në teknologji, e më pak në ndërveprimin me njerëz të tjerë, ai largohet nga shkathtësitë elementare shoqërore, si për shembull leximi i shprehjes së fytyrës gjatë bisedës, mendon dr. Small. Prandaj rrugët në strukturën e trurit të cilat përdoren gjatë kontaktit fytyrë për fytyrë bëhen më të dobëta, që mund të çojë deri te mos gjindshmëria në shoqëri, pamundësia për të interpretuar mesazhet joverbale, izolimi dhe interesimi i zvogëluar për mësimin tradicional në klasë.
Dr. Small mendon se ndikimi është më i fuqishëm te të ashtuquajturit “të lindurit digjital” - persona të moshës njëzetvjeçare, “të cilët që nga lindja takohen me botën digjitale”. Ai mendon se është me rëndësi të ndihmohen fëmijët e lindur në epokën e teknologjisë që të përmirësojnë shkathtësitë e tyre shoqërore, kurse më të moshuarve – “imigruesve digjital” – që t’i përmirësojnë shkathtësitë e tyre teknologjike.
Së paku një entuziast nëntëmbëdhjetë vjeçar i internetit pjesërisht pajtohet me idenë e dr. Smallit. John Rowe, i cili jeton afër Pasadenës në Kaliforni, kalon prej 6 deri më 12 orë në ditë në internet. Ai herë merret me instant mesazhe, herë me lojërat Cyber Nations dhe Galaxies Ablaze, e herë me online forumet për lojtarë dhe DJ. Shkathtësitë shoqërore? Rowe mendon se ai dhe shokët e tij kanë shkathtësi mjaft të mira shoqërore, megjithatë mendon se dr. Small ka të drejtë kur janë në pyetje disa njerëz tjerë të cilët ai i njeh.
“Po mos të dal rregullisht dhe mos ta kaloj kohën me shokët e mi, nuk do ta kisha ndjenjën e shoqërimit ashtu siç e kam”, ka thënë Rowe, i cili kalon nga tre-katër net në javë me shokët e tij.  “Nuk mundeni vetëm ashtu të hiqni dorë nga shokët normalë me të cilët për çdo ditë shiheni.”
Para më shumë se 2000 viteve Sokrati tërhoqi vërejtjen për revolucion informatik më ndryshe - përforcimin e fjalës së shkruar - të cilën e ka konsideruar më tepër mënyrë artificiale të të mësuarit në krahasim me transmetimin gojor. Pak më herët, përhapja e televizionit shkaktoi brengosjen se fëmijët do të bëhen më të dhunshëm dhe më pasivë, dhe se do të kenë probleme me të mësuarit.
Dr. Small, i cili përshkruan brengat bashkëkohore në librin e ri me titull iBrain: Surviving the Technological Alteration of the Modern Mind (iTruri: mbijetesa e ndryshimeve teknologjike të mendjes bashkëkohore), pranon se nuk posedon argumente definitive se teknologjia digjitale ndryshon mënyrën e funksionimit të trurit. Prapëseprapë, argumenti i tij është “interesant dhe me siguri provokues”, edhe pse i vështirë për t’u dëshmuar, ka thënë Tracey Shors, shkencëtare për studimin e trurit nga Universiteti Rutgers.
Të tjerët janë në hamendje. Robert Kurzban, psikolog nga Universiteti i Pensilvanisë, ka thënë se shkencëtarët duhet të zbulojnë edhe shumë më tepër rreth asaj se si përvojat e një personi ndikojnë në mënyrën në të cilën do të funksionojë truri gjatë interaksionit shoqëror.
“Jeta në epokën e Google mund të ndryshojë edhe mënyrën se si lexojmë.  Normalisht, ashtu siç mëson fëmija të lexojë, truri i tij ndërton rrugë të cilat gradualisht mundësojnë më tepër analizë dhe të kuptuar të sofistifikuar”, ka thënë Maryanne Wolf nga Universiteti Tufts, autore e librit: Proust and the Squid: The Story and Science of the Reading Brain (Proust-i dhe kallamari: Rrëfim dhe shkencë për trurin lexues).
Ajo analizën dhe të kuptuarit e tillë e quan “lexim të thellë”. Por edhe për këtë nevojitet kohë, madje edhe nëse kjo është vetëm një pjesë e sekondës, kurse bota e sotme elektronike veçanërisht ka të bëjë me shpejtësinë e grumbullimit të më shumë informatave artificiale në kohë sa më të shkurtër. Maryanne Wolf pyet se çfarë do të ndodhë kur fëmijët e vegjël në vitet e hershme do të lexojnë gjithnjë e më shumë tekste në internet? Trutë e tyre a do të mund të përgjigjen ashtu që do të bëjnë shkurtesa përmes rrugëve normale të leximit që shpijnë drejt leximit të thellë, por për të cilat, gjithashtu, nevojitet më shumë kohë? Dhe a do të ndikojë kjo në aftësinë e tyre që të mendojnë për atë që e kanë lexuar? Wolf mendon se është e nevojshme që këto çështje të hulumtohen. Ajo mendon se fëmijëve do t’u nevojiten instruksione të dedikuara për përfitimin e të kuptuarit gjatë leximit në botën digjitale.
Disa hulumtime tregojnë në faktin se truri, në të vërtetë, ka dobi nga shfrytëzimi i internetit. Një studim i madh të cilin e udhëhoqi Mizuko Ito nga Universiteti i Kalifornisë para ca kohësh, erdhi në përfundim se gjatë komunikimit me shokët përmes internetit - për shembull, duke dërguar instant mesazhe - adoleshentët mësojnë shkathtësi të vlefshme të cilat do t’u nevojiten në vendin e punës dhe në shoqëri gjatë epokës digjitale. Kjo përfshin çështje sikurse privatësia në internet dhe të asaj se çka është përkatëse e çka nuk është për të postuar dhe për komunikim përmes internetit, ka thënë  Ito.
Nëntëmbëdhjetëvjeçari Rowe tha se ai dhe shokët e tij shpesh bisedojnë për atë se vallë teknologjia, në të vërtetë, mund të jetë e dëmshme për njerëzit. Këtu hyn edhe argumenti se shfrytëzimi i kompjuterit sjell deri te ajo që njerëzit bëhen të paaftë për t’u socializuar. Natyrisht, shtoi ai, “ne kalojmë shumë kohë në kompjuter dhe prapë kemi jetë krejt normale dhe të përsosur shoqërore.”
  
www.nahla.ba